Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance tha se nuk beson se një veprim i mundshëm ushtarak kundër Iranit do ta fuste vendin në një luftë shumëvjeçare në Lindjen e Mesme, sipas një interviste për “Washington Post”.

Vance tha se nuk e dinte se si do të vendoste presidenti i SHBA-së Donald Trump për çështjen e Iranit.

“Opsionet, variojnë nga sulmet ushtarake për të siguruar që Irani nuk do të ketë një armë bërthamore deri në një zgjidhje diplomatike. Ideja se do të jemi në një luftë në Lindjen e Mesme për vite me radhë pa fund në horizont – nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë”, tha Vance.

Ai përmendi sulmet e kufizuara të SHBA-së të vitit të kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe operacionin ushtarak në Venezuelë si shembuj të veprimeve “të përcaktuara qartë”.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit zhvilluan dje raundin e tretë të bisedimeve në Gjenevë mes tensioneve ushtarake në rritje.

Ministri i jashtëm i Omanit, i cili po ndërmjetëson midis dy palëve, tha se diskutime të mëtejshme ishin planifikuar për javën e ardhshme. Negociatat përqendrohen kryesisht në programin bërthamor të Iranit.

SHBA-ja kërkon të parandalojnë Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Irani ka mohuar çdo qëllim të tillë, por ka shprehur gatishmëri për të kufizuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit nga sanksionet e ashpra ekonomike të SHBA-së.

Përtej lehtësimit të sanksioneve, udhëheqja e Iranit po kërkon gjithashtu të shmangë rrezikun e luftës, pasi Uashingtoni rriti ndjeshëm praninë e tij ushtarake në rajon dhe Trump vazhdimisht përmendi mundësinë e goditjes së Iranit nëse nuk arrihej marrëveshje.