Uragani Florence, i cilësuar si i kategorisë 4 nga 5 kategori që janë gjithsej, po i afrohet jug-lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku sipas qendrës kombëtare të uraganeve mund të jetë potencialisht shkatërrues. Stuhia pritet të zbarkojë në mes të Karolinës së Jugut dhe Virxhinias, duke sjellë erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm.
Më shumë se 1.5 milion njerëz u urdhëruan të evakuojnë shtëpitë e tyre në përgatitje për atë që mund të ndodhë nga një ndër uraganët më katastrofike që godet bregdetin lindor në dekada.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lëshoi po ashtu disa paralajmërime për uraganin Florence. "Një nga stuhitë më të këqija në shumë vite do të godasë Bregun Lindor", tha Trump në njërin nga postimet e tij në Twitter.