ANKARA- Universiteti “Vitrina” ka nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me universitetin “Trakya” të Turqisë për programin qeveritar turk “Mevlana”. Bashkëpunimi mes dy universiteteve ka në fokus shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira mësimore. Dy ditë më parë, themeluesi i Universitetit “Vitrina”, Edmond Vlashaj, i shoqëruar me dy zv. rektorët Dr. Teki Kurti dhe Dr. Anisa Subashi, është pritur në një takim të veçantë pune nga Rektori i Universitetit “Trakya”, Prof. Yoner Yoruk. Pas këtij takimi, Vlashaj tha se “nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është shumë i rëndësishëm.

Rektori i Universitetit “Trakya”, Prof. Yoner Yoruk, i ka dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme, personalisht, krijimit të një bashkëpunimi të ngushtë, e të frytshëm mes dy universiteteve tona e më tej, bashkëpunimit mes botës akademike dhe universitare mbarë shqiptare në Ballkan dhe asaj turke”. Marrëveshja e parë është bërë në kuadër të bashkëpunimit dy palësh në Programin Qeveritar Turk "Mevlana", që konsiston në shkëmbimin e ndërsjellë të pedagogëve dhe studentëve, me të gjitha shpenzimet e mbuluara nga Qeveria Turke. Ndërsa marrëveshja e dytë është rinovimi dhe kompletimi i marrëveshjes paraprake që është realizuar me Universitetin “Trakya” të Edirnes, tre vite më pare.

Kjo marrëveshje konsiston në realizimin e praktikave mësimore për studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “Vitrina”, po ashtu edhe të fakulteteve të tjera. Në këtë marrëveshje janë parashikuar projekte të përbashkëta për kërkim-zhvillim, botime, etj. Konkretisht praktikat mësimore do të fillojnë me dërgimin në “Edirne” të 50 studentëve të parë të Universitetit “Vitrina”, që në javën e fundit të muajit Qershor. Rektori i Universitetit “Trakya” të Edirnes, Prof. Yoner Yoruk ka mirëpritur ftesën e universitetit “Vitrina” për të marrë pjesë dhe për të drejtuar bashkërisht simpoziumin shkencor mbi figurën e Mehmet Akif Ersoy, si dhe emërtimin e një salle të universitetit “Vitrina” me emrin e tij.
universiteti vitrina marreveshje

FOTO - Ceremonia e Firmosjes së Marrëveshjes

(es/ shqiptarja.com)