Spanja ka regjistruar një rekord vdekjesh të lidhura me temperaturat e larta gjatë muajit maj, duke sinjalizuar një përkeqësim të ndikimit të valëve të të nxehtit edhe para nisjes zyrtare të sezonit veror.

Sipas të dhënave të sistemit të monitorimit të vdekshmërisë MoMo, gjatë muajit maj janë regjistruar 101 vdekje të lidhura me nxehtësinë, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë për këtë muaj që nga viti 2015.

Shifra është 3.6 herë më e lartë se mesatarja e viktimave të regjistruara në muajt maj gjatë dekadës së fundit dhe po ngre shqetësime për efektet gjithnjë e më të hershme të temperaturave ekstreme.

Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García, tha se rreziku nuk lidhet vetëm me rritjen e temperaturave, por edhe me faktin që valët e të nxehtit po shfaqen më herët se zakonisht.

“Problemi nuk është më vetëm që është më nxehtë, por që nxehtësia po vjen gjithnjë e më herët dhe trupat tanë nuk janë ende të përshtatur”, u shpreh ajo gjatë prezantimit të Planit Kombëtar 2026 për Parandalimin e Efekteve Shëndetësore të Temperaturave Ekstreme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreziku i vdekshmërisë rritet nga 9.1% deri në 10.7% për çdo gradë që temperatura kalon kufirin e konsideruar të rrezikshëm për shëndetin.

Të dhënat afatgjata tregojnë gjithashtu ndikimin e rëndë të nxehtësisë në Spanjë. Nga viti 2015 deri në vitin 2025, sistemi MoMo vlerëson se 27.564 persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta. Viti më vdekjeprurës mbetet 2022 me 4.789 viktima, ndërsa 2025 renditet i dyti me 3.832 vdekje.