Juventus, skuadra kampione e Seria A ka siguruar kualifikimin në raundin me eliminim direkt të Champions League. Në xhiron e katërt të fazës së grupeve bardhezinjtë kanë mposhtur në Torino 2-1 Ferencvaros, ekipin ku luan Myrto Uzuni. Futbollisti i kombëtares gjithsesi e shkroi historinë e tij në këtë sfidë, duke realizuar golin e parë të ndeshjes dhe për më tepër festoi si Cristiano Ronaldo, i cili më pas ishte autori i golit të barazimit. Ai që vendosi ndeshjen ishte Morata në minutat shtesë falë edhe gabimit të portierit mik.
Së bashku me Juventusin, si ekip i parë i grupit G, është kualifikuar edhe Barcelona që mbrëmë mposhti 0-4 Dinamo Kiev. Golat për katalanasit në këtë ndeshje ku mungoi Leo Messi, i realizoi Dest, Braithëaite ‘dopietë’ dhe Griezman.
Ndërkohë edhe dy skuadra në grupin e E, Chelsea dhe Sevillia kanë prerë një biletë për në fazën tjetër dy ndeshje para se të mbyllen grupet. Skuadra londineze e Lampard mposhti 1-2 francezët e Rennes, ndërsa po me të njëjtin rezultat ia doli edhe Sevillia në transfertën ruse të Krasnodar. Pas katër ndeshjesh Chelsea dhe Sevillia kanë nga 10 pikë, ndërsa Krasnodar dhe Rennes janë me një pikë.
Sakaq në grupin F Dortmund dhe Lazio e Strakoshës kanë hedhur një hap të sigurtë drejt turit tjetër. Skuadra gjermane e Dortmund kaloi lehtë 3-0 Club Brugge, falë ‘dopietës’ së Haland dhe një goli magjik të Jadon Sancho-s.
Ndërkohë Lazio, e cila në këtë ndeshje e kishte si zëvendësues Thomas Strakoshën, fitoi 3-1 kundër Zenit. Në Olimpico fillimisht zhbllokoi Immobile me një goditje fantastike nga distance, ndërsa më pas ishte sërish sulmuesi që dyfishoi me penallti. Pas golit të miqve Parolo vulosi gjithçka me një gol nga distance, që ‘vrau’ përfundimisht shpresat e rusëve.
Sakaq edhe Manchester United ka hedhur një hap sigurie në grupin H teksa në Old Traford ka mposhtur 4-1 Basaksehir, ekipin turk që para dy javësh i mposhti anglezët në Stamboll. Ndërkohë në vendin e dytë është ngjitur edhe Paris SG, që kundër Leipzig i mjaftoi goli i Neymar me penallti.