Ndërsa në rrjetet sociale janë hedhur dyshime se zjarret në Himarë lidhen me Paketën e Maleve, kryebashkiaku Vangjel Tavo zgjodhi tu përgjigjet këtyre pretendimeve në një intervistë me Nertil Agalliun në Report TV
“Policia po punon, ndoshta janë pranë gjetjes së autorit por nuk mund të them a ka qenë i qëllimshëm pa patur një provë. Këto teori sjanë as konspirative por skanë lidhje me realitetin. Ska lidhje harta e Paketës së Maleve me atë zonë. Ajo zonë është shpërndarë me AMTP. Atje ku ka AMTP është tokë bujqësore dhe ska mundësi për të interferuar Paketa e Maleve, ndaj bie poshtë teoria që përhapin disa që në vend që të jenë aktivë siç kanë qenë qytetarët e Himarës merren me këto spekulime” tha Tavo gjatë intervistës me emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV
Duke folur për situatën ‘apokaliptike’ në Himarë, Tavo tha se, bashkia ka nisur evidentimin e dëmeve dhe deri tani janë konstatuar dëme në 3 banesa të banuara dhe 3 të pabanuara. Ndërkohë, grupet në terren po vijojnë verifikimet për dëmet në ullishte, pemë frutore dhe bletari.
“Sot, është bërë një evidentim paraprak i dëmeve që kanë lënë zjarret dhe të gjitha strukturat e bashkisë janë në terren për të evidentuar çdo dëm që kanë pësuar banorët dhe më pas për të vazhduar me vlerësimin dhe kompensimin. Brenda pak ditëve do të kemi përfunduar dhe do të kemi një panoramë më të qartë të dëmëve në ullishte dhe pemë frutore se për dëmet në banesa kemi përfunduar konstatimin. Janë 3 shtëpi të banuara dhe 3 të pabanuara. Tani po vlerësojmë dëmet që kanë ndodhur në pemët frutore dhe ullishte. Një par me bletë gjithashtu është dëmtuar. Puna vazhdon, brenda 3 ditëve do të kemi konstatimin përfundimtar dhe deri në fund të javës vlerësimin përfundimtar. Ne do të kemi fondin e emergjencave qe do të vihet në dispozicion të kompensimit të qytetarëve që kanë pësuar dëme. Shumica e bizneseve të zonës janë ofruar për të mbështetur familjet që pësuan dëme” tha ai.
Ai theksoi se bashkia ka ende fonde për emergjencat civile dhe se vitet e fundit ka investuar në përforcimin e flotës së zjarrfikësve.
“Kemi rinovuar flotën, kemi blerë dy mjete të reja zjarrfikëse dhe një autobot që të mos kemi humbje kohe. Kemi fond edhe për kompensimin e dëmeve”, tha ai.
I pyetur nëse nevojitet rritje e buxhetit për emergjencat, Tavo u shpreh se fondi i Himarës është i mjaftueshëm, pasi përcaktohet në bazë të të ardhurave të bashkisë, ndërsa shtoi se në dispozicion është edhe fondi që vjen nga qeveria.











Komente
Komento