Ai është një djalë i ri në moshë, por lidhja e tij me traditën dhe vallet popullore është e hershme, që kur ishte fëmijë.

Për Flavio Xhaferin, gjithçka nisi me hapat e parë të mësuar në shkollë. Me kalimin e viteve, skena e Ansamblit Kombëtar u bë vendi ku ai përforcoi teknikën, njohu më thellë motivin burimor dhe ndërtoi marrëdhënien e tij me një prej valleve më të veçanta të traditës shqiptare, atë të Osman Takës.

Një valle që, sa herë e interpreton, i kërkon të sjellë jo vetëm mjeshtërinë e lëvizjes, por edhe shpirtin e një luftëtari.

“Çfarë ndiej unë kur kërcej Osman Takën është ai shpirti i lirë, shpirti i një luftëtari, emocione, burrëri, por edhe elegancë.”, thotë për “Report TV”, valltari solist i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Flavio Xhaferi.

I lindur në Sarandë, por me origjinë nga Kuçi i Vlorës, ai vëren se vallja e Osman Takës është një prej atyre valleve, që të gjithë e duan dhe kanë dëshirë ta kërcejnë në festa apo gëzime familjare. Flavio shton se çelësi është t’i qëndrosh sa më pranë origjinës së valles.

“Të gjithë ata që duan ta kërcejnë këtë valle duhet të kenë parasysh se në një moment që atij i rrezikohej jeta, duhej të tregonte përveç shpirtin e një luftëtari edhe shpirtin e një valltari, një burri elegant.

Hapat bazë janë hapa të dysh, rrotullime, hedhjen në ajër, shtrirja që bën, kërcimi që kërcen mbi trupat. burrat me njëri-tjetrin. Pra, vallja e burrave të Konispolit nuk është vetëm një valle burrash ose trimash, tregon edhe elegancën që ai kishte në brendësinë e vet. Për këtë ju fal edhe jeta.”, vijon Xhaferi.

Flavio iu sugjeron të ndjekin videot të Taip Madanit, diçka që edhe ai vetë e ka bërë me shumë përkushtim.

“Vetëm ai mund të them që e ka kërcyer në profesionalizëm dhe në atë motivin që vërtet duhet të kërcehet kjo valle.”, thekson ai.

Në këtë rrugëtim, rol të rëndësishëm për të kanë pasur edhe puna me profesorin Genc Kastrati në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

“Do të thosha që kjo valle nuk është thjesht një interpretim artistik, sepse në gjuhën koreografike sigurisht që mbart vlera të jashtëzakonshme, si në interpretimin, në elegancën e vet, në trimërinë që shfaq karakteri kryesor, roli kryesor, i cili është i Osman Takës. Është një valle e ekzekutuar në grup, por roli i liderit, i solistit bie në bie në sy, veçohet për arsye sepse është ai që udhëheq të gjithë burrat nga mbrapa dhe nëpërmjet interpretimit të tij shumë elegant, me një karakter shumë të fortë, me një dinamikë të jashtëzakonshme, kjo valle i përshkruan të gjithë.”, thotë Sokol Marsi, drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ansambli Kombëtar ka patur rolin e tij në promovimin e kësaj valleje.

“Një meritë të veçantë në përcjelljen dhe interpretimin e kësaj valleje ka dhe trupa e Ansamblit Kombëtar, pasi është nga vallet kryesore në repertorin tonë, e cila performohet dhe interpretohet në çdo skenë, si brenda dhe jashtë vendit dhe kudo ku performohet dhe interpretohet kjo valle ka një vlerësim dhe ka një sukses të jashtëzakonshëm për të gjithë vlerat që ajo mbart.”, shton Marsi.

E përfshirë në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë, vallja e Osman Takës mbetet një dëshmi e gjallë e historisë, identitetit dhe pasurisë së folklorit shqiptar.

“Përfshirja në Listën Kombëtare të Trashëgimisë së valles së Osman Takës është një lajm tejet pozitiv, si për vallen si gjini, për krenarinë identitare të Çamërisë, por edhe për traditën dhe folklorin tonë dhe trashëgiminë në tërësi.”, përfundon Marsi.