Vajzat pa emër

Vajzat pa emër
Përsëritet si një ankth. Përsëriten rastet tragjike të personave publikë, politikanë, biznesmenë, gazetarë që në aksident – mësohet më vonë – ishin në shoqërinë e një vajze, të një gruaje, që nuk ishte bashkëshortja e që mbetet gjatë ose përjetësisht pa emër në kronikat mediatike, por jo në përshpëritjet mes qytetarëve.

Njerëzit inatosen me gazetarët, me “paaftësinë” e tyre për të mësuar një emër, për të dhënë të vërtetën...Por gazetarët, në tregimin e këtyre ngjarjeve, siç ishte dhe mbrëmë rasti i 29 vjeçares Fleura Kola, përplasen nga një burim te tjetri, gënjehen, manipulohen, depistohen. Dhe veçanërisht në këto raste, pengohen t’i afrohen vendngjarjes me të gjithë forcat dhe nga të gjithë: punonjës të rendit, mjekë, politikanë, kolegë të “mashkullit” që ishte në timon me vajzën “e gabuar” dhe jo me bashkëshorten.

Në radhë të parë do të doja të shkatërroja me përbuzje paragjykimin dhe mendimin automatik se vajza në krah të një gazetari, të një politikani, të një biznesmeni është automatikisht “dashnorja”.
Përbuz mentalitetin e një shoqërie të pa evoluar që kategorizon një vajzë, një grua të dashuruar apo jo, si një figurë që gaboi sepse ishte në vendin e gabuar dhe me njeriun që nuk duhet të ishte, pasi ai njeri duhet të ishte në krah të bashkëshortes. Dhe për këtë, shoqëria, në një solidaritet të paparë, fsheh apo tenton të fshehë emra, ngjarje.

Në rastin e Fleurës, të cilën për herë të parë e të fundit e pashë në fotot me buzëqeshjen dhe kaçurrelat e verdhë të zgjedhura prej saj në kronikat personale të Facebook-ut, dëshiroj të jetë larguar nga kjo botë si një vajzë e lumtur. Si një vajzë që ishte vetvetja dhe nuk harxhonte asnjë sekondë të jetës së saj me njerëz që nuk ja vlente, që nuk i donte.

Nëse Fleura ishte vajzë e dashuruar, me siguri, ishte dhe vajzë plot guxim dhe shpërfillëse e paragjykimeve të mykura maskiliste. Në të vërtetë, vetëm dashuria të jep krahët e forcën të jesh vetvetja më këdo e kurdoherë.

Nuk e di se si do të ishin sjellë në raste të tjera emra të njohur të shoqërisë shqiptare të përfshirë në të tjera aksidente tragjike. Ata kanë vdekur. Por në rastin e gazetarit Cim Peka, duke i uruar shërim të shpejtë, do të doja që ai i pari, e të tjerë më pas, të flisnin me respektin e duhur për Fleurën si vajzë, si shoqe, si mike.
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë