Ura e Kamarës, Fshati Mirakë
Tiranë, 10 Shkurt /ATSH/.- Specialistët e sektorit të DRKK-së Elbasanit kanë zhvilluar së fundmi një inspektim në Urën e Kamarës, Fshati Mirakë, në kuadër të kartelizimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, proçes ky i cili është shtrirë në të gjithë vendin.
Specialistët e sektorit të Elbasanit theksojnë se themelet e urës duken ende të fortë dhe ura vazhdon tu shërbejë banorëve të zonës.
Ura e Kamarës është një urë mesjetare e ndërtuar rreth viteve 1714 dhe ka pasur disa periudha ndërtimi, dhe gjithashtu gjatë periudhës osmane ka pësuar edhe një rindërtim.
Ura e Kamarës, Fshati Mirakë
Ura e Kamarës ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Librazhdit, në fshatin Mirakë. Kjo urë është asimetrike, me tre qemerë interesante për nga forma dhe lloji i ndërtimit.
Qemeri i madh i urës ka një hapësirë prej 23 metrash dhe qemeri i djathtë është në formë segmenti rrethor. Ndërmjet tyre ka dritare shkarkuese në formë lundre. Ura e Kamarës është e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 3.5m dhe midis tyre ndodhen dritare shkarkuese në formë lundre.
Ura është e vendosur mbi tre qemerë, të ndërtuar me gurë ngjyrë gri në të bardhë si vetë përbërja e malit të Murrashit. Bazamenti për kalimtarët është ndërtuar me një kalldrëm me gurë lumi të rrumbullakët.
/k.m/f.n/