Vaçe Zela, kur ishte
përgjegjëse muzike në Lushnjë

Vaçe Zela, kur ishte<br />përgjegjëse muzike në Lushnjë
TIRANE- Lushnja është ndër qytetet që ka pasur një jetë artistike shumë të pasur në sistemin komunist. Prej jetës artistike të këtij qyteti kanë dalë aktorë, shkrimtarë, poetë, piktorë të mëdhenj, si Vaçe Zela, Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, Vath Koreshi, Faslli Haliti, Halil Jaçellari, Visar Zhiti...etj. Në një intervistë me ish-regjisorin e shtëpisë së Kulturës së Lushnjës, Tahsim Xh.Demiraj, mësojmë sesi ka qenë zhvilluar jeta artistike e Pallatit të Kulturës që sot mban emrin e artistes së madhe Vaçe Zela. Regjisori rrëfen sesi i ka njohur këta artistë, që nga koha kur nisën të drejtonin jetën artistike të qytetit tw Lushnjës e derisa u bënë të famshëm në të gjithë Shqipërinë.
          
Zoti Tahsim, si filloi jeta juaj artistike, cilët ishin pedagogët dhe si u vendosët në Lushnjë?
-Mbarova Liceun Artistik Jordan «Misja» për artet pamore, figurative dhe shkollën e lartë për dramaturgji, regjisor, pasi aty e pashë veten time. Ishin vitet 1957 - 1961. Një ndër ta, ai që më ndoqi dhe më ndihmoi më shumë ishte i famshmi Mihallaq Luarasi. Një profesor mjaft i përgatitur, i ardhur nga studimet e kryera jashtë shtetit. Në fillim më emëruan në Durrës, por kërkova të largohesha prej aty pasi nuk më aktivizonin. Ahere Ministër i Kulturës ishte Manush Myftiu të cilit i kërkova transferimin tim.

Ai në fillim më tha për në Gjirokastër. Dakord i thashë dhe rrija në pritje të transferimit. Për fat të mirë, transferimi më erdhi për në Lushnjë. Aty gjeta Vaçe Zelën që do të bëhej mbretëresha e këngës shqiptare. Ajo ishte Shefe e muzikës në Shtëpinë e Kulturës, kurse unë u emërova regjisor. Me Vaçen njiheshim kishim qenë bashkë në Liceun Artistik, ajo për muzikë, unë për aktrim e regjisor. Të në ishim konviktor. Në Lushnjë gjeta Faslli Halitin, me të cilin njihesha që në Lice me të dhe që do të bëhej shoku dhe miku im jetëgjatë, që nga 1957 e deri sot që po ju jap juve këtë intervistë e ku ai është i pranishëm. Faslliu ishte mësues vizatimi, pasi për pikturë e kishte mbaruar Liceun.
 
Si ishte gjendja në Lushnjë?
-Ishte një qytet me zhvillim të admirueshëm civil qytetar, por që ende s’i gëlltiste hapat avangardiste, sepse ende kishin nëpërkëmbë zakonet frenuese që vinin nga jeta provinciale. Unë mbaja flokë të gjatë. Të ndarë me vizë në mes  që binin anash si të ishin shtëllunga. Mjedisi i pamësuar me modën e metropolit, nuk e honepste aparencën time, por më respektonte, tregohej i duruar. Më vështirë e kisha me partiakët, shtetarët e me ndonjë fanatikë të tipit ortodoksisë komuniste, si dhe nga disa zyrtarë burokratë të cilët më krijonin vështirësi nga që e gjenin veten si personazhe të neveritshëm burokratë që përherë e më shumë popullonin skenën e estradës.

Por me shokët, miqtë pasionantë për kulturën, modën e re, që unë gjeta në të, për mua Lushnja u bë qyteti dhe mjedisi më komodë, për të punuar e për të ndikuar në iluminizmin dhe emancipimin e këtij qyteti përmes artit, sepse njerëzit ishin  të uritur për art, kulturë e qytetërim. Nuk kishte ndonjë aktivitet të madh por bërthama ishte. Aty gjeta aktorin e madh Ilia Shyti, i cili ishte, jo vetëm aktor, por edhe piktor e regjisor. Një pasionant i vërtet, njeri i madh, i gjendur, shumë i përzemërt dhe kamaratesk. Mësova se që në vitet ’50,  Ilia Shyti kishte krijuar në qytetin e tij “Orën gazmore”, mu në mes të sheshit të qytetit, ku ndodhej një shtyllë telefoni, në majën e së cilës ishte instaluar një altoparlant. Populli mblidhej rreth altoparlantit dhe qeshte me humorin burimor e të sinqertë të aktorëve amatorë. 

Gjatë javës, Ilia incizonte materialet gazmore, humoristike, si dhe këngët për ditën e diel në mbrëmje, kur fillonte Ora Gazmore. Mos harro se ishin vitet 1950, ku s’kishte ende radio masive dhe zija e bukës vazhdonte pa asnjë pikë zbutjeje. Punën e altoparlantëve e bënte vetën një altoparlant i vetëm, i gjatë, i markës «Stela», ku fjala «Stela», shkruhej pingul, nga lart poshtë; rreth të cilit nguliteshin qindra qytetarë, dëgjonin me kënaqësinë më të madhe. Nga e diela në të dielë numri i dëgjuesve shtohej, me qindra gjer edhe me mijëra, mbase, sepse filluan të vinin dhe nga fshatrat për të dëgjuar, humorin lushnjar dhe mbi të gjitha për të dëgjuar këngët dhe zërin brilant të  12-13-të - vjeçares Vaçe Zela, mbretëreshës së ardhshme të këngës shqiptare, si dhe dy shoqeve të saj, pak më të rritura: Ajete Nepravishtës, Flora Mebellit të cilat krijonin treshen e famshme të Orës Gazmore...  Kjo lloj  mënyre estrade kishte kohë që zhvillohej në Lushnjë nga Ilia Shyti. Pra gjeta një infrastrukturë të ngritur. Madje kishte dhe shumë amatorë që ishin të motivuar të vinin në Shtëpinë e Kulturës.
 
Kë do të veçoje tjetër në atë kohë në Lushnjë?                 
-Hekuran Zhitin, mësues gjuhe, humorist, krijues. Ai bënte skeçe, parodi, pikturonte; shkruante drama, por shkëlqimin e kishte në komedi. Kryesore ishte se qe edhe një aktor i lindur, pa shkollë. Hekurani ishte babai i poetit Visar Zhiti. Ai kishte shkruar që gjatë luftës nacional çlirimtare. Madje nëse e keni dëgjuar ai ka shkruar antitezën e Epopesë së Ballit Kombëtar të Shevqet Musarait. Poemën Përqafimi i dy kundërshtarëve :  ( 1943-1944 ), dy vëllezërve ku pajtonte vëllanë partizan me vëllanë ballist. Nëse Shevqet Musaraj, bënte thirrje  për ndarjen e madhe mes komunistëve dhe ballistëve, Hekurani bënte fjalë për faljen e madhe, bashkim-vëllazërimin.

Për këtë poemë epope Hekurani u ndëshkua rënd. E futën në burg, i hoqën të drejtën e krijimtarisë, e depersonalizuan dhe pse ishte një nga intelektualët më të mirë. Hekuran Zhiti ka vuajtur shumë. Për këtë poemë kam bërë një esse ku theksoj që është “Pushkatimi i një poeme”. Kjo poemë dramatike është vënë në skenë nga grupe amatore partizane. Për këtë poemë dolën qarkore, që kudo që të gjendej e shtypur të digjej. Idetë e tij ishin nacionaliste.Një ndër drejtuesit e asaj kohe ishte dhe Qemal Myrseli kishte për grua të motrën e Tuk Jakovës i cili pas dënimit e lejoi Hekuran Zhitin të emërohej në Estradën profesioniste.

Më vonë, në atë trupë erdhën: aktorët:  Jovan Bizhyti, i prerë për rolet e zyrtarëve, drejtuesve, të udhëheqësve të shteteve kapitalisto-revizioniste, Dhimitraq Nushi dhe Zana Aliçka, dy aktorët më modernë e trendy të estradës, Aneta Gjermeni, Milika Prifti, dy aktore ekspresive, Myzejen Nepravishta inteligjente, Athina Vogli, Petraq Dhimitri, Vasil Bani, popullorë, Robert Kamani, Hasan Dervishi, Llukan Kola, me talet të spikatur civil; Niko Deda, muzikant i shkathët, Elida Korreshi (Gjermëni), pasuese e Vaçe Zelës, Vita Puka, Aleksadër Bufi, këngëtarë karizmatikë etj.

