Qendra e parë e vaksinimit anti-COVID është në instalim e sipër. Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë vizituar stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ ku është ngritur dhe vendi i vaksinimit.

Manastirliu u shpreh se në këtë qendër është parashikuar vaksinimi i 60 qytetarëve në orë. Ajo u shpreh se në të gjithë ambjentin e stadiumit janë vendosur 60 postacione ku do të kryhet vaksina dhe puna do të vijojë për 8-10 orë.

Ministrja u shpreh se vaksinimi do të fillojë me grupet më të rrezikuara. Manastirliu tha se është bërë gati dhe lista për vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve.

“Po bëhet gati plani i vaksinimit për të gjithë grupet më të rrezikuar duke filluar nga mjekët. Tashmë janë vendosur bokset e para të vaksinimit me të gjithë elementët përkatës. Kemi planifikuar që në momentin e parë që vijnë sipas lajmërimeve të gjithë personat që do vaksinohen, si do të hyjnë në vendet e vaksinimit. Si do bëhet regjistrimi, si do organizohet qëndrimi i tyre. Janë marrë masat për elementët e sigurisë. Do të kryhen disa procese. Në fillim do të vijnë qytetarët dhe do të ulen në poltronet e paravaksinimit duke plotësuar nga mjeku anamezën. Më pas do të vihet dhe do të bëhet vaksina, më pas do të qëndrohet 30 minuta për të parë se si reagon trupi, do ulen në qendrat e pas vaksinimit. Do kemi skuadrat e vaksinimit, mjekët si dhe disa nga urgjenca. Aktualisht janë vendosur dhe po vijojnë të vendosen postacionet për të kryer vaksinën. Në të gjithë unazën e arenës do të jenë 60 postacione vaksinimi. Planifikojmë që çdo një orë të vaksinohen 60 ose më shumë qytetarë. Do vijojë kështu 8-10 orë në ditë. Vaksinat e para janë parashikuar që do të shkojnë për grupet e riskut, aktualisht kemi bërë gati listat e infermierëve dhe mjekëve. Më pas do vijojmë me mjekët dhe infermierët e urgjencave. Jemi në fazën ku po trajnojmë gjithë ekipet mjekësore. ” – tha Manastirliu.

Teksa kjo qendër vaksinimi është drejt përfundimit, Manastirliu u shpreh se do të vijojë dhe ngritja e tyre në qytete të tjera, fillimisht me Vlorën dhe Shkodrën e më pas në të gjithë vendin.

“Do të vijojmë paralelisht me Tiranën. Do vijojmë më pas me Vlorën dhe Shkodrën dhe më pas në të gjithë vendin. Për vaksinën Pfizer/ BioNTech ne kemi kapacitete për të pritur deri në 30 mijë vaksina. Ne kemi siguruar kapacitetet frigoriferike për të pritur kaq vaksina. Për depot frigoriferike ne i kemi” – tha Manastirliu.

Ndërkohë kryeministri Rama u shpreh se qeveria është në komunikim të vazhdueshëm përsa i përket vaksinës dhe se ky proces mund të fillojë edhe më shpejt seç është parashikuar falë disa kanaleve të krijuara.

“Në të gjitha rastet ne do fillojmë në javën e tretë të janarit. Shpresojmë që të fillojmë dhe më shpejt. Siç e dini ne jemi në komunikim të vazhdueshëm në të katërta anët dhe kemi besim që mund të fillojmë dhe më shpejt falë disa kanaleve referenciale që kemi hapur. Dua tjua them të gjithëve që jemi në një fazë shumë pozitive përsa i përket prespektivës së kësaj lufte. Kemi siguruar 500 mijë vaksina. Kemi garantuar një trend vaksinimi që i përgjigjet strategjisë dhe një plani të kalendarizuar. Patjetër që menjëherë do mbështesim dhe spitalin COVID të Prishtinës, gjithë strukturën e saj dhe më pas hap pas hapi do shohim si do zhvillohen gjërat dhe për pjesën tjetër të popullit në Kosovë. Ajo që është e rëndësishme  është që për këtë punë janë bërë të gjitha përgatitjet, si nga fillimi e deri më sot ne nuk jemi një hap pas asaj që vjen por jemi gjithmonë një hap përpara” – tha Rama.

Ditën e parë të vitit 2021, kryeministri Rama përmes një deklarate njoftoi se Shqipëria siguroi 500 mijë vaksinat e para anti-COVID të Pfizer nga kompania BioNTech. Kryeministri u shpreh se vaksinimi do të nisë në fillim me bluzat e bardha, pastaj me mësuesit, policët dhe moshat madhora mbi 75-vjeç.

Fushata e cila do të ketë moton "Shqipëria buzëqesh" do të nisë brenda muajit në stadiumin "Air Albania" në Tiranë. Rama premtoi gjithashtu se Shqipëria do t'i dhurojë vaksina Kosovës për vaksinimin e personelit mjekësor në spitalin COVID të Prishtinës.

Ndërkohë në 24 orët e fundit në vendin tonë u shënuan 185 raste të reja të koronavirusit nga 1281 testime të kryera në total. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe kanë humbur jetën dhe 6 qytetarë të tjerë.