Duket se të rinjtë sh qiptarë po preferojnë gjithnjë e më shumë të zgjedhin një universitet të huaj për të vazhduar studimet e larta. Kështu, sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, këtë vit kanë qenë plot 5 mijë maturantë që kanë deklaruar se duan t diplomohen jashtë. Ka nga ata që e kanë të sigurtë fitoren dhe nuk kanë aplikuar fare në universitetet shqiptare, por ka edhe nga ata që e kanë me mëdyshje, ndaj për të qenë të sigurtë se nuk do të mbeten pa shkollë, kanë aplikuar edhe në universitetet shqiptare. Ndërkohë që numri i vërtetë i atyre që do të mund të bëjnë realitet ëndrrën e tyre për një diplomë të huaj, do të mësohet vetëm pas shpalljes së listës së fituesve në universitete, kur të mbeten bosh vendet.

Alfons Harizaj, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve shpjegon se nëse do të mbeten vende bosh nga ikja e këtyre të rinjve jashtë, këto kuota do të shpallen vakante dhe do të jenë një mundësi e mirë për ata që nuk kanë fituar dhe duan të studiojnë në një nga universitetet publike në vend. Sipas statistikave të grumbulluara, pjesa më e madhe e maturantëve që duan të studiojnë në një nga universitetet evropiane, janë nga Tirana. "Ne po flasim për shifrat që maturantët kanë kërkuar me anë të formularit A1 ose A1Z, të studiojnë jashtë shtetit. Këta kanë qenë rreth 5 mijë. Një pjesë e tyre nuk aplikojnë me anë të formularit A2 për studime në universitetet tona. Një pjesë aplikojnë edhe në universitetet tona, pavarësisht se kanë bërë aplikime në universitete jashtë. Në rastet kur shpallen fitues është momenti i regjistrimit që ata vendosin të mos marrin pjesë dhe këto janë kuota bosh", - shpjegon drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj.

Çdo vit, në të vërtetë, mbeten bosh rreth 3 mijë vende, që u dedikohen të rinjve që nisin studimet jashtë vendit. Emrat e tyre figurojnë në listën e parë të fituesve që shpall Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por nuk paraqiten për t'u regjistruar. Si pasojë, lista e dytë e fituesve që shpall MASH, që është edhe lista përfundimtare zhvendoset me 3 mijë emra të rinj. Numri më i madh i të rinjve shqiptarë zgjedh të studiojë në universitetet italiane ku përllogaritet që të jenë rreth 2 mijë të rinj shqiptarë çdo vit, një pjesë e madhe e të cilëve nuk kthehen më në Shqipëri. Fituesit e universiteteve do të shpallen më datë 13 shtator, pasi pritet të përfundojnë edhe konkurset e pranimit që po zhvillohen në disa degë të ndryshme. "Deri më 13 shtator duhet të dalë lista paraprake e fituesve për universitete. Nga data 14-20 shtator maturantët do të kenë mundësi të regjistrohen në degët ku janë shpallur fitues"- thotë Harizaj.

*Shkrimi u botua në nurmin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)