TIRANË - Ditën e sotme në ambientet e senatit akademik të Universitetit të Tiranës u nënshkrua marrëveshja nga Rektori i universitetit të Tiranës, Dhori Kule si dhe Prof. Wang Yuying, Kryetare e Këshillit të Universitetit Tianjin i financës dhe Ekonomisë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka si qëllim shkëmbimin e stafeve akademike dhe studentëve të tyre. Forcimi i kontakteve ndërmjet dy universiteteve do të bëhet nëpërmjet bashkëpunimit në format e mësimdhënies afatshkurtra dhe afat-gjata të zhvillimit të seminareve, hulumtimit bashkëpunues, si dhe ndjekja e kurseve të studimit një semestral në universitetin partner.
 
Ndërkaq, ditën e djeshme Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla priti delegacionin kinez.

Kryetarja e delegacionit kinez, Wang Yuying vlerësoi mjaft ndërthurjen e procesit arsimor me aktivitetet sportive, si një mundësi shumë e mirë për të edukuar të rinjtë me vlera pozitive. “Në këtë drejtim, kemi shumë ç’të mësojmë nga ju” u shpreh Yuying.
 
Nga ana tjetër, një ekip basketbollistësh nga Universiteti Tianjin i Financave dhe Ekonomisë, vizituan ditën e sotme Universitetin e sporteve. Gjithashtu, ditën e djeshme ata zhvilluan edhe një ndeshje miqësore mes dy universiteteve për nxitjen e shkëmbimit të kulturave. Kjo është hera e parë që përfaqësuesit kinezë vizituan Shqipërinë. TUFE është themeluar në vitin 1958 dhe është një nga universitetet e para në Kinë që ofron studime në ekonomi-financë dhe administrim biznes.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)