“Oscar Garavani nuk është stërnipi i Valentino Garavanit”. Kështu i shkruan Corriere-s Piero Villani, 77 vjeç, nipi i stilistit që u nda nga jeta më 19 janar, në një letër të nënshkruar “Familja e Mjeshtrit Valentino Garavani”. Nëse më parë kishte dyshime, tani çështja duket e mbyllur, edhe sa u përket pasojave të mundshme trashëgimore. Por çfarë thotë ai, Oscar, dizajner çantash, 59 vjeç, ish-model, me flokë të gjatë biond, që prej disa vitesh prezantohet si stërnip, që mori pjesë në funeral dhe u fotografua nga fotografët? Corriere della Sera e ka kontaktuar, por më parë publikon letrën e familjes.
Wanda, e vetmja motër e Valentinos
“Oscar Garavani nuk ka asnjë lidhje farefisnore me z. Valentino Garavani. Bëhet fjalë për një homonimi të thjeshtë”. Pra, asnjë prejardhje e largët indirekte. “Rrethanat”, vazhdon familja, “të përmendura nga z. Oscar Garavani, sipas të cilave ai do të ishte djali i një vëllai të papërcaktuar të Mjeshtrit Valentino Garavani, nuk përputhen me të vërtetën, pasi ky i fundit kishte vetëm një motër, Wandan”. Dhe nipi i vetëm i stilistit është pikërisht djali i Wandas (e ndarë nga jeta në vitin 1997), Piero Villani.
Vitet si “nip”
Në një artikull të Ansa-s të vitit 2020 (“Oscar Garavani, nipi i Valentinos, kreativiteti në AND”), Oscar prezantohej si “stërnip”, pasi gjyshi i tij “ishte vëllai i Valentinos”. Dhe tregonte: “Kam sfiluar për Armani, Versace, Ferré dhe edhe për xhaxhain tim Valentino”. Për vite me radhë, në mediat që tregonin aktivitetin e tij si stilist dhe sipërmarrës, ai ka mbetur gjithmonë “nipi i Valentinos”. Asnjëherë nuk ka pasur një përgënjeshtrim.
Fjala i takon Oscarit
Corriere della Sera ka publikuar edhe bisedën gjatë telefonatës.
Corriere: Zoti Oscar Garavani, a dini diçka për trashëgiminë e Valentinos?
Oscar Garavani: Ende nuk dimë asgjë, do ta mësojmë pas rreth pesëmbëdhjetë ditësh kur të hapet testament.
Corriere: Mendoni se do të përfshiheni?
Oscar Garavani: Po, xhaxhai më kishte thënë se do të përfshihesha në trashëgimi, por ende nuk dimë në ç’mënyrë.
Corriere: Çfarë marrëdhënie kishit me Valentinon?
Oscar Garavani: Flisnim në telefon dhe kur kishte rast, takoheshim.
Corriere: Shkonit në shtëpinë e tij në Romë?
Oscar Garavani: Varet se ku ndodhej ai, nuk ishte gjithmonë në Romë.
Corriere: Takoheshit shpesh?
Oscar Garavani: Kohët e fundit rrallë, edhe sepse jam gjithmonë nëpër udhëtime pune, për sfilata; edhe unë kam një markë dhe prodhoj çanta në Campania.
Corriere: Keni qenë në funeral?
Oscar Garavani: Sigurisht! Edhe më filmuan, por u tërhoqa, më dukej e papërshtatshme. Shkova për të përshëndetur një të afërm, një të afërm të famshëm. Përkundrazi, pashë shumë njerëz që po bënin reklamë për veten…
Vëllai i supozuar i Valentinos
Corriere: Të vijmë te thelbi, zoti Garavani: cili është shkalla juaj e farefisnisë?
Oscar Garavani: Jam stërnip nga ana e gjyshit tim, i cili ishte vëllai i Valentinos.
Corriere: Por si është e mundur, nëse Valentino nuk ka pasur kurrë vëllezër?
Oscar Garavani: Kjo është diçka që nuk mund ta shpjegoj.
Corriere: Duhet ta shpjegoni, përndryshe rrezikoni të konsideroheni një mashtrues.
Oscar Garavani: Janë gjëra familjare.
Corriere: Familja e Valentinos thotë se ju jeni vetëm një homonim.
Oscar Garavani: Nëse e thonë ata, në rregull; mua nuk më intereson. Unë jam i afërm.
Corriere: Cila është shkalla e farefisnisë?
Oscar Garavani: Këtë nuk dua ta them.
Corriere: Por e thatë më parë: nip i vëllait të Valentinos.
Oscar Garavani: Po, kjo është shkalla ime e farefisnisë. Vëllai i Valentinos ka vdekur prej shumë vitesh, quhej gjithashtu Oscar. Janë gjëra që nuk i kam thënë kurrë.
Dokumentet (që nuk janë)
Corriere: A mund ta provoni atë që thoni?
Oscar Garavani: Nëse dua, po. Gjithsesi ju them se nuk më intereson trashëgimia. Kam dëgjuar që Valentino e ka ndryshuar testamentin një vit e gjysmë më parë, por nëse nuk do të jem mes trashëgimtarëve nuk më intereson; mund t’ju duket e çuditshme sepse ka shumë para, por unë kurrë nuk kam dashur asgjë. Valentinon e kam dashur personalisht, jemi parë disa herë.
Corriere: Nëse do t’ju thoshin se e keni përdorur mbiemrin për të ndërtuar një farefisni të rreme, që ka funksionuar për vite sepse askush nga rrethi i Valentinos nuk e ka vënë re ose nuk i ka dhënë peshë asaj interviste të vitit 2020 (dhe dhjetëra mediave në vitet pasuese), dhe se e keni shfrytëzuar pak edhe për biznes, çfarë do të përgjigjeshit?
Oscar Garavani: Që mund ta provoj gjithçka, me dokumente që rindërtojnë pemën gjenealogjike të familjes: brenda nesër do t’i keni letrat nga avokati im, ju siguroj.
Çfarë mund të pritet nga dikush që në profilet sociale mburret me tituj diplomatikë si “Ambasador At Large për Mercosur”, “Kalorës Ambasceriae Bali”, “Sosjj Neë Malta Principality”?, shkruan Corriere.
Ditët kaluan. Nuk mbërriti asgjë në redaksinë e medias italiane, çështja duhet të konsiderohet e mbyllur. Oscar Garavani, përveçse nëse dalin prova tronditëse që vërtetojnë në të kundërtën, është një i afërm “i rremë” i Valentinos.
Komente










