Partia Socialiste fitoi sërish zgjedhjet e ripërsëritura në Rrogozhinë me një diferencë 1752 vota. Analisti Lorenc Vangjeli komentoi këtë fitore të socialistëve në emisionin ‘kontrast’ në Report Tv duke thënë se kjo është një fitore personale e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Me këtë rezultat, Vangjeli tha për gazetarin Denis Minga se Veliaj fitoi mbi të dyja pjesët e Partisë demokratike, por edhe mbi atë pjesë të Partisë Socialiste që priste që ia të humbiste.
“Fituesi në bashkinë e Rrogozhinës është zgjedhur kryetar bashkie që në datën 14 maj me rreth 60 mijë vota diferencë në Tiranë, dhe ky quhet Erion Veliaj. Veliaj është fituesi direkt, teorik, praktik, konkret në vetë të parë i fushatës së Rrogozhinës, ai fitoi mbi të dyja pjesët e PD, ai fitoi mbi një pjesë të PS që prisnin që ai të humbiste, ai fitoi me vapën. Rrogozhina është fitorja e tij personale”, tha Vangjeli.
Ndërkohë, deputeti socialist Petro Koçi tha se rezultati i 14 majit, ku PS fitoi vetëm me 21 vota diferencë ndërgjegjësoi votuesit socialsit se nuk duhetj të mungonin kësaj radhe në votim.
“Kjo diferencë vjen edhe nga një punë më e përqendruar në Rrogozhinë, në llogari me rezultatin e radhës së parë, shumë njerëz që kanë patur iluzione radhën e kaluar dhe i çoi në abstenim, kësaj radhe kanë shkuar të votojnë. Problemi ynë në fushatën e 14 maji, ka qenë që siguria në fitore i bën shumë njerëz që të mos shkojnë në kutinë e votimit, pra rezultati i 14 maji, besoj ndërgjegjësuan votuesit socialist se kësaj radhe nuk duhej të mungonin. Unë besoj që edhe kundërshtari nuk ka arritur të bëjë atë që bëri herën e parë me votat e atyre që erdhën nga jashtë”, tha Koçi.
Paraditen e sotme (24 korrik 2023) u mbyll procesi i numërimit të 54 kutive të votimit për zgjedhjet e përsëritura të mbajtura të dielën në Rrogozhinë, - pas shpalljes së pavlefshme të zgjedhjeve të 14 majit - duke i dhënë fitoren Edison Memollës me 6658 vota kundrejt Shkëlqim Hoxhës të BF me 4906 vota.