Rishpërndarje kuotash për vendet që do të mbeten bosh në përfundim të fazës së parë të regjistrimeve për në universitete publike. Alfons Harizaj, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, shpjegon se ashtu si vitet e kaluara, do të ketë formular të ri për vendet që mbeten bosh në përfundim të fazës së parë të regjistrimeve. Ai ka shpjeguar se vendet e mbetura bosh nga kandidatët që janë shpallur fitues, por largohen jashtë vendit për studime, apo të atyre që janë mbetës edhe pas sezonit të vjeshtës, nuk do të digjen. Nga të dhënat e deri tanishme të Agjencisë Kombëtare të Provimeve mësohet se numri i kandidatëve për student që kanë aplikuar për të studiuar përtej kufijve të vendit është rreth 5 mijë, ndërsa nuk dihet numri i mbetësve të këtij procesi, pasi nuk janë shpallur ende rezultatet e sesionit të dytë të maturës, ato të vjeshtës. Sipas Alfons Harizaj, kreut të Agjencisë Kombëtare të Provimeve vendet vakante nuk do të mbeten kurrsesi bosh, këtë vit do të ketë dy faza fituesish, paraprake dhe përfundimtare. Fituesit e parë janë shpallur tashmë në të gjitha universitetet e vendit, ndërsa pritet publikimi i listës së dytë. Ndërkohë sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit regjistrimet kanë nisur më datë 18 shtator, ndërsa pritet të përfundojnë më datë 22 të po këtij muaji, vetëm 5 ditë kohë në dispozicion.