TIRANE- Për ditën e hënë është paralajmëruar grevë mbarëkombëtare të transportit brenda qytetit me shkak rritjen e çmimit të biletës urbane nga 30 në 60 apo 70 lekë. Kjo grevë mund të anillohet gjatë ditës së sotme vetëm nësë do të arrihet një marrëveshje me qeverinë. Kjo është bërë e ditur nga Sindikata dhe Shoqata e Transportit burime gojarisht nga këto të dyja deklarojnë dhe thonë se mes tyre është marrë një vendim dhe pritet që bileta e transportit urban të shkojë në 60 lekë, edhe pse ata do të këmbëngulin për 70 lekë.

Pritet që Ministria e Financave të bëjë gati projekt ligjin për disa ndryshime dhe ta dërgojë tek Kryeministri. Burime nga sindikata dhe shoqata e transportit urban theksojnë se u ka mbërritur shkresa zyrtare, që shteti nuk e subvencionon transportin urban. Ndaj ata të hënën kërcënojnë se në 24 orë nuk do dalin fare në qarkullim, duke paralizuar transportin e qytetarëve, derisa të arrihet një marrëveshje.  

Vetëm nëse sot do të ketë një marrëveshje me qeverinë, atëherë do anulohet kjo grevë. Kjo grevë është paralajmëruar më parë ditën e hënë pas grevës tre orëshe e cila shkaktoi kaos në rrugët e kryeqytetit pasi qytetarët nxitonin për të shkuar në punë dhe në shkollë. Kjo do të jetë greva e tretë për një periudhë jo më shumë se dy javore, pasi kërkesa e Shoqatës së Transportit edhe pse ka rreth dy vite që është paraqitur ende nuk është marrë parasyshë. Nëse qeveria nuk do të ndërhyjë gjatë ditës së sotme, ditën e hënë do të krijojë një kaos për qytetarët të cilët janë të detyruar të marrin disa herë në ditë autobusat e linjave urbane.

Shoqëria e transportit ka kërkuar rritjen e çmimit të biletës dhe subvensionin e kategorive që përfitojnë lëvizjet falas, si dhe abonetë. Shoferët dhe fatorinot e urbanëve kanë rreth tre muaj pa marrë rrogat e tyre pasi shoqëria nuk ka para për t’i paguar për këtë arsye edhe kërkohet rritje e çmimit të biletës, kosto kjo që bie drejtëpërdrejt tek qytetarët. Greva e ditës së hënë pritet të jetë 24 orëshe dhe do të jetë nga të gjitha linjat urbane brenda dhe jashtë Tiranës. Qytetarët duhet të marrin masa për të përdorur mjete të tjera të transportit për lëvizjet brenda qytetit.

Dita e sotme do jetë vendimtare për mbajtjen ose jo të kësaj greve dhe vetëm një marrëveshje me qeverinë do ta ndalonte atë. Në të kundërt, greva e të hënës do t’u paraprijë edhe greva të tjera deri në marrjen parasyshë të kërkesës së Shoqatës së Transportit. Deri më tani kjo shoqëri ka kërkuar rritjen e biletës në 70 lek, që do të thotë më shumë se sa dyfishimi i saj, por pretendimet më të fundit të tyre janë për një biletë 60 lekshe.
 
Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)