TIRANE- Agjencia amerikane për zhvillim USAID deklaron mbylljen e zyrave të saj në Rusi si një përgjigje ndaj kërkesës së bërë nga autoritetet vendase për mbylljen e misionit. Qeveria ruse i dha afat Shteteve të Bashkuara të mbyllin misionin deri në datën 1 tetor. USAID ka punuar në Rusi për dy dekada duke shpenzuar afro 3 miliard dollarë në ndihma dhe programe për promovimin e demokracisë. BBC shkruan se antipatia e qeverisë për programet që promovojnë dhe mbështesin grupet që kërkojnë demokraci mund të jetë arsyeja e kësaj lëvizjeje.

Autoritetet në Rusi kanë qenë vazhdimisht të shqetësuara për organizatat jo qeveritare që besohet se përdorin fondet e huaja për veprimtarinë e tyre. Më herët, Presidenti Vladimir Putin deklaroi se protestat pas rizgjedhjes së tij ishin orkestruar nga organizatat joqeveritare të financuara nga Shtetet e Bashkuara.
(sg/shqiptarja.com)