TIRANE - Një elegji kushtuar gruas, e cila nuk i mbijetoi dot aksidentit, ku u përfshinë të dy në autostradën Tiranë-Durrës, km 12 me 17 dhjetor të vitit 2011. Dashamir Uruçi, ndihet sot i humbur, i pashpresë dhe me dhimbjen që s’gjen shërim. Bashkëshortja e tij Esmeralda Uruçi, ish ministrja e Kulturës, nuk i mbijetoi dot aksidentit. Në gjendje të rëndë për thuajse 3 muaj, Esmeralda mbylli sytë përjetë me 21 mars, duke lënë të shuara të gjithë shpresat e njerëzve të saj të dashur. Në këto ditë vetmie dhe humbjeje, bashkëshorti i saj thur vargjet e një elegjie që do të prekë këdo që do ta lexojë. E botojmë sot në “Shqiptarja.com”, për të ndarë dhimbjen e tij më të gjithë lexuesit tanë.

ELEGJI KUSHTUAR ESMERALDES

Endem si i ngratë
Rrugëve pa u ndalur
Qaj i zhburrëruar
E të kërkoj të falur

S’të mbajta dot në jetë
O bukuroshja ime
Zemra më është çarë
E mbushur me kujtime

Të kam dashur shumë
Sa nuk e shpreh dot
Qaj natë e ditë
E mbytem në lot

Dy rrënjë trëndafili
Tek shtëpi e vjetër
Do më mbajnë gjallë
Deri në botën tjetër

Shkruar nga: Dashamir Uruçi
Tiranë, Prill 2012

(im/shqiptarja.com)