Policia e Tiranës ka zbuluar këtë pasdite një banesë të përshtatur për kultivimin e kanabis në zonën e Ndroqit. Burime nga policia për Report Tv bëjnë me dije se banesa ishte me të gjitha pajisjet dhe infrastukturën e nevojshme për rritjen e lëndës narkotike në ambiente të brendshme. Të njëjtat burime konfirmojnë se janë shoqëruar në komisariat dy punonjës të OSHEE.

Në Vlorë mësohet se janë kontrolluar 300 objekte por nuk janë konstatuar lëndë narkotike. Gjatë kontrollit të sotëm në Vlorë, në sera, garazhe dhe objekte të vjetra, kanë marrë pjesë 80 forca policie dhe 3 grupe të FNSH. Operacioni u shtri edhe në Selenicë e Himarë.

Kryepolici Gledis Nano ka urdhëruar zhvillimin e një plani operacional kundër kultivimit të kanabis sativa i cili është shtrirë në 12 qarqet e vendit dhe ka nisur prej orës 09:00 të së premtes dhe u mbyll në orën 16:00. Në fokus ishin ambientet e mbyllura me risk të lartë të kultivimit të kanabis sativa në fazën e mbjelljes.

Në fokus janë vendet me sisteme të posaçme që përdoren për këtë veprimtari, e që anë në fazën fillestare të mbjelljes së fidanëve, banesa, objekte të mbyllura, sera, depo, magazina, tunele, ish-reparte ushtarake, ish-depo të rezervave shtetërore, shtëpi të braktisura, stane dhe stalla. Pritet të ketë raportim të rezultateve.

Kontrollet e urdhëruara nga kryepolici Nano, vijnë pas rasteve të shumta të zbuluara përgjatë fundit të vitit 2021 dhe fillimit të vitit 2022 të kultivimit të kanabis sativa në ambiente të mbyllura, në ato që tashmë konsiderohen “shtëpi bari”.

Ky operacion i policisë synon të ulë rastet e kultivimit të lëndës narkotike në ambiente të mbyllura. Rastet e konstatuara më herët konsiderohen nga policia se kanë ardhur për shkak të mos-vlerësimit aq sa duhet të problematikës, mos-angazhimit të të gjitha burimeve njerëzore dhe mos-identifikimin siç duhet të objekteve që konsiderohen me rrisk të lartë.

Në ndihmë të forcave të policisë është edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili kryen identifikimin e rasteve të dyshimta të shpenzimit të energjisë elektrike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:24
Aksioni i policisë, zbulohet një 'shtëpi bari' në Ndroq

Policia e Tiranës ka zbuluar një banesë të përshtatur për kultivimin e kanabis në Ndroq. Burime për Report Tv nga policia bëjnë me dije se banesa ishte me të gjitha pajisjet dhe infrastukturën e nevojshme për rritjen e lëndës narkotike në ambiente të brendshme. Akoma mbetet e paqartë nëse ka persona të arreatuar. Aksioni nisi që në orën 09.00 të ditës së sotme në të gjithë vendin, me urdhër të kryepolicit Gledis Nano.

Ora 12:17
Sezoni i kultivimit të kanabisit, policia e Vlorës kontrolle në ambientet e mbyllura për të goditur prodhimin e bimëve narkotike

Policia e Vlorës po zhvillon një kontroll masiv në ambientet e mbyllura për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Burime për Report Tv bëjnë me dije se kontrollet janë fokusuar në objekte të braktisura, sera, magazina në të gjithë territorin e qarkut të Vlorës.

Një ditë më parë, një 62-vjeçar u arrestua një ditë më parë në Gjirokastër, pasi u kap me armë zjarri me pajisje që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, pasi dyshohet se të ndërtonte një ‘shtëpi bari’. Atij ju gjetën 26 përforcues energjie elektrike, 2 filtra që shërbejnë për pastrimin e ajrit, 7 tuba që shërbejnë për ventilimin e ajrit, llamba dhe projektorë që shërbejnë për transferim nxehtësie, 4 ngrohëse me gaz dhe pajisje të tjera elektrike.