Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka reaguar pas lajmeve të publikuara në media lidhur me pretendimet për ndërtime të legalizuara në zona arkeologjike. Në një reagim zyrtar, institucioni i cilëson këto pretendime të pasakta dhe dezinformuese, teksa sqaron se nuk ka kompetencë të legalizojë ndërtime apo të miratojë leje ndërtimi.

Instituti thotë se nuk ka kompetencë të legalizojë apo të miratojë leje ndërtimi.

Reagimi i plotë 

"Në lidhje me artikullin e publikuar në  media  mbi pretendimet për “legalizime” ndërtimesh në zona arkeologjike, sqarojmë opinionin publik se këto të dhëna janë të pasakta, dezinformuese dhe keqinterpretuese! Së pari, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), organet kolegjiale, Këshilli Teknik (KT) dhe Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), nuk legalizojnë ndërtime dhe nuk miratojnë leje ndërtimi.

Vendimmarrjet e KT-së ose KKTKM-së për aplikimet për projekte zhvillimore, në asnjë rast, nuk lidhen me ndërhyrje në zona arkeologjike, por shprehen dhe miratojnë “Raportet e Vlerësimit të Potencialit Arkeologjik” / “Raportet e Vëzhgimit Arkeologjik Sipërfaqësor” për projekte që nuk kanë impakt në zonat pasuri kulturore.

Procedura për marrjen e “Lejes së ndërtimit” vijon sipas Ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, në institucionet e tjera kompetente.

Për sa i përket artikullit, i cili citon të dhëna absolutisht të pasakta dhe dezinformuese për opinionin publik, sqarojmë se vendimmarrjet e KT-së dhe KKTKM-së mbështeten mbi ekspertizën e specialistëve të licencuar në fushën e arkeologjisë dhe, kurrsesi, nuk ka dhe s’mund të ketë vendimmarrje që cënojnë zonat arkeologjike.

Së dyti, sqarojmë opinionin publik se, në përputhje me misionin e tyre, IKTK, KT dhe KKTKM, në mbështetje të ligjit nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i ndryshuar, shqyrtojnë dhe miratojnë projekte për ndërhyrje me karakter mirëmbajtës, restaurues dhe konservues, sipas parimeve themelore të përcaktuara në ligj për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Projektet restauruese për objektet me status pasuri kulturore janë jo vetëm përmbushje e detyrimit ligjor, por, mbi të gjitha, tregues i vëmendjes dhe mbështetjes që Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, IKTK dhe institucionet e specializuara i japin trashëgimisë kulturore, duke shmangur degradimin e monumenteve dhe ruajtjen e vlerave të tyre.

Artikulli në fjalë, i cili përmban të dhëna të pasakta dhe të pavërteta, tregon një media joprofesionale që nuk përmbush misionin e gazetarisë, mision i cili duhet të përçojë të vërtetën te opinioni publik. Ky mision realizohet kur verifikohen informacionet, duke kryqëzuar të dhënat, si dhe duke u mbështetur në fakte, të cilat janë publike dhe lehtësisht të aksesueshme në faqet zyrtare dhe pranë institucioneve përkatëse.

Ftojmë opinionin publik, specialistët e fushës dhe mediat profesionale të njihen nga afër me punën e jashtëzakonshme, pasionin, vizionin dhe përkushtimin me të cilin MTKS, IKTK dhe institucionet e specializuara kryejnë misionin e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore."