PRISHTINË, 3 Mars /ATSH/ - Ministri kosovar i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur sot në një takim ministrin e Ekonomisë, së Urdhërit të Maltës, Ciro Barbato dhe atë të Punëve të Jashtme, Kastriot Bujupin.
"Me këtë rast i konfirmuan ministrit Agani, se qeveria e Urdhërit të Maltës, është e gatshme të investojë në Kosovë 250 milionë euro, në projekte konkrete", thekson njoftimi dërguar nga Ministria.
Ministri Agani e falenderoi Barbaton për përkushtimin e Urdhërit të Maltës dhe angazhimin e treguar karshi Kosovës, sidomos për pëpjekjen e ndërtimit të spitalit në Ferizaj, një projekt me vlerë prej 40 milionë eurove, që pati filluar në kohën kur Agani ishte ministër i Shëndetësisë, projekt ky që do të mundësonte qytetarëve ferizajas shërbime kualitative shëndetësore.
"Ministri i Ekonomisë i Urdhërit të Maltës, Ciro Barbato, shprehi gatishmërinë për investime edhe në projektet që kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit, me theks të veçantë në riciklimin e mbeturinave", bën të ditur njoftimi.
Ministri Agani, siguroi ministrin Barbato, se si ministër, por edhe si qeveri e Kosovës, do të bëjnë çmos që të punojnë në ndryshimin e legjislacionit, në mënyrë që të mundësojnë investimet kapitale përmes partneritetit publiko-privat.
Urdhëri Sovran Ushtarak i Maltës ose Urdhri Sovran Ushtarak Spitalor i Shën Xhovanit të Jeruzalemnit të Rodit dhe Maltës; shkurt Urdhi i Maltës është një urdhër fetar bamirës me qëndër në Romë, i njohur edhe si subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Territori i Urdhrit të Maltës është i përbërë kryesisht nga pallati të cilit i njihet ekstraterritorialiteti nga Italia. Urdhri i Maltës është aktiv në mbi 120 vende, i mbështetur nga marrëdhëniet diplomatike që ka aktualisht me 104 kombeve. Urdhri drejton spitale, qendra shëndetësore, qendra ditore, shtëpi për të moshuarit dhe për personat me aftësi ndryshe dhe qendra të veçanta për të sëmurët në prag të vdekjes. Në shumë vende Trupat vullnetare të Urdhrit ofrojnë ndihmën e parë, shërbime sociale, emergjenca dhe ndërhyrje humanitare. Urdhri është sovran. Ai shtyp pullat e veta, monedha, targat dhe pasaportat, por nuk ka territor. Sot, Urdhri është bërë një organizatë ndërkombëtare humanitare me gati 100.000 mjekë, infermierë dhe vullnetarë në mbarë botën. /b.j/ /gj.m/f.n/