Të paktën 58 persona janë vrarë që nga agimi nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, 25 prej të cilëve në qytetin e Gazës. Në këtë zonë, ushtria izraelite ka nisur kohët e fundit një operacion të ri për pushtim, me qëllim, sipas tyre, eliminimin e të gjithë terroristëve të Hamasit.

Mediat izraelite dhe ato amerikane raportojnë për një plan prej 21 pikash nga SHBA për fundin e luftës në Gaza. Ky plan, i cili përfshin lirimin e menjëhershëm të pengjeve izraelite, raportohet se është pranuar në parim nga Hamasi.  Katari duket se është përfshirë në përpjekjet për të bindur Hamasin që të pranojë kornizën e marrëveshjes, dhe Trump shpreson ta finalizojë atë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu kur të takohen të hënën. 

Si pjesë e marrëveshjes për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë dhe do të tërheqë gradualisht forcat e tij nga Rripi i Gazës.

Një ditë më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahi mbajti një fjalim në Asamblenë  e Përgjithshme të OKB-së, duke e quajtur njohjen e Palestinës si një turp. Ai tha se ky vendim ishte një “vetëvrasje kombëtare” për Izraelin dhe “një çmenduri që nuk do ta bëjnë”. Por gjatë fjalës së tij, një pjesë e madhe e liderëve u larguan nga salla, në shenjë proteste për atë që po ndodh në enklavën palestineze.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:05
Ushtria izraelite: Mbi 750 mijë palestinezë janë larguar nga Qyteti i Gazës

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), deri tani më shumë se 750.000 palestinezë kanë evakuuar qytetin e Gazës, duke u zhvendosur drejt jugut të Rripit. Lajmi raportohet nga Times of Israel. “Qyteti i Gazës po zbrazet sepse banorët e tij po kuptojnë se operacioni ushtarak po intensifikohet dhe se zhvendosja drejt jugut është për sigurinë e tyre,” deklaroi koloneli Avichay Adraee, zëdhënës në gjuhën arabe i IDF-së. “Ju bëjmë thirrje të zhvendoseni sa më shpejt në zonën humanitare të al-Mawasi dhe t’i bashkoheni mbi 750.000 banorëve të qytetit që janë larguar gjatë ditëve dhe javëve të fundit për të shpëtuar jetën,” shtoi ai. Vlerësohet se rreth një milion palestinezë banonin në Qytetin e Gazës përpara se ushtria izraelite të niste ofensivën e madhe ushtarake.

 

Ora 11:45
Hamasi pranon propozimin e Donald Trump për fundin e luftës

Hamas ka pranuar në parim planin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza, i cili parashikon lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve izraelite. Kështu raportojnë burime të informuara për këtë çështje për gazetën Haaretz. Duket se Katari ka qenë i përfshirë në përpjekjet për të bindur Hamasin që të pranojë strukturën e marrëveshjes, dhe Trump shpreson ta finalizojë atë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, kur të takohen të hënën. 

Ndër 21 pikat e planit Trump për Gazën është edhe tërheqja graduale e trupave izraelite nga Rripi, e cila do të paraprihej nga lirimi i të gjitha pengjeve, tw gjallw ose jo, brenda 48 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes. Kështu raporton CNN, duke cituar burime të informuara. Plani përfshin gjithashtu lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë, përfshirë mbi 100 që vuajnë dënime të përjetshme.

Ora 09:38
Trump: Po zhvillojmë diskutime produktive për Gazën, ka vullnet të mirë për arritjen e një marrëveshjeje

1758527080_donaldtrump.webp

Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur entuziast, teksa ka shkruar në Truth Social se po zhvillojnë diskutime stimuluese dhe produktive. Sipas tij, prej ditësh po punohet për një marrëveshje.

"Po zhvillojmë diskutime shumë stimuluese dhe produktive me komunitetin e Lindjes së Mesme në lidhje me Gazën. Negociatat intensive kanë filluar për katër ditë dhe do të vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur një marrëveshje të suksesshme", shkroi Donald Trump në Truth.

Kreu i SHBA shton se të përfshira në negociata janë të gjitha vendet e rajonit të Lindjes së Mesme.

"Të gjitha vendet në rajon janë të përfshira, Hamasi është në dijeni të këtyre diskutimeve dhe Izraeli është informuar në të gjitha nivelet, përfshirë Netanyahun. Ka më shumë vullnet të mirë dhe entuziazëm për arritjen e një marrëveshjeje, pas kaq shumë dekadash, sesa kam parë ndonjëherë më parë. Ne duhet të lirojmë pengjet dhe të arrijmë paqe të përhershme dhe të qëndrueshme!", shton ai.

Postimi i Donald Trump