Me aktorin e talentuar, Llukan Kolën, do të nisja një bashkëpunim të gjatë deri në largimin tim nga teatri i estradës e nga Lushnja, sepse tek ai unë gjeta talentin që më duhej, i cili e filloi aktrimin si amator në teatrin e estradës, por pastaj ai vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua si regjisor. Dhe brenda pak kohe u bë një nga regjisorët më të mirë të teatrit të kukullave dhe me shfaqet e tij nëpër konkurse u nderua disa herë me çmime të ndryshme. Tashmë Llukan Kola, nuk ishte më ai aktor amator, por kolegu im, pa të cilin reciprokisht nuk bënim gjë pa bashkëpunuar me njëri-tjetrin
            
Sa shfaqe keni vënë në skenë si regjisor?
-U vunë shumë numra. Trupa ishte e mirë. Gjergj Vlashi në atë kohë më tha se ke bërë një punë shumë të lavdërueshme. Bënim humor myzeqar. Njëkohësisht isha dhe skenarist së bashku me Faslli Halitin. Punonim pa hile, me shumë dëshirë, plot vrull. Furnizuesi kryesor me materiale ishte Hekuran Zhiti. Në materialet e tij ai kishte ironi të hollë, sarkazëm... Niko Deda, një mësues matematike, i binte  fizarmonikës por edhe krijonte këngë e skeçe.
 
Në këtë pozicion pune sa vjet ndenje?
-Në këtë pozicion punova si regjisor, aktor, skenograf, plot 14-të vjet  në Lushnjë. Ka qenë periudha më e bukur e jetës sime. Ditët iknin pa kuptuar. Qyteti më donte. U mësua me mua, me ndonjë ekzibicionizëm dhe ekstravagancë timen. Po mësohej të më pranonte përditë e më shumë duke thënë se artistët nuk janë si të tjerët, por sui generis.  Simpatinë e qytetarëve po e vija re edhe në ftesat që më bënin në banketet që shtronin si dhe kur isha në kafe, matesha të paguaja kafen. «Është e paguar», më thoshte kamerieri.
Kjo sjellje miqësore e qytetarëve më bënte më të kujdesshëm dhe më pak ekstravagant dhe ekscentrik.
 
A vinin sekretarët e parë në prova apo shfaqje?
-Po, gjithmonë. Vinin përherë dhe me shumë dëshirë. Edhe ata kishin nevojë të argëtoheshin. Në fillim Sekretar të Parë gjeta Rrapi Gjermeni që e përkrahte arti dhe mua personalisht më vlerësonte.  Ai s’ka lënë asnjë shfaqje pa ardhur. Ne vinim 4 shfaqje premierë në vit. Jepnim  shfaqje çdo fundjave. Pra merreni me mend sa shfaqje kemi dhënë. Kur unë ika nga Estrada Profesioniste si regjisor, krijova Estradën e Rinisë. Një Estradë amatore. Kemi vënë në skenë “Djali plëngprishës”, estonez, “Votra e huaj” e Ndrek Lucës,  “Rrethi i bardhë” i Naum Priftit, ( e cila u dënua më vonë ku luajtën poeti Faslli Haliti në rolin e Gjeloshit dhe agronomi, Alfred Xhomo, Pavlina Mani, Ilia Shyti, etj), “Qielli i kuq” i Tefik Caushit, një dramë për fëmijë timen “Korija e Valbonës” të cilën e vunë në skenë edhe trupa e fëmijëve të Vlorës, kurse më vonë e dramatizoi në rdio Reshat Arbana “Teatri në mikrofon”. Në disa drama tek trupa amatore e rinisë ka luajtur dhe Visar Zhiti dhe shoku i tij Fatbardh Rustemi, të dy gjimnazistë, shokë të një klase dhe poetë të rinj.
 
Kishte talent Visari për aktor?
-Posi jo. Madje, në vitin 1972, ai luajti disa pjesë me ne. Më vonë kur mbaroi shkollën e mesme shkoi dhe konkurroi në Akademinë e Arteve për aktrim. Por nuk fitoi ose e thënë ndryshe nuk ia dhanë për motive biografie. “Të pamposhturit” e Minushë Jeros, ishte një tjetër dramë që pati sukës. “Jashtë bie shi” po e Minushit. Dhe teatri ynë amator dhe  Estrada profesioniste ishin shumë të mirë.
 
