Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër procesin e vaksinimit në një qendër shëndetësore në Laç, ku u uroi shëndet të moshuarve që po prisnin në radhë për të bërë vaksinën. Gjatë inspektimit, Rama tha se me nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë në të gjithë vendin, mund të arrijmë lehtësisht të bëjmë 30 mijë vaksinime në ditë duke bërë në një kohë shumë më të shkurtër parashikimin që doza e parë të vaksinës të jetë bërë masivisht dhe të jenë mbyllur grupet vunerabël ndaj COVID-19.
"Tani që kemi mundësitë , me 20 mijëshen e arritur dje jemi vetëm në fillim dhe mund të shkojmë lirshëm me 30 mijë vaksinime në ditë, pra një kohë shumë më e shpejt nga sa e kemi parashikuar ne mund të bëjnë dozën e parë masivisht dhe të mbyllim pjesën më vunerabël pastaj pesa tjetër na jep më shumë kohë", tha Rama.
Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se në dy ditë në Kurbin janë bërë mbi 600 vaksinime dhe se nga fillimi i vaksinimi në të gjithë vendin janë bërë mbi 100 mijë vaksinime.
"Deri tani janë bërë 90 vaksina dhe po vijon ende procesi në Kurbin në qendrat shëndetësore dhe në dy ditë kemi bërë mbi 600 vaksina. Sot shkojmë mbi 100 mijë vaksinime që nga 11 janari, kur ka nisur procesi i vaksinimit në vendin tonë. Moshat +85 vjeç janë duke u vaksinuar në qendrat shëndetësore, por edhe në shtëpi kur nuk kanë mundësi për të lëvizur", tha Manastirliu.
Sot shënohet dita e tretë e vaksinimit masiv në të gjithë vendin për moshat +70 dhe +75 Vjeç, ndërsa për më të moshuarit vijon në të gjithë qendrat shëndetësore të vendit. Vetëm në dy ditë e para të vaksinimit masiv janë shënuar mbi 30 mijë vaksinime dhe pritet që shifra të rrite çdo ditë e më shumë.
I pranishëm në Lezhë, Kryeministri Edi Rama inauguroi edhe rrugën e Lalmit të Ri.
Ramau shoqërua nga kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ndërsa tha se rruga e re e ndërtuar, do nxjerrë nga izolimi këtë lagje të Lezhës, duke i bërë pjesët e qytetit të komunikojnë me njëra-tjetrën si dhe do të lehtësojë edhe trafikun.
Ndërkohë, një qytetar iu afrua kryeministrit duke e falënderuar dhe duke i shprehur mirënjohjen për ndërtimin e rrugës, ndërsa Rama iu përgjigj se ka bërë vetëm detyrën
Dialogu:
Qytetari: Faleminderit për rrugën që na bëtë
Rama: Po jo mo burë se detyrën bëmë
Qytetari: Jo jo, por ne kemi 30 vite që na kanë rrejt
Kryeministri Edi Rama është ndalur në Lezhë, për të parë nga afër procesin e vaksinimit. Ai ka marrë falenderime nga të moshuarit.
Qytetarja: Ty të paçim tërë jetën, o Zot vetëm të mira
Qytetari: Mirë se erdhe, na ke ardhur me gjithë vaksinë, na shpëtove prej COVID-it
Nga ana tjetër, Manastirliu bëri me dije se ditën e sotme janë vaksinuar mbi 150 të moshuar dhe në total, në Lezhë janë vaksinuar 1500 persona.
Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Rrëshen, në qendrën e vaksinimit, ndërkaq ka parë nga afër investimet në infrastrukturë sa i takon projektit të rindërtimit.
Teksa u prit me duartrokitje dhe lëvdata nga të moshuarit në qendrën e vaksinimit, Rama u kërkoi atyre të kenë kujdes derisa të krijohen antitrupat.
Pjesë nga biseda:
Rama: Këta të PD nuk rrinë dot pa i ngrënë ato parvazet?”
Zyrtari vendor: Ata janë të shkatërrimit. Nuk rrinë dot
Rama: Ja u ka fajin e bukura dhe godina
Zyrtari vendor: Si gjithmonë iu vret sytë e bukura
E moshuara: Urime kryeministri më i madh dhe më i mirë i Europës
Rama: po po, më i gjatë i Europës
E moshuara: Urime, suksese
E moshuara tjetër: Kush thotë që nuk keni punuar, ju thafshin duart
E moshuara tjetër: Rrofsh sa mallet, jam e lumtur që takova dhe kryeministrin.
Rama: Duhet me bo kujdes 2 javët e para sa të krijohen anti trupat pastaj ska problem. Se ju kemi futur kështu ushtarë në trup sa të vrasim armikun, se po u afru armiku e vrasim, por duhet me i lënë njëçikë ushtarët të rriten.
Qytetari: Fitore dhe 3 mandate të tjera kryeministër, suksese dhe fitore paç
E moshuara: Të rujt Zoti. Kishim qejf me të pa.
Rama: Ja më patë
I moshuari: Fitofsh dhe 3 mandate të tjera zoti kryeministër.
Në ditën e 3 të vaksinimit masiv ka nisur edhe sot procesi në Berat.
Të moshuarit që janë vaksinuar thonë se ndihen mirë, ndërsa shtojnë se e kanë bërë vaksinën për të qenë më të sigurtë.
“E bëmë dhe jemi shumë mirë. Të rrojnë këta të personelit dhe sdimë si ti urojmë. Unë jam 79 vjeç. Unë jam invalid, jam dhe kryetar i shoqatës së invalidëve në Berat. Kam 1300 invalidë drejtoj këtu dhe kam komunikim përditë me të sëmurë dhe deri tani kam qenë mirë. Mbajta dhe atë distancën dhe kam qenë mirë. Dëgjo se unë interesohesha dhe vetë. S’kisha fare frikë që e bëra, kam ikur duke qeshur”, tha një i moshuar.
“E bëmë vaksinën, s'na dhembi fare kishte një dorë të lehtë dhe e bëmë për të mbrojtur shëndetin”, shtoi një tjetër.
“2 minuta kam që e kam bërë. Skam pasur probleme, bëra vaksinën kineze”, theksoi një tjetër.
“Tani e bëra, e bëra për siguri”.
Procesi i vaksinimit masiv ka nisur prej 3 ditësh në të gjithë vendin, ndërsa pritet të vijojë me këtë intensitet edhe në ditët në vijim.
Zv ministra e Shëndetësisë Eugena Tomini ka deklaruar se me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave pritet që të ulet mosha e të vaksinuarve.
Në ditën e dytë të vaksinimit masiv, të të moshuarve mbi 70 vjeç, janë vaksinuar 20.414 të moshuar.