TIRANE - Situata e zjarreve në vend, e cila raportohet e rënduar në shumë pyje të vendit, ka bërë që Shtabi i Përgjithshëm i FA-së dhe të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura të shpallin gatishmëri të plotë në përballimin e situatës të zjarreve.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi, urdhëroi sot ngritjen e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së për menaxhimin në vijimësi të situatës emergjente të krijuar.

Një situatë e vështirë paraqitet në Qafë Priskë dhe në Malin e Dajtit, ku janë angazhuar 164 forca, 7 mjete dhe një autoambulancë. Nesër, në orën 6.00 të mëngjesit për përballimin e situatës së krijuar në Malin e Dajtit dhe në Qafë Priskë do të angazhohen edhe 600 trupa të tjera, një helikopter, disa mjete të tjera transporti dhe autoambulanca të Forcave të Armatosura.

Ndërkaq, Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se në vend ka 29 vatra zjarri dhe situata mbetet problematike në malin e Dajtit, në Parkun e Lurës, si dhe në disa zona në verilindje të vendit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)