Pak pas mesnate, një grup anijesh të shpejta rrethuan anijen Madleen. Një orë më vonë, një tufë dronësh hodhën mbi kuvertë një substancë djegëse që shkakton djegie në sy dhe vështirësi në frymëmarrje. Nga radioja dëgjoheshin zhurma të forta, të ndërprera nga mesazhe kërcënuese që urdhëronin ndryshimin e kursit, ndërsa telefonat filluan të bllokoheshin dhe komunikimi u ndërpre. Filloi kështu ndërhyrja e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF). “Komunikimet me Madleen janë ndërprerë. Ushtria izraelite ka sekuestruar anijen,” ishte njoftimi alarmues që organizata joqeveritare shpërndau menjëherë në Telegram dhe rrjetet sociale.
“Ekuipazhi është rrëmbyer nga forcat izraelite,” u shtua më pas.
Rreth orës 2:30 të mëngjesit të së dielës, IDF ndërhyri dhe hipi në bordin e anijes humanitare të Flotiljes së Lirisë, e cila transportonte ndihma humanitare dhe shoqërohej nga 11 vullnetarë, mes tyre edhe Greta Thunberg dhe eurodeputetja franko-palestineze Rima Hassan. Anija kishte për qëllim të thyenin bllokadën ndaj Gazës. Ushtarët morën kontrollin e saj dhe e devijuan drejt portit izraelit të Ashdodit, ku mbërriti rreth orës 10:00. Deri tani, nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me aktivistët.
“Mund të mbahen 72 orë dhe më pas të dëbohen”
Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, që ndjek misionin nga toka, njoftoi se po punon për të mësuar vendndodhjen e vullnetarëve të kapur në Madleen. Zyra izraelite e imigracionit ka mohuar që ata të jenë në kujdesin e saj. “Që prej mëngjesit, kemi kontaktuar disa herë autoritetet izraelite, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha Simone Zambrin nga dega italiane e Flotiljes. Sipas tij, skenari më i mundshëm është që aktivistët të mbahen për 72 orë dhe më pas të dëbohen drejt vendeve të tyre të origjinës, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera të ngjashme. Kjo nuk vlen për palestinezët si Rima Hassan, e cila ka edhe shtetësi franceze dhe ndaj së cilës mund të ngrihen akuza më të rënda, pasi ka marrë tashmë një ndalim hyrjeje në Izrael për 10 vjet.
Katz: “T’u tregohen videot e 7 tetorit”
Sipas profilit zyrtar të qeverisë izraelite në rrjetet sociale, është publikuar një video ku aktivistët e Madleen shfaqen të grumbulluar me jelekë shpëtimi, të tensionuar, ndërsa marrin ujë dhe ushqim nga një ushtar i IDF. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, bëri të ditur se ka urdhëruar ushtrinë t’ua tregojë të ndaluarve një video mbi sulmin e 7 tetorit 2023. “Është e drejtë që Greta, kjo antisemite, dhe miqtë e saj mbështetës të Hamasit, të shohin saktësisht se kush është ky grup terrorist që mbështesin dhe për të cilin veprojnë – çfarë aktesh të tmerrshme kanë kryer ndaj grave, të moshuarve dhe fëmijëve – dhe ndaj kujt po lufton Izraeli për t’u mbrojtur,” tha Katz.
Pamjet e sulmit dhe dëshmitë nga bordi
Komunikimi i fundit i lirë nga ekuipazhi ndodhi gjatë momenteve dramatike që paraprinë sulmin. “Na kanë hedhur kimikate mbi trup, shikoni. Kjo është një tjetër krim lufte. Ndalimi i një anijeje humanitare është krim lufte,” tha në një transmetim të drejtpërdrejtë në Telegram deputetja Rima Hassan, para se linja të binte. Pamjet nga kuverta tregojnë qartë tensionin dhe përpjekjet për të gjetur strehë në një anije të vogël si Madleen, e ndërtuar si varkë zbavitëse. “Greta, largohu prej andej,” dëgjohet në një video. “Nuk janë paqësorë, nuk janë paqësorë,” bërtet Hassan.
