Urime Lulzim, deri në vitin 2023

Urime Lulzim, deri në vitin 2023

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Në zgjedhjet e 25 prillit, nga të gjitha partitë pjesëmarrëse, Partia Demokratike pati rritjen më të madhe të votave  krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017. Ajo mori 165,784 vota më shumë sesa 4 vite më parë. Jo vetëm kaq, por edhe krahasuar me vitin 2013, kur PD-në e udhëhiqte Sali Berisha, pati rritje me 93,894 vota.

Pra, krahasuar me vetveten në dy zgjedhjet të mëparshme, kryetari Lulzim Basha ka arsye të ndjehet mirë me shifrat. Ama në zgjedhjet e 25 prillit LSI-ja dhe partitë e tjera së bashku (përjashtuar PS-në), patën një ulje në total me minus 173,142 vota. Tek kjo sasi votash ka përfituar Partia Demokratike rritjen e saj. Duhet theksuar se Partia Demokratike nuk garoi si parti më vete, por si një bashkim me 13 parti rreth siglës së saj, gjë që padyshim pati ndikim tek rritja e votave, prandaj nuk mund të nxjerrim një shifër të saktë neto se sa vota do të kishte marrë po të dilte e vetme siç doli Partia Socialiste.

Por këto shifra vlejnë sa për statistikë të brendshme partiake, sepse në finale llogaritë bëhen me kundërshtarin kryesor, Partinë Socialiste. Fakti që kjo e fundit arriti të marrë e vetme një mandat të tretë të konsoliduar, rritja e PD-së nuk ka asnjë vlerë sepse qëllimi është ardhja në pushtet, e jo të mundësh vetveten nga zgjedhjet në zgjedhje.

Duke qenë se për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën nuk u arrit objektivi për të marrë mazhorancën qeverisëse, 25 prilli normalisht duhet të konsiderohet si dështim, gjë që duhesh materializuar me dorëheqjen e kryetarit. Nisur nga rritja që pësoi PD-ja, kjo do të ishte një dorëheqje dinjitoze për të, nisur nga fakti që edhe për sa i përket numrit të mandateve Partia Demokratike mori 9 mandate më shumë se në vitin 2013 dhe 16 mandate më shumë se në vitin 2017.

Lulzim Basha refuzoi ta jepte dorëheqjen duke gjetur si alibi shpëtimi justifikimin e “masakrës elektorale.” Ai e ka të pamundur që të heqë dorë nga kjo teori, përndryshe do pranojë që ka dështuar në zgjedhje. Këtë justifikim ai po e përdor edhe për të kompleksuar rivalët e tij në garën për kryetar, ku praktikisht ai që pranon humbjen e zgjedhjeve identifikohet si tradhtar. Kjo vihet re edhe tek komentet që bëjnë demokratët në rrjetet sociale ku i sulmojmë rivalët e Bashës si të “shitur tek Rama”.

Fitoja e Lulzim Bashës më 13 qershor nuk diskutohet, por ajo do të jetë një fitore si e Piros. Lulzim Basha kishte mundësinë që nga rrëzimi në zgjedhjet e 25 prillit, të ringrihej në një kohë të dytë. Është 47 vjeç dhe karrierën politike e ka përpara. Ngutja për të qëndruar me çdo kusht pas karriges së kryetarit kur korr humbje në zgjedhje, e tregon në sytë e opinionit publik si njeri që nuk i respekton vlerat demokratike.

Më së shumti politikani i jep shembujt pozitiv kur është në opozitë, ku nuk ka pushtet. Ky është momenti që ai përçon tek elektorati shpresën se kur të vijë në qeverisje do të jetë një udhëheqës që respekton ligjet me normat e funksionimit në një shoqëri demokratike. Mënyra se si Lulzim Basha po shkon në zgjedhjet partiake të 13 qershorit, dyshimet për manipulimet me listat, fshehja e tyre për kandidatët e tjerë, krijimi i një klime mbytëse me tradhtarë që bashkëpunojnë me “armikun”, shtojnë më tepër arsyen që ai nuk e meritonte pushtetin më 25 prill.

Lufta e brendshme që ka shpërthyer në Partinë Demokratike në prag të zgjedhjeve të 13 qershorit, do të shpërthejë më fuqishëm në pranverën e vitit 2023. Demokratët nuk do presin vitin 2025 për të testuar aftësitë e Lulzim Bashës për të ardhur në pushtet. Prova e parë e madhe që e pret atë janë zgjedhjet vendore të vitit 2023.

Lulzim Basha e ka jetike për të ardhmen e tij politike që t’i fitojë ato. Kur them fitojë, kam parasysh që të marrë më shumë bashki sesa Partia Socialiste, përfshi këtu edhe kryeqytetin. Çdo rezultat tjetër do të ishte vazhdim i dështimeve të mëparshme, gjë që nuk do t’i falej më prej demokratëve.

Do të jetë e pamundur që Partia Demokratike të fitojë në vitin 2023 më shumë bashki se sa Partia Socialiste. Nga një vëzhgim që i bëra bashki më bashki rezultateve të vitit 2021, po t’i përktheja këto në vota për kryetar bashkie, më rezultoi se PD-ja me aleatët fiton 16 bashki nga 61 gjithsej, nga këto 4 qendër qarku nga 12 gjithsej.

Por këto rezultate mbeten thjesht një parashikim, sepse zgjedhjet vendore kanë tjetër veçori dhe nuk përjashtohet mundësia që PD-ja të marrë më pak se numri që thashë më lart. Praktikisht zgjedhjet vendore do të jenë edhe fundi politik i Lulzim Bashës i cili, ose do duhet që të japë dorëheqjen, ose do e çojë partinë në një përçarje të madhe e të pakthyeshme.

Kundërshtarët e Lulzim Bashës në PD nuk duhet që të bëjnë luftë me të për 13 qershorin. Është e kotë që të konsumohen politikisht dhe moralisht në sytë e demokratëve në një betejë që nuk e fitojnë dot. Energjitë duhet t’i ruajnë për vitin 2023, ku Lulzim Basha do korrë dështimin e radhës e bashkë me të, largimin përfundimtar nga drejtimi i Partisë Demokratike.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion