Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se duhen vaksinuar edhe djemtë e moshës 13 vjeç kundër Human Papillomavirus (HPV), pasi ky inveksion nuk prek vetëm vajzat.

Përmes një mesazhi, mjekja Rovena Daja tha se në që nga filliim i muajit janar, kjo vaksinë aplikohet edhe te djemtë. Sipas Dajës, HPV mund të shkaktojë sëmundje dhe të shkojë deri në kancer.

Vaksina aplikohet falas në të gjitha qendrat shëndetësore.

“Human Papillomavirus është një infeksion viral e cila mund të shkaktojë sëmundje, lezione prekanceroze, madje në të ardhmen mund të shkojë dhe deri në kancer, jo vetëm tek vajzat, por edhe tek djemtë. Për shkak të këtij efekti, kemi një vaksinë e cila mund të na mbrojë vajzat dhe djemtë. Prej 1 nëntorit 2022, vaksina në kuadër të kalendarit kombëtar të vaksinimit, aplikohet tek vajzat 13 vjeç. Aktualisht, që në ditët e para të janarit 2026, kjo vaksinë aplikohet edhe tek djemtë 13 vjeç. Prindër, shkoni dhe vaksinoni djemtë dhe vajzat tuaj 13 vjeç, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Vaksina aplikohet falas në të gjitha qendrat shëndetësore. Një hap i vogël sot, një hap i madh për të ardhmen”, tha mjekja Rovena Daja nga ISSH.