Transporti urban në kryeqytet është makthi i përditshëm i banorëve. Moszbatimi i orareve dhe problematikat me trafikun shkaktojnë grumbullime të mëdha nëpër urbanë. Gazetarja Enxhi Musaj ka bërë një vëzhgim në rrugët e kryeqytetit ku pavarësisht situatës pandemike autobusët janë vatrat e përhapjes së COVID.                         

“Në mëngjes janë dhe nxënësit e shkollës nuk ke ku të shkosh.Në mëngjes je shpatull më shpatull e frymë më frymë”- tha një qytetar.

Një tjetër qytetar shprehet: Autobusët janë të tejmbushur dhe apsulotisht nuk respektohet asnjë masë.

“Një pjesë e qytetarëve mbajnë maskë, një tjetër nuk mbajnë”.- u shpreh një tjetër.

Rikthimi i studentëve në universitete ka shtuar numrin e përdoruesve të transportit urban. Qytetarët shprehen se oraret më problematike ku ka tejmbushje në autobusë janë mëngjeset dhe oraret e pasdrekës. Më problematike shfaqet linja e ish-uzinës së Autotraktorëve, me një numër të paktë autobusësh, dyndje qytetarësh pa maska dhe ku Covid gjen më shumë terren infektimi.

“Katër autobusa rrinë atje parkohen, dy autobusa punojnë e rrijnë aty ngjeshen njerëzit me njëri-tjetrin. Është shumë e rezikshme në orën pesë është tmerr.”- tha një qytetar.

“Më problematike është ish- uzina e autotraktorëve. Obobooo ,ajo është fare fare problem”- shprehet një tjetër qytetar.

Po linjat e transportit urban në kryeqytet  nuk përmbushin as kushtet teknike të qarkullimit. Dashnor Memaj, kryetari i Shoqatës së Transportit urban thotë se dyndja dhe vonesat e transportit urban vijnë nga mungesa e Infrastrukturës rrugore  apo mungesa e korsive të dedikuara për këto mjete.

“Kapaciteti i mjeteve është i mjaftueshëm, vetëm duhet infrastruktura e duhur për korsitë e dedikuara”- u shpreh ai.

Linja të tjera problematike që vështirësojnë lëvizjen e qytetarëve në Tiranë janë edhe linja e Kopshtit Zoologjik, Vilat Gjermane-Depot e Ujit, ndërsa Tirana e Re mëngjeseve dhe pasditeve vonë është kthyer në makthin e qytetarëve të zonës së Astirit.