Ke luajtur ndonjë rol?
-Kur isha nxënës në Lice më zgjodhën për aktor në filmin “Furtuna”. Erdhën disa regjisor ku më përzgjodhën mua, Bexhet Nelkun, por unë kisha një cen biografi dhe kështu nuk më lanë të luaja.
 
Çfarë te veçante keni tjetër në punën tuaj në Lushnjë?
-Kemi pasur një të veçantë dhe ne në punën tonë. Së bashku me poetin dhe piktorin Faslli Haliti, ne hapëm ekspozitën e parë për artet figurative në Lushnjë. Ishte viti 1967. Ishte një risi. E hapëm  në sallën e pallatit të Kulturës. Ishin plot 70 punime nga 35 piktorë amatorë, gjimnazistë dhe nxënës të klasave të shtata, midis të cilëve shkëlqeu njëri; Besim Golemi. Kështu filloi dhe u bë traditë hapja e ekspozitave në Lushnjë, ku më vonë u hap edhe Galeria e Arteve Pamore e rrethit, Lushnjë. Atëherë asnjë qytet tjetër nuk kishte bërë diçka të tillë përveç Tiranës. Kjo ekspozitë inkurajoi prindërit dhe nxënësit që të shkonin në shkollat artistike
          
Ju u larguat nga Lushnja në vitin 1974, pse?
-Mua më transferuan në Durrës në vendlindje, fill pas daljes të ashtuquajturve grupe puçistë. Grupet në ushtri, ekonomi, në arte, e ku di unë. Ishte shumë kohë pas Festivalit të 11-të. U mblodhën në Shtëpinë e Kulturës dhe unë pa ditur gjë, u gjenda mes kritikave. Ishte e papritur për mua. Ish Sekretarja e Organizatës së Partisë  që mbulonte Institucionet Kulturore tha se, partia jonë po  thellon luftën e klasave nën dritën e mësimeve të partisë dhe fjalës së 15 – të Marsit të shokut Enver. Edhe ne do të marrim ca masa. Babai im kish qenë ën burg nga 1945 deri në 1952, sepse qe oficer i Zogut. Pas burgut, babanë e internuan në Kuç të Vlorës.

Pas internimit babai u kthye tek unë dhe jetonte me mua në Lushnjë. Në fund të mbledhjes Sekretarja e Partisë më thotë se: “ti Tahsin, je i pushuar nga puna. Keni gjë, për të thënë?“, me pyeti. “Po i them, kam!  Po ju sot e zbuluat babanë tim që paskësh qenë në burg? Unë i kam deklaruar në dokumentet e mia që i keni në dosjen e punës, madje para tre muajsh jam dekoruar me Urdhrin “Naim Frashri“ me motivacionin: “Për edukimin komunist të masave punonjëse“. Shkova në Durrës në fabrikën e gomë-plastikës ku punova me shumë grupe amatore deri në vitin 1991 kur ika emigrant në Itali, në Gjenova, ku punoj e jetoj edhe sot.
 
Kur u largove nga Lushnja, mos ike disi i prekur apo i zemëruar?
-Me kë të zemërohesha, me njerëzit që më donin e respektonin? Kurrë nuk i kam ngatërruar njerëzit me partiakët apo me pushtetarët. Njerëzi derdhin dashuri, pushtetarët, urrejtje. Sikur shoh veten time në këta dy vargje të Lermotovit:
“I dhashë vendit dashurinë,
E ç’dritë e hije, më dhuroi”.
Duke ikur nga Lushnja, gjatë gjithë rrugës eca me kokën e kthyer prapa. Nuk doja të ndahesha nga ditët e bukura që kalova, nga kujtimet e pastra gjithë dritësi të cilat s’më ndaheshin e madje, s’më ndahen edhe sot këtu në Gjenovë ku punoj e jetoj.
Pra... gjithë secili, le të më marrë si të dojë dhe, le të më vendos brenda territorit të Shqipërisë, që nga Kosova në Myzeqe e deri në Çamëri. Ku të dojë. Për mua është njëlloj. Në ditë të mira dhe në ditë të zeza, unë jam një shqiptar dhe kudo e, sado larg që të jem, për vendin tim do të më rrah zemra dhe, sado vende që të shoh, nuk do t’i shoh kurrë më të bukura se në vendin tim. Larg vendit tim, unë e shoh veten të internuar.


 Shkrimi u publikua sot (12.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar