Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit mirëpriti këtë të shtunë oficerët e saj më të rinj ndërlidhës, Major Gentrit Idrizi dhe Major Labinot Lala, nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Lajmi u bë i ditur përmes faqes zyrtare të organizatës ‘Bordi i Paqes’ në platformën X.

“Kosova po dërgon më të mirën e saj për të lehtësuar rrjedhën e informacionit kritik midis ISF-së dhe kombit të saj. Integrimi i tyre në stafin e ISF-së ndërton koalicionin tonë ndërkombëtar të personelit, duke avancuar përpjekjet e sigurisë dhe stabilizimit për Bordin e Paqes”, thuhet në postim, krah fotove të publikuar të oficerëve.

Çfarë është Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit (ISF)?

ISF-ja parashikohet si një forcë ndërkombëtare shumëkombëshe që do të vendoset në Gaza për të:

Trajnuar policinë palestineze.

Siguruar kufijtë dhe mbrojtur civilët.

Mbështetur operacionet humanitare dhe korridoret e ndihmës.

Ndihmuar në demilitarizimin e Gazës dhe detyra të tjera të nevojshme sipas Planit të Përgjithshëm të Trump.

Në praktikë, kjo forcë do të marrë përsipër shumë nga përgjegjësitë e sigurisë që Hamasi ka menaxhuar gjatë 19 viteve të fundit. Që nga viti 2006, Hamasi ka qeverisur Rripin e Gazës dhe ka menaxhuar shërbimet sociale dhe sigurimin e brendshëm.