Operacioni ushtarak filloi rreth mesnatës e gjysmë, kur Madleen ndodhej ende në ujërat ndërkombëtare, rreth 50 milje nga Port Said në Egjipt dhe 100 milje nga Gaza. Aktivistët njoftuan në rrjetet sociale: “Ka rënë alarmi. Vendosni jelekët e shpëtimit. Po përgatitemi për interceptim.” Më pas, Thiago Avila, një nga vullnetarët, shpjegoi se ishte një alarm i rremë – ose më saktë, paralajmërimi i një sulmi të afërt. “Papritur, u rrethuam nga të paktën pesë anije me dritat ndezur. Të gjitha mbërritën njëkohësisht, ndoshta varka të shpejta izraelite. Na rrethuan për pak dhe u larguan,” tregoi ai përpara se të mbërrinin dronët. “Nuk e dimë nëse vijnë për të na vrarë, për të na arrestuar apo për të na rrëmbyer,” shtoi ai. Përgjigjja erdhi shpejt: dronët lëshuan shkuma djegëse mbi kuvertë dhe më pas filloi sulmi i vërtetë.
Përtej “vijës së kontaktit”
Pamjet e regjistruara janë të turbullta, zërat – të shqetësuar. Ministria e Jashtme izraelite publikoi një video ku një ushtar komunikon me anijen: “Përdorëm sistemin ndërkombëtar të komunikimit civil për të urdhëruar ‘jahtin e selfieve’ të ndryshojë kurs, pasi po i afrohej një zone të ndaluar.” Megjithatë, Madleen ndodhej ende në ujëra ndërkombëtare kur ndodhi sulmi, por ishte pranë “vijës së kontaktit” të njëanshme, që Izraeli vendosi vite më parë si pjesë e bllokadës detare ndaj Gazës.
Kërcënimet e Katz dhe thirrjet nga bordi
Aktivistët e dinin që kjo mund të ndodhte. Madje, ishin të bindur. Pas raportimeve në media, vetë ministri Katz e konfirmoi zyrtarisht të dielën: “Kthehuni mbrapa, nuk do të arrini në Gaza,” tha ai, duke e quajtur Gretën “antisemite” dhe shokët e saj “jahti i selfieve”. “U kam dhënë urdhër forcave të ndalojnë anijen dhe të parandalojnë thyerjen e bllokadës detare.” Problemet teknike në komunikim kishin filluar që një ditë më parë. “Kur të na ndalojnë, nuk do mund të tregojmë çfarë po ndodh, sepse do të bllokojnë të gjitha sistemet e komunikimit”, paralajmëroi me një video eurodeputetja Hassan, duke i bërë apel presidentit Macron dhe homologut britanik Keir Starmer që të ndërhyjnë.
“Qeveri të botës, ndërhyni!”
“Veprimi ynë është ligjor, politik dhe thellësisht paqësor. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka kërkuar që të na garantohet një kalim i sigurt, pasi populli i Gazës ka të drejtë të marrë ndihma dhe këto janë ujëra territoriale palestineze – Izraeli nuk ka të drejtë të na ndalojë apo të na arrestojë,” thuhej në mesazhet nga bordi. Presidentit francez iu kërkua të përdorë të gjithë presionin diplomatik të nevojshëm për të garantuar hyrjen e sigurt në Gaza. Edhe qeverisë britanike, pasi Madleen mban flamurin britanik – që do të thotë se është detyrë ligjore e Londrës të mbrojë anijen dhe qytetarët e saj në bord. “Detyra është e të gjitha shteteve. Të ndalojnë Izraelin. Nuk ka të drejtë të pengojë misionin tonë ose të forcojë më tej bllokadën detare të paligjshme,” ishte apeli i fundit – i injoruar.
Sipas një njoftimi të shkurtër të ministrisë izraelite të Jashtme gjatë natës, të gjithë pasagjerët e Madleen “do të kthehen në vendet e tyre”. Por për kohën e kthimit, askush nuk jep hollësi.
Në rrjetet sociale të organizatës janë publikuar vetëm mesazhe nga ekipi ligjor, si dhe deklaratat e parapërgatitura të aktivistëve që, që para nisjes, ishin të vetëdijshëm për rrezikun: “Vullnetarët e Madleen janë rrëmbyer nga forcat izraelite të sigurisë. Janë qytetarë të huaj nga vende të ndryshme. Kërkojmë presion nga ministritë e Jashtme për të garantuar sigurinë e tyre.”
Macron: “Lironi menjëherë aktivistët francezë”
Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që të mundësohet, “sa më shpejt që të jetë e mundur”, kthimi në Francë i gjashtë qytetarëve francezë që ndodheshin në bordin e anijes humanitare të ndaluar nga Izraeli. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Spanjës ka thirrur të ngarkuarin me punë të ambasadës izraelite në Madrid për të protestuar lidhur me sekuestrimin e anijes, në të cilën ndodhej edhe aktivisti spanjoll Sergio Toribio. Një dënim i ashpër ka ardhur edhe nga Turqia, e cila e ka cilësuar ndërhyrjen si “shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare”.
Komente








