Vangjeli: Në luftë humbasin edhe fitimtarët

Vangjeli: Në luftë humbasin edhe fitimtarët

Në botën e të verbërve, ngjyrat nuk kanë pikën e rëndësisë. Në botën e shurdhëve këmbanat nuk dëgjohen nga askush. Në botën e të marrëve, marrëzia është normalitet. Sot, marrëzia totale që ka përfshirë vendin, ka errur sytë që nuk po dallojnë greminën drejt të cilës po shkohet me ngulm idiotësh e papërgjegjshmëri maskarenjsh dhe ka dhe ka dyllosur veshët për të mos dëgjuar sinjalet e alarmit ekstrem që po kërcënon gjithë Shqipërinë.

Për herë të parë në tre dekada pluralizëm, në Kavajë më shumë, por dhe në Shkodër e gjetkë, ka ndodhur akti më i rëndë dhe atentati më i frikshëm ndaj demokracisë. Dy organizata të armatosura, dy struktura shtetërore, policia e shtetit dhe policia bashkiake, ishin përballë njëra-tjetrës me armë në brez. Dhe vetëm një hap larg nga hapi drejt moskthimit. Drejt konfrontimit të armatosur që do të shënonte prologun dramatik të një lufte jo civile në Shqipëri.

Kush do të lexojë skenarin më të keq të asaj që mund të ngjasë në këtë vend, le të mendojë një çast se çdo të ndodhte nëse nervozizmi njerëzor, rastësia, provokimi apo qoftë dhe pakujdesia, do të bënte të shkrepte një armë e vetme në Kavajë. Çfarë do të ndodhte nëse beteja absurde kundër materialeve zgjedhore do të finalizohej me një apo disa viktima. Në këtë botë, vetëm të vdekurit janë në të drejtën e tyre dhe vetëm ata nuk gënjejnë kurrë, por mbi atë gjak, do të ngriheshin dhe do të ndërtoheshin male me gënjeshtra që do ta bënin të nesërmen e gjithë Shqipërisë shumë më të pasigurt. Do të ishte shkëndija që do të ndizte një zjarr. Dhe do të ishte zjarri që do të përvëlonte gjithkënd.

Edhe Lufta e Parë Botërore nisi nga një e shtëna serbe e një të sëmuri në mend e trup dhe prodhoi atë katrahurë që zhyti Evropën dhe gjithë botën në masakër. Pendesa e të gjithë aktorëve që nui parandaluan çfarë ndodhi më pas, nuk i vlejti askujt, por historia shënjon se një Car rus u pushkatua me gjithë familjen dhe një Kajzer gjerman pati një fund të tmerrshëm pa lavdi, shoqëruar nga miliona viktima që vdiqën në emër të carëve dhe kajzerve të tyre. Evropa vetë nuk ishte kurrë më njëlloj dhe asaj Evrope të shkuar, ju desh edhe një tjetër luftë e përbotshme që të gjente paqen e sotme.

Stili i vjetër moskokëçarrës i Tiranës në segmentin, “Hane Shan e Hane Bagdat”, nuk vlen një lek për të dalluar diferencën mes Sarajevës dhe Kavajës; nesër mund të paguhet gjithçka për të kthyer mbrapsht plumbin, pa kuptuar se plumbat nuk kthehen kurrë pas!

Kush ka parë aktin e frikshëm të Kavajës, kush ka parë Shkodrën, Kukësin, Klosin, e gjetkë, kush është krenuar me qëndresën e bashkiakëve lokalë apo kush mendon se mund të rimarë revansh me policinë e shtetit, duhet të kuptojë se zgjidhja nuk vjen nga forca, nga raporti i forcave apo ekuilibri i tyre. Duhet të kuptojë se qetësia nuk qëndron më tek zgjidhjet policore dhe përplasjet në rrugë, por vjen vetëm me mjete politike dhe me rikthimin e politikës në zyra.

Kur ligjin e shkel një individ, ai mund të përfundojë në burg, kur e bëjnë mijëra vetë një akt të tillë, atëherë duhet të ndryshojë ligji. Edi Rama i pari dhe Lulzim Basha e Monika Kryemadhi pas tij, Meta e Berisha dhe gjithkush tjetër, duhet të kuptojnë se janë aksionerë të përbashkët në shkaqet e krizës që ka shpërthyer dhe se vetë kriza e vendit është pasojë e tyre. Se herët a vonë, zgjidhja vjen nga kurimi i shkakut dhe jo nga trajtimi i pasojës. Se në fillim bëhet kirurgjia e më pas kimioterapia.

Të enjten Lulzim Basha premtoi se do të dalë me familjen dhe dy vajzat e tij të mitura në protestë. Një një fundjavë të mbushur me shumë ankth parashikimesh për më të keqen që mund të ngjasë, premtimi i kryetarit të PD-së është prova dhe sprova më e lartë e një politikani në emër të paqes dhe refuzimit të dhunës. Për një qytetar, një akt i tillë quhet sakrificë që ai premton ta bëjë në emër të dy ëngjëjve të vet, kundër gjithë djajve që e yshtin në ngasjen e luftës. Kundër gjithë të verbërve, shurdhëve dhe të marrëve që ju bien daulleve të luftës, pa kuptuar se në luftë humbasin të gjithë. Edhe fitimtarët e saj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sajmir tahiri: 21/06/2019 18:37

    Vangjelo ta ka marr vendin fred peza tek opinioni

    Përgjigju
  • Uff: 21/06/2019 16:54

    Nqs ligjin e thyejn 100 veta, nderrohet ligji. Po te qe keshtu te lirojm ata mijra te burgosur per vrasje se jan gjith keta qe kan thyer ligjin.

    Përgjigju
  • fallxhorja: 21/06/2019 16:22

    Thuaje troc,Ilir Meta me c'dekretimin ke shkelur rende vijen e kuqe,po con popullin ne vllavrasje,kjo eshte teper e rende,veprim prej te cmenduri qe e pret jo vetem shkarkimi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja