Besimtarët myslimanë në qytetin e Beratit kanë festuar sot Kurban Bajramin, duke mbushur pedonalen “Republika” për faljen e madhe të kësaj feste të shenjtë. Falja nisi në orën 06:20 dhe u drejtua nga Bilbil Talla.
Qindra besimtarë u bashkuan në lutje për më shumë paqe, mirësi, shëndet dhe harmoni në familjet e tyre. Gjatë mesazhit të tij, Myftiu i Beratit theksoi se Kurban Bajrami është dita e sakrificës, sinqeritetit dhe solidaritetit njerëzor, duke apeluar për më shumë kujdes ndaj jetimëve dhe njerëzve në nevojë, si edhe për respekt e dashuri mes njëri-tjetrit.
Sipas traditës islame, pas riteve të faljes vijon prerja e kurbanit, dreka tradicionale familjare dhe vizitat tek të afërmit, miqtë dhe shokët. Besimtarët myslimanë kanë si obligim që mishin e kurbanit ta ndajnë në tre pjesë: për familjen, për të afërmit dhe për familjet në nevojë.
Kjo ditë simbolizon sakrificën e profetit Ibrahim, besimin ndaj Zotit dhe dashurinë për njeriun. Pas faljes së madhe, besimtarët përcollën edhe urimet tradicionale për paqe, begati dhe mirësi në çdo familje.
Lajmi kryesor:
Sot Kurban Bajrami/ Mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’! Kreu i KMSH: Dita e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit










