Ushtria izraelite urdhëron evakuimin e disa pjesëve të Rafahut në prag të sulmit tokësor

Ushtria izraelite urdhëron evakuimin e disa pjesëve të Rafahut në prag të sulmit tokësor

Rafah

Ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e dhjetëra mijëra personave në qytetin e Rafahut, tregues se Izraeli është në prag të një sulmi tokësor, të paralajmëruar prej kohësh në këtë pjesë të Rripit të Gazës. Ndërmjetësit ndërkombëtarë thonë se urdhri për evakuim po ndërlikon përpjekjet e tyre për të arritur një armëpushim, në të cilat është përfshirë edhe agjencia amerikane e zbulimit, CIA.

Izraeli pretendon se Rafahu është streha e fundit e Hamasit dhe se sulmi në këtë qytet është i domosdoshëm për t’i dhënë goditjen e fundit grupit militant, përgjegjës për sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit.

Disa orë pasi ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e 100,000 vetëve në drejtim të një zone humanitare në jug të Rripit të Gazës, tymi nga shpërthimet e shkaktuara nga sulmet ajrore të Izraelit u ngrit mbi qytetin e Rafahut.

Ushtria izraelite urdhëroi evakuimin përmes fletëpalosjeve të hedhura nga ajri, mesazheve telefonike dhe radios dhe njoftoi se ka shtuar ndihmën humanitare në kamp. Sipas Izraelit, mijëra pjesëtarë të Hamasit janë në këtë pjesë të enklavës, si edhe dhjetëra pengje izraelite të rrëmbyera nga Hamasi më 7 tetor.

“Ushtria izraelite po përgatitet për përdorim force ndaj organizatave terroriste në zonën ku jetoni. Kushdo që gjendet në këtë zonë do të rrezikojë veten dhe anëtarët e familjes,” thuhet në urdhrin e ushtrisë për evakuim.

Palestinezët, që janë larguar nga zonat e tjera të luftës në Rripin e Gazës, filluan të lëviznin në drejtim të një zone ku strehohen në kushte të vështira në tenda shumë të zhvendosur nga luftimet në pjesët tjera të Gazës.

“Vetëm tek Zoti mund të mbështetemi për ndihmë. Nuk kemi strehë, ushqim e ujë. Ushtria izraelite dhe bashkësia ndërkombëtare na kanë premtuar se Rafahu do të mbrohet dhe kjo është arsyeja përse erdhëm këtu, por fatkeqësisht na njoftuan se duhet të evakuohemi apo të përballemi me diçka që askush nuk e dëshiron,” thotë i zhvendosuri Manhal Tartouri në Rafah.

Plani izraelit për të goditur Rafahun ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar për shkak të pasojave e mundshme tek më shumë se një milion palestinezët, shumica të zhvendosur nga pjesët tjera të Gazës, që po strehohen në këtë qytet.

Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Izraelit, vazhdimisht kanë nxitur Izraelin të mos sulmojë në Rafah, duke thënë se nuk ka një plan të qëndrueshëm për të mbrojtur civilët.

Sipas zyrtarëve izraelitë, Izraeli po përgatit “një operacion të kufizuar”, duke mos ofruar detaje nëse ky është fillimi i një sulmi më të gjerë në qytetin jugor të Gazës.

Gjatë natës, Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, i tha Sekretarit amerikan të mbrojtjes, Lloyd Austin se Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të veprojë në Rafah. Komentet e tij vijnë pas sulmit të Hamasit me raketa nga Rafahu të dielën, që vrau katër ushtarë izraelitë.

Paralajmërimet për sulmin në Rafah bëhen ndërkohë që ndërmjetësit ndërkombëtarë po bëjnë përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Por Hamasi dhe Katari, njëri nga ndërmjetësit kryesorë, paralajmëruan se sulmi në Rafah mund të zmbrapsë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu fajësoi Hamasin se po minon marrëveshjen duke mos hequr dorë nga “kërkesat ekstreme.” Gjatë shënimit të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, ai akuzoi edhe bashkësinë ndërkombëtare për trysninë mbi Izraelin për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

“Para 80 vitesh, në Holokaust, hebrenjtë ishin plotësisht të pambrojtur ndaj atyre që përpiqeshin të na shkatërronin. Asnjë vend nuk na erdhi në ndihmë. Sot, ne sërish përballemi me armiq që janë të vendosur të na shkatërrojnë. U them udhëheqësve të botës – asnjë lloj trysnie, asnjë vendim i një trupi ndërkombëtar, nuk mund ta ndalojë Izraelin për ta mbrojtur veten. Si kryeministër i Izraelit, betohem këtu sot nga Jeruzalemi, në këtë ditë, se nëse Izraeli detyrohet të qëndrojë vetëm, Izraeli do të qëndrojë vetëm,” deklaroi zoti Netanyahu.

Grupi militant Hamas, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, tha të hënën se operacioni në Rafah nuk do të jetë i lehtë për forcat izraelite dhe se pjesëtarët e tij do të mbrojnë palestinezët.

Lufta e Izraelit në Gazë, e nxitur nga sulmi i Hamasit me 7 tetor që la 1,200 të vdekur dhe gjatë të cilit u morën rreth 250 pengje, ka shkaktuar vdekjen e 34,000 palestinezëve, dy të tretat e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi. Konflikti ka zhvendosur rreth 80 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës dhe e ka shndërruar këtë territor në gërmadha./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë