Varri dhe Mithat Frashëri pro dhe kundër

Varri dhe Mithat Frashëri pro dhe kundër

Sulmi dhe shkatërrim i varrit të Mithat Frashërit është rudiment i një mendësie arkaike, tipike të prapambetur dhe zakoni më i ndyrë i një pjese të shoqërisë sonë për mënyrën se si sillet me varret dhe me njerëzit e vdekur. Përpos kësaj, ky akt burracak, i realizuar në errësirë dhe në fshehtësi është një rudiment po aq arkaik ndaj një personaliteti në historinë e Shqipërisë që ka merita të paana, por që pati dhe bëri edhe gabime historike në jetën tij. Personalisht e dënoj ashpër këtë sjellje vandale si në planin njerëzor, por edhe në planin historik, pikërisht për atë që përfaqësonte Mithati por edhe familja e tij, duke nisur nga i ati Abdyl Frashëri, dhe xhaxhallarët Sami dhe Naim Frashëri.

Me emrin real Mithat Frashëri dhe me pseudonimi Lumo Skëndo, ai tregoi se vlera e tij ishte aq e madhe saqë nuk e nxinte dot vetëm një emër. Por, çfarë pret nga një popull që jo vetëm nuk i nderon të vdekurit, por si në këtë rast, 73 vjet pas vdekjes së një të vdekuri që shkriu jetën për Shqipërinë, i shkatërrojnë varrin! Më poshtë po risjell një shkrim analizë me titull “Mithat Frashëri pro dhe kundër” në formë studimi për figurën e Mithat Frashërit që pretendoj se e kam trajtuar pa qenë partizan i një force apo rryme politike, por mbështetur mbi fakte, dokumente dhe perceptim mbi bazën e asaj që është e arkivuar. Shkrimi është publikuar si editorial në gazetën “Panorama” të numrit të 9 nëntorit 2018, 5 ditë përpara ardhjes të eshtrave nga New York-u dhe varrosja e tyre në Tiranë. Lexim të këndshëm!

Mithat Frashëri pro dhe kundër. (9 nëntor 2018, gazeta “Panorama”)

Të ishe Mithat, por jo Frashërlli. Të të donin aq shumë si Lumo Skëndo, por të të urrrenin po aq shumë si Mithat Frashëri njëkohësisht. Kryetar i Kongresit të Alfabetit në Manastir dhe një nga hartuesit e këtij alfabeti, por çdo vepër e shkruar prej tij u ndalua me ligj të veçantë të qarkullohej dhe lexohej. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe ministër në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, por për 50 vjet firma dhe emri i tij u fshi nga kjo proklamatë dhe historia njëkohësisht dhe emri i tij u vendos në listën e kriminelëve të luftës. Një dardhë që ra poshtë pemës Frashëri, me Abdylin baba dhe me Naimin dhe Samiun xhaxha, por që kjo iu mbajt publikut e fshehtë po për 50 vjet. Askush tjetër sa emri dhe figura e Mithat Frashërit nuk ka krijuar një dyzim në histori por edhe në letërsinë dhe filozofisë shqiptare sa ai.

Aq e theksuar ishte dhe ndoshta vazhdon të jetë akoma edhe sot, sa mund të themi se Mithat Frashërin, ose e kanë dashur dhe e duan aq shumë, ose e kanë urryer ose vazhdojnë ta urrejnë po aq shumë. Shqipëria është ende e ndarë pro dhe kundër tij edhe tashmë që pritet që më 12 nëntor në SHBA dhe 14 nëntor në Tiranë të zhvillohen dy ceremontë e zhvarrimit të eshtrave në New York dhe varrimit të tyre në tokën për të cilin e la amanet. E kanë dashur dhe e duan për arsyen e madhe se mendimi intelektual shqiptar në vitet që ai jetoi, kalonte përmes tij. E urryen dhe vazhdojnë ta urrejnë për arsye sepse përfshirja e tij në politikë nëpërmjet Ballit Kombëtar dhe pozicioni i tij kundër komunizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore la shije të rëndë për sistemin diktatorial.

Por si duhet të vizatohet portreti i këtij njeriu të madh, nga të rrallat figura polivalente që ka nxjerrë Shqipëria? A është ai vetëm një personazh i mirë apo personazh vetëm i keq në histori apo të dyja sëbashku? Vështirë ti përgjigjesh saktë këtyre pyetjeve, por do përpiqemi ta vizatojmë Mithat Frashërin nëpërmjet deklarimeve të vet atij por dhe të tjerëve ndaj tij. 

Mithat Frashëri shpërtheu bashkë me nje plejadë shkrimtarësh dhe medimtarësh si Faik Konica, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e Ndre Mjeda duke krijuar korpusin e korifejve të mendimit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit 20-të. Gazetar, botues, diplomat, përkthyes, biograf, studiues, sociolog dhe albanolog, përveç shumë e shumë artikujve, studimeve, krijimeve letrare, Mithat Frashëri na ka lënë të shkruar dy kryeveprat e tij: “Kalendarin kambiar” nga vitit 1897-1928 dhe revistën “Dituria” nga vitit 1909 deri në vitin 1929. Nuk ka fushë që në këto dy kryevepra të mos ketë dhënë mendimin e tij special në ndihmë të zhvillimit të Shqipërisë dhe qytetarimit të shoqërisë shqiptare. Vetë emri dhe jeta e Mithat Frashërit u bë një institucion më vete. Ishte 49 vjeç kur shkroi një testament që edhe sot është unