Ushtria e Serbisë mohon se planifikoi aneksimin e veriut të Kosovës

Ushtria e Serbisë mohon se planifikoi aneksimin e veriut të Kosovës

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, i mohoi akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, se përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës.

"Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra", tha Mojsilloviç në një konferencë për gazetarët në Beograd.

"I mohoj të gjitha akuzat e bëra nga Prishtina", theksoi ai.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se Serbia ka planifikuar aneksimin e veriut të Kosovës, përmes sulmit në Banjskë.

Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur në këtë fshat të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Sveçla tha se Kosova ka dëshmi se grupet e armatosura janë përgatitur dhe stërvitur në bazën stërvitore ushtarake afër Jagodinës në Serbi, si dhe në Kopaonik.

U publikuan po ashtu fotografi dhe video, që, sipas policisë së Kosovës, janë incizuar nga dronët dhe janë sekuestruar nga grupi i armatosur në Banjskë.

Serbia i mohon akuzat e Kosovës se është e përfshirë në këtë sulm, të cilin autoritetet kosovare e cilësuan si akt terrorist.

Përgjegjësinë për të e mori Milan Radoiçiç, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

"Radoiçiç nuk ishte në bazën 'Pasulanske Livade'" tha ai.

Mojsilloviç e mohoi se Radoiçiç ka marrë pjesë në stërvitje në bazën "Pasulanske Livade", në Serbinë qendrore.

"... dhe as nuk ka qenë i pranishëm në stërvitje", tha ai.

"Në disa raste ai është ftuar në stërvitje, por nuk është përgjigjur. E, çfarë bën Radoiçiq në pronën private, nuk është çështje e ushtrisë serbe", shtoi Mojsilloviç.

Ai tha se që nga viti 2021, "persona nga Kosova dhe Metohia" janë ftuar në stërvitje të rregullta të rezervistëve të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territor të sajin, edhe pse vendi është i pavarur nga viti 2008.

Mojsilloviç tha se ushtria se "një numër shumë i vogël - rreth 19 për qind - i rezervistëve nga Kosova u përgjigjet thirrjeve për stërvitje ushtarake".

"Në 'Pasulanske Livade' ka pasur stërvitje me njësi të ndryshme rezervistësh nga vise të ndryshme të Serbisë dhe ka pasur njerëz edhe nga 'Kosova dhe Metohia'", shtoi gjenerali i Ushtrisë serbe.

"Shqetësim i panevojshëm" për dislokimin e ushtrisë

Mojsilloviç tha se deklaratat e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Prishtinës zyrtare që shprehin shqetësim për praninë e shtuar të ushtrisë dhe armatimit serb rreth kufirit me Kosovën, janë "të panevojshme".

"Dua t'ju informoj se nuk ka pasur ngritje të gatishmërisë së plotë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë, por vetëm prani dhe angazhim të shtuar të njësive", tha ai.

Shtoi se "pas shpërthimit të krizës së sigurisë", më 24 shtator, Ushtria serbe e rriti praninë e saj në "zonën e sigurisë tokësore dhe në perimetrin rreth vijës administrative", ku më 25 shtator "ishin 8.350 pjesëtarë të ushtrisë".

Sot në këtë linjë, tha Mojsilloviç, janë "më shumë se dyfish më pak ushtarë".

Në konferencën për media ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç.

Ai tha se kundër Forcave të Armatosura të Serbisë po zhvillohet "një fushatë e vazhdueshme" sa i përket "numrave dhe aktiviteteve të saj, përkatësisht lëvizjes dhe dislokimit të njësive në territorin e vendit tonë".

"Të njëjtat i konsiderojmë si krejtësisht të papërshtatshme, të papërgjegjshme dhe i refuzojmë si të pasakta - pra absolutisht të pavërteta", tha Vuçeviç.

Më 29 shtator, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë që t'i tërheqë trupat e saj nga kufiri me Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si "një zhvillim shumë destabilizues".

BE-ja ia dërgoi të njëjtën thirrje Serbisë një ditë më vonë, përmes shefit të diplomacisë, Josep Borrell. /REL/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Hasanaj: Në Shqipëri nuk do ketë më non-grata, pasi po vepron drejtësia! Qefalia: Të vijë Trump këtu dhe t'i japë dorë një partie, non-sens! Krijon hilaritet

Hasanaj: Në Shqipëri nuk do ketë më non-grata, pasi po vepron drejtësia! Qefalia: Të vijë Trump këtu dhe t'i japë dorë një partie, non-sens! Krijon hilaritet