Uroj të mos i trembim

Uroj të mos i trembim
Porti i Durrësit, aeroporti i Rinasit e të gjitha pikat tona kufitare po mbushen plot. Po vijnë turistë dhe bashkëatdhetarët tanë që jetojnë jashtë. Kaloi shpejt edhe ky dimër dhe plot entuziazëm, dëshirë e kuriozitet shumë po vrapojnë të pushojnë në Shqipërinë e bukur.
 
U shkrua shumë këtë vit. Mediat prestigjoze që nga CNN, Al Jazeera, Corriere della Sera, Lonely Planet etj. etj. Shkruajtën pafund për Shqipërinë: E vendosën mes vendeve që vlen të vizitohen këtë vit, treguan plazhet, muzetë, malet, qytetet. Sa bukur, sa mirë.
 
Ja erdhi dhe koha që kush lexoi e pa, vendosi të kalojë pushimet në Shqipëri: Këtu kam frikë, por në të njëjtën kohë shumë besim. Për Portin e Durrësit dhe Rinasin jam e qetë: Aty tashmë dinë të presin me dashuri e të përshpejtojnë praktikat e hyrjes shpejt e shpejt. Edhe Tirana ndriçon. Të gjitha vendet e rirregulluara janë siç janë parë në video e foto, të bukura sa më s’ka.
 
Shqetësimin e kam te mikpritja e strukturave në rrethe: Nga Velipoja në Ksamil. E qetë jam dhe për Korçën e Pogradecin: sa ëmbël, pastër e shijshëm presin këdo nga ato anë.
 
Problematikë për mua mbeten Durrësi (tepër kaotik dhe pa siguri mbrojtëse në bregdet), Velipoja, Vlora plazh, Dhermiu e Borshi, Saranda e Ksamili. Papastërti, ushqime vetëm të ngrira e të shkrira në pasiguri, infrastruktura të papërfunduara. Miq të mi italianë që ishin në Ksamil më folën me superlativa për natyrën, për ujin, por tepër të rezervuar se çfarë ofronte qyteti përtej kësaj. Vlora më në fund ka shëtitoren dinjitoze, por a e kanë ngrohur zemrën dhe mikëpritjen restorantet e zonës? Dhermiu i bukur, por tepër i shtrenjtë për atë që ofron. Edhe këtu prodhimet e zonës mungojnë. Dikush më tregon me të qeshur se në restorante në këtë stinë më kollaj të ofrojnë mollë se shalqi. Kamarierët mund të përgjigjen pa iu dridhur qerpiku se “korriku nuk është muaji i shalqinjve, por i mollës”.
 
Dikush e krahason turizmin në Shqipërinë e sotme, me atë të Puljas apo Salentos 30 vite më parë. Por Krahina e Puljas në gjithë këto vite ka punuar shumë me banorët për t’i mësuar, duke i financuar e trajnuar për një turizëm të thjeshtë e të bukur. Fqinjët përballë ia kanë dalë. Uroj që shpejt të jemi edhe ne në lartësinë e duhur. Uroj që këtë verë të mos largohet askush i pakënaqur nga Shqipëria. Të paktën, të gjithë të tregojmë se dimë të presim mirë, pavarësisht kushteve ende jo perfekte.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve