UZBEKISTAN – Karimov rizgjidhet president me mbi 90 për qind të votave

Presidenti në detyrë i Uzbekistanit, Islam Karimov, u rizgjodh sot për një mandat të ri pesëvjeçar me më shumë se 90 për qind të votave, pas një votimi pa kundërshtarë të vërtetë, thanë vëzhguesit ndërkombëtarë.
"Të paktën 17,2 milion persona, pra rreth 90,39 për qind e zgjedhësve, i dhanë votën Islam Karimovit", tha Mirza-Oulougbek Abdoussalomo, drejtues i Komisionit Qëndror Zgjedhor të ish-Republikës Sovjetike të Azisë Qëndrore, i cili deklaroi një pjesëmarrje të lartë prej 91 për qind të popullsisë.
Tre kundërshtarët e 77-vjeçarit Karimov, i cili drejton Uzbekistanin me një dorë të hekurt prej më shumë se çerek shekulli, vinin të gjithë nga partitë politike që mbështesnin zyrtarisht presidentin në detyrë, duke bërë thirrje për rizgjedhjen e tij.
"Pavarësisht limitit të qartë prej dy mandatesh të njëpasnjëshëm të parashikuar në kushtetutë, Komisioni Qëndror Zgjedhor e regjistroi përsëri presidentin në detyrë si kandidat", tha Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) në një komunikatë.
"Bëhet fjalë për shkelje të parimit të sundimit të ligjit dhe kjo ngre dyshime përsa i përket pavarësisë të Komisionit", shtohet në të.
"Presidenti në detyrë mbizotëroi peizazhin politik pa kundërshtarë të vërtetë", denoncon organizata./atsh/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian