Forcat e Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM) kanë nisur një valë sulmesh kundër Iranit, duke ndjekur udhëzimet e Presidentit të SHBA-së Donald Trump .
Sipas mediave, sulmet amerikane kanë synuar bazat detare iraniane të Sirik dhe Jask si dhe bateritë raketore bregdetare në Minab dhe Qeshm dhe portin e Qeshm. (Ishulli Qeshm ndodhet në Ngushticën e Hormuzit)
Irani ka lëshuar të paktën katër raketa balistike dhe dronë në bazat amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani në përgjigje të rifillimit të sulmeve amerikane.
Agjencia e lajmeve Mehr e Iranit raportoi se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike sulmuan bazën ajrore Muëaffaq Salti në Azraq, Jordani, me raketa me rreze të gjatë veprimi, duke goditur katër objektiva kyçe, duke përfshirë hangarët e avionëve luftarakë F-35 dhe një qendër kontrolli.
Ndërkohë, një zëdhënës i Komandës së Forcave të Armatosura të Jordanisë i tha agjencisë së lajmeve Petra se mbrojtja ajrore rrëzoi pesë raketa të lëshuara nga Irani në zonën e Azraq gjatë natës dhe se nuk pati viktima.
Sipas ushtrisë kuvajtiane, mbrojtja ajrore e vendit ka goditur "objektiva ajrore armiqësore".
"Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë njofton se sistemet e mbrojtjes ajrore të Kuvajtit aktualisht po godasin objektiva ajrore armiqësore në përputhje me procedurat e përcaktuara operative", tha ushtria kuvajtiane në një postim në X.
Lajm në përditësim…

Foto: Shpërthim në Iran nga sulmet amerikane
Irani dënoi sulmin e SHBA-së gjatë natës dhe kërcënoi të hakmerret kundër bazave amerikane në të gjithë Gjirin Persik.
"Këto bombardime përbëjnë një shkelje të qartë të Kartës së Kombeve të Bashkuara", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, dhe "me veprime të tilla agresive, qeveria amerikane ka demonstruar edhe një herë natyrën e saj armiqësore dhe luftarake".
Prandaj, "duke ushtruar të drejtën e saj legjitime për mbrojtje", forcat iraniane "goditën rëndë bazat dhe asetet ushtarake amerikane në rajonin nga i cili filloi agresioni".
Ministria, vazhdon deklarata, paralajmëron se Irani, "duke ushtruar të drejtën e tij për vetëmbrojtje, nuk do të hezitojë të shënjestrojë bazat dhe objektet logjistike të përdorura për të mbështetur dhe zbatuar aktivitete agresive kundër Iranit".
Teherani më pas thekson "përgjegjësinë e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht të Këshillit të Sigurimit, për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe për t'i mbajtur përgjegjës autorët e akteve të tilla agresive".
Komente







