Të moshuarit +70 dhe +75 vjeç janë bërë pjesë e vaksinimit në sheshin "Skënderbej", ku ka nisur dhe vaksinimi masiv i popullsisë me vaksinën kineze 'Sinovac'. Për Report Tv, qytetarët, të cilët kanë pritur në radhë për të marrë vaksinën, u shprehen se ndihen mirë, nuk kanë frikë dhe se janë lajmëruar nga mjeku i familjes për të ardhur sot për të bërë vaksinën.
Ata thonë se kanë kaluar një vit të vështirë dhe janë të gëzuar që do të vaksinohen për të patur kështu një jetë më të shëndetshme ku do kenë mundësinë për të udhëtuar dhe për të takuar njerëzit e tyre
"Ndihem shumë mirë, ky është një shpëtim jete për të gjithë. Pandemia ka qenë e vështirë për të gjithë, por e kemi kaluar. Vetë nuk e kam kaluar COVID", tha një i moshuar.
"Ndihem shumë mirë nuk kam frikë fare, ka qenë një vit i vështirë, kam pasur të afërm të prekur por e kaluan lehtë", tha një e moshuar.
"Mirë ndihem, kam shpresa që do jem më e sigurt pas vaksinimit. Më lajmëroi mjeku i lagjes. Vit i vështirë është për të gjithë, jo vetëm për ne", tha një tjetër.
Edhe të moshuarit që sapo kanë bërë vaksinën kineze 'Sinovac' thanë se ata kanë problemë shëndetësore dhe se kjo vaksina do i mbrojë nga virusi. Gazetarja e Report TV Doris Sollaku po ndjek nga afër vaksinimin të moshuarve brenda ambienteve të ngritura posaçërisht për këtë proces.
"Faleminderit që morën vaksinë se ne pensionistë jemi. Faleminderit qeverisë dhe Edi Ramës që e mundësoi këtë. Unë kam disa probleme shëndetësore, sado sado do më mbrojë kjo", tha një moshuar që sapo kishte bërë vaksinën.
"Po jam kaq optimiste sa nuk ka ku të vejë", tha një tjetër.
"Jam shumë mirë nuk ndjeva asgjë", tha një i moshuar pasi kishte bërë vaksinën
Lajmi kryesor:
Përfundon dita e 1 e vaksinimit masiv ndaj COVID-19 me 'Sinovac'! Manastirliu: 11,478 vaksinime në të gjithë vendin! Të moshuarit: Jemi më të sigurt, kemi shpresë
Vaksinimi masiv për grupmoshën mbi 70 vjeç dhe 75 vjeç ka nisur edhe në Lushnje me vaksinën kineze Sinovac. Këtu vaksinimi vijon edhe për arsimtarët, mjekët dhe infermierët. Të moshuarit shprehen se nuk kanë frikë pasi atë po e bën e gjithë bota.
"Jo ore nuk kam frikë fare", tha një i moshuar teksa priste radhën për të bërë vaksinën.
'Jo nuk ka frikë, po e bën e gjithë bota jo më neve. Do ta bëj vaksinën", tha një tjetër.
Edhe drejtori i spitali në Divjakë shprehet se gjithçka shkon mire për grupmoshën mbi 70 vjeç.
Ka nisur prej orës 8 te mëngjesit të kësaj të diele vaksinimi masiv në Fier. 8000 doza vaksina kineze Sinovac në 18 qendra shëndetësore në Fier, Patos, Roskovec nga mosha mbi 75 plus dhe 80 vjeç si dhe vijon edhe për personelin e sistemit arsimor që dëshirojnë që nuk e kane marrë vaksinën.
Vetë të vaksinuarit janë shprehur të lumtur që po bëjnë vaksinën, nuk kanë fikë dhe u bëjnë thirrje të moshuarve të mos ngurojnë ta bëjnë atë.
"Sa mora vesh që ka ardhur vaksina në Fier dhe mua dha njoftimi unë mora djalin me vete dhe erdha. Kemi një vit që kemi frikë të dalim, faleminderit shumë që erdhi kaq shpejt edhe për ne", tha një i moshuar.
"Erdha sot bëra vaksinën, frikë nuk kam, presim të bëjmë dozën tjetër, ishalla ikën sa më shpejt kjo kolerë që na ka zënë", tha një tjetër.
Sipas Drejtorit Rajonal te Kujdesit Shëndetësor, Ervin Hoxha prej mëngjesit të sotëm ka një masivitet në marrjen e kësaj vaksine. Vetëm në bashkinë Fier janë 3 qendra për kryerjen e kësaj vaksine dhe ajo që bie në sy është interesimi i kësaj kategorie për të kryer vaksinën.