Përfaqësues të shoqërisë civile në Qarkun Korçë kanë reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar pas rrëshqitjes dhe bllokimit të aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas, segment kyç i lidhjes mes Korçë dhe Tiranë.

Sipas tyre, kjo situatë ka sjellë pasoja të menjëhershme ekonomike dhe sociale për të gjithë juglindjen e vendit, duke kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, rritur kostot e transportit dhe vështirësuar funksionimin normal të bizneseve.

Sektori i turizmit, transportit dhe tregtisë konsiderohet ndër më të prekurit, ndërsa devijimi i qarkullimit drejt akseve alternative ka shtuar rrezikun për sigurinë rrugore për shkak të fluksit të lartë dhe kushteve jo optimale të infrastrukturës.

Shoqëria civile thekson se izolimi i pjesshëm i rajonit po ndikon drejtpërdrejt në ekonominë familjare dhe në zinxhirin e furnizimit me mallra. Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me furnizimin me karburant, pas raportimeve se kamionët e naftës do të devijohen përmes Kosovë dhe jo nga Maqedonia e Veriut, çka mund të sjellë kosto shtesë dhe rritje çmimesh në tregun vendas.

Në reagimin e tyre publik, përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë bërë thirrje institucioneve qendrore, përfshirë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, të ndërhyjnë me urgjencë dhe të publikojnë një plan të qartë me afate konkrete për stabilizimin e zonës dhe rikthimin e qarkullimit të sigurt.

Mes kërkesave kryesore renditen përmirësimi i menjëhershëm i akseve alternative, masa lehtësuese ekonomike për bizneset dhe qytetarët e prekur, garanci për furnizim të pandërprerë me mallra dhe karburant, si dhe raportim periodik publik mbi ecurinë e punimeve.

Shoqëria civile nënvizon se Qarku Korçë përbën një nyje të rëndësishme ekonomike dhe ndërkufitare për vendin dhe se bllokimi i këtij aksi nuk është thjesht një problem rajonal, por një çështje me impakt kombëtar që kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe transparente.

(Kliko këtu dokumentin e plotë)