Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka ndryshuar çmimet e barnave të rimbursueshme pa njoftim paraprak për farmacitë dhe depot farmaceutike. Ky është pretendimi i Urdhrit të Farmacistëve, sipas të cilit mungesa e komunikimit zyrtar ka pamundësuar marrjen e masave për menaxhimin e stokut ekzistues të barnave të blera më herët me kosto më të lartë. Depot farmacetutike janë të detyruara të mbajnë një stok furnizimi dymujor për një kategori ilaçesh.
Kjo situatë, theksojnë farmacistët, ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta financiare, pasi barnat me çmime të ndryshuara po qarkullojnë dhe po faturohen sipas tarifave të vjetra, duke penalizuar financiarisht farmacitë dhe depot.
Urdhri i Farmacistëve, deklaroi se ka kërkuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor informacion të detajuar mbi procedurën e ndjekur për çmimet e reja dhe ndërmarrjen e masave urgjente për zgjidhjen e ngërçit të krijuar.
Por në një reagim të sajin, ministria e Shëndetësisë ka theksuar se është ndjekur e njëjta praktikë që zbatohet prej vitesh dhe që është e njohur nga subjektet tregtare.
Çmimet e barnave miratohen çdo vit nga një Komision i Posaçëm. Për momentin Fondi ka reflektuar me efekt të menjëhershme uljen e çmimeve për barnat e rimbursueshëm që janë alternativë e vetme. Në total bëhet fjalë për 74 të tilla.
Për barnat e tjerë alternativë, lista e çmimeve pritet të dalë me një vendim qeverie, brenda muajit shkurt.
Deklarata e plotë e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë
Të nderuar kolegë,
Sipas informacionit të raportuar pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, farmacitë dhe depot farmaceutike të kontraktuara nga FSDKSH janë përballur me aplikimin e çmimeve të reja në sistem pa asnjë njoftim apo komunikim paraprak zyrtar nga Fondi.
Ky veprim ka pamundësuar njohjen e çmimeve të reja në kohë, marrjen e masave të nevojshme për pasqyrimin e tyre, si dhe reduktimin e stokut ekzistues të barnave të blera me çmime më të larta.
Kjo situatë ka shkaktuar vështirësi serioze në furnizimin e farmacive, pasi barnat të cilave u është ndryshuar çmimi po faturohen me çmimet e mëparshme, duke sjellë dëme financiare të konsiderueshme dhe bllokim të punës së përditshme.
Theksojmë se kjo gjendje po çon drejt bllokimit të zinxhirit të furnizimit me barna dhe po rrezikon drejtpërdrejt aksesin e pacientëve tek barnat e nevojshme, duke përbërë një rrezik real për shëndetin e tyre.
Në këtë kontekst, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, si institucioni përgjegjës për përfaqësimin e farmacistëve dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, ka kërkuar nga Fondi:
- Informacion zyrtar dhe të detajuar mbi procedurën e ndjekur për ndryshimin dhe aplikimin e çmimeve të reja në sistem.
- Ndërmarrjen e masave urgjente institucionale për zgjidhjen e këtij ngërçi, me qëllim rikthimin e funksionimit normal të shërbimit farmaceutik dhe garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me barna për pacientët.
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë mbetet i gatshëm për bashkëpunim institucional dhe dialog konstruktiv, në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje të menjëhershme dhe të qëndrueshme, në mënyrë që kjo situatë të mos përsëritet në të ardhmen.
Në këtë kuadër, i është kërkuar Fondit të zbatojë detyrimin kontraktual për njoftimin e subjekteve farmaceutike mbi kohën e saktë të hyrjes në fuqi të listës së re të barnave të rimbursueshme, si dhe mbi çdo ndryshim që kjo listë do pësojë. Kjo do të ndihmojë në evitimin e humbjeve nga ndryshimet e stokut dhe do të parandalojë krijimin e mungesave të barnave në treg.
Shëndeti i pacientëve nuk mund të rrezikohet nga mungesa e komunikimit dhe planifikimit. Për këtë arsye, është e domosdoshme të ketë komunikim të qartë, transparencë dhe koordinim të vazhdueshëm mes Fondit dhe subjekteve farmaceutike, në mënyrë që të parandalohen humbjet financiare, si dhe për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të pacientëve me barnat e nevojshme. Shëndeti i tyre është mbi çdo interes tjetër.

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pasi Urdhri i Farmacistëve denoncoi se çmimet për ilaçet e rimbursueshme janë ndryshuar pa njoftuar paraprakisht depot farmaceutike dhe farmacitë. Në një deklaratë për mediat, Ministria thotë se ndryshimi i çmimit është bërë brenda afateve ligjore, duke theksuar se afati i fundit ka qenë dhjetori 2025 dhe më pas lista i është përcjellë zyrtarisht Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH). Ministria thotë se këtë vit ka ulje të çmimit të barnave të rimbursueshme, krahasuar me vitin 2025, duke iu referuar çmimeve me të cilat farmacitë furnizohen me produktin.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se përmes Komisioni të Çmimit të Barnave, çdo vit miraton çmimin e barnave, bazuar në VKM nr. 645, datë 01.10.2014 “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, e ndryshuar.
Sa i takon miratimit të çmimit të barnave për vitin 2026, KÇB ka ndjekur metodologjinë në fuqi.
Pika 3 e VKM-së së sipërcituar parashikon: “Mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri ose përfaqësuesi ligjor i autorizuar prej tij, brenda datës 31 tetor të çdo viti, deklarojnë me shkresë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, në zarf të mbyllur, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, çmimet “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXË” (ex-ëork) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend, kur barnat janë të pajisura me autorizim për tregtim. …..
Në rastet kur bari është në proces për t’u pajisur me autorizim për tregtim ose proces rinovimi të autorizimit për tregtim, mbajtësi i autorizimit për tregtim ose përfaqësuesi i tij ligjor i autorizuar prej tij kanë të drejtë të bëjnë deklarim të çmimit të barit por komisioni miraton çmimin e barit, pasi ai është pajisur me autorizimin për tregtim.”
Pika 12: “Çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë çmimi më i ulët nga elementet e mëposhtme:
a) çmimi që aplikohet ndër pesë shtetet referente (Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci);
b) çmimi i tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës;
c) çmimi i barnave të importuara në Republikën e Shqipërisë, gjatë12 muajve të fundit.
Pika 13: Çmimi i barit gjenerik duhet të jetë deri në 80% të çmimit të barit origjinator, të regjistruar pranëAgjencisë. Nëse bari origjinator nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, atëherë do të merret për bazë çmimi i tij në vendet e referencës dhe të origjinës.
Pika 15: Barnat, për të cilat nuk është deklaruar çmim, brenda datës 31 tetor të vitit aktual, humbasin të drejtën për t’u përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme për vitin pasardhës. Barnat të cilat janë në proces të pajisjes me autorizim ose rinovim autorizimi për tregtim dhe kanë deklaruar çmim brenda datës 31 tetor të vitit aktual, do të lejohen të aplikojnë për t’u përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme, nëse bari pajiset me autorizim për tregtim deri në momentin e fillimit të procedurës së rishikimit të listës së barnave të rimbursueshme nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Në bazë të kuadrit ligjor në fuqi, data 31 dhjetor 2025 ka qenë afati i fundit për miratimin të çmimeve të barnave CIF/EXË 2026, listë e cila i është përcjellë zyrtarisht Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH).
FSDKSH, në bazë të VKM-së nr. 491, datë 24.07.2024 “Për miratimin e listës së barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masës së mbulimit të çmimit të tyre”, i ndryshuar, si hap të parë ka reflektuar me efekt të menjëhershëm uljen e çmimeve për barnat alternativë e vetme të Listës së Barnave të Rimbursueshme (LBR) në fuqi. Kjo praktikë është e ndjekur prej vitesh dhe është e njohur nga subjektet tregtare farmaceutike.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon qytetarët se nuk ka rritje të çmimeve të barnave alternativë e vetme të publikuara, si pjesë e LBR.
Përkundrazi, çmimet e ndryshuara janë krahasimisht më të ulta se në vitin 2025.
Komente










Vazhdimisht ka rritje të ilaçeve dhe është e turpshme,si ka mundësi që shumë barna janë më të lira në Greqi se sa në Shqipëri jo vetëm kaq por dhe cilësia është e pa krahasueshme.
Përgjigju