Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se gërmimet në lokacionin ku dyshohet për varrezë masive në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut do të vazhdojnë edhe për shumë javë, e ndoshta edhe për muaj, pasi eshtrat e viktimave janë të shpërndara.
Kurti gjatë ditës së sotme vizitoi vendin ku po kryhen gërmimet, nga ku deklaroi se gjatë qëndrimit të tij janë zbuluar edhe mbetje të reja mortore, derisa ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzikës, antropologët, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe EULEX-it po vazhdojnë punën në terren.
Kurti tha se qeveria do të ofrojë mbështetje të plotë për procesin e gërmimeve, me synimin që familjet e personave të zhdukur ta mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.
Ai u shpreh se duhet të priten rezultatet e analizave të ADN-së, por se me shumë gjasë mbetjet mortore u përkasin grupit prej 23 intelektualëve nga Mitrovica, të cilët, sipas tij, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u ekzekutuan nga forcat serbe më 19 prill 1999.
“Është dhimbje, pikëllim e mundim që të shohësh 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta që u përpoqën ta varrosin e ta zhdukin, po del në dritë”, ka thënë Kurti./Koha
Ai shtoi se vendndodhja e varrezës masive është e vështirë për t’u arritur me automjet, duke vlerësuar se kjo ishte bërë me qëllim të fshehjes së krimit.
“Do të vazhdojnë gërmimet edhe shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj, sepse eshtrat janë të shpërndara dhe ndodhen buzë një prroi, i cili në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm”, deklaroi Kurti.
Komente











