Pas skandalit mediatik se një sërë kompanish në vend të cilat ofrojnë produkte përdorin vaj palme dhe nuk e  deklarojnë atë në etiketa, kanë reaguar sot një pjesë e kompanive të cilat kanë kërkuar hetim administrativ nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit si dhe hetim penal nga ana e Prokurorisë për të gjetur shkaktarët e këtij skandali.
 
Drejtori ekzekutiv i “Albanian Food Industry”, Alban Zusi, ka theksuar se i është kërkuar Prokurorisë që të nisë hetimet për këtë çështje.
 
“Gjithçka që u tha dhe u konkludua për kompanitë tona është tërësisht e pavërtetë dhe garantojmë konsumatorët tanë duke i parë në sy se në asnjë rast nuk e kemi përdorur këtë përbërës. Akuza të tilla haptazi të pabaza janë veprime të mirëfillta mafioze që jo vetëm cenojnë interesat e ligjshme të kompanive tona, por kanë qëllim uzurpimin e manipulimin e tregut dhe shkaktojnë panik dhe pasiguri te qytetarët”, tha Zusi.
 
6 kompanitë e listuara se në produktet e tyre të bulmetit kanë përdorur vaj palme, pa e deklaruar në etiketë, shprehen se ky është një sulm i padrejtë dhe akuzojnë Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare për falsifikim analizash.
 
Operatorët e biznesit sigurojnë se nuk e kanë përdorur vajin e palmës në produktet e tyre dhe kërkojnë që të behën verifikime me të njëjtat mostra që janë përdorur më herët por në një tjetër laborator, i cili të jetë i akredituar
 
Sipas specialistëve, por edhe mjekëve, vaji i palmës klasifikohet si një produkt i dëmshëm për shëndetin e njeriut nëse përdoret pa kriter, apo në sasi të mëdha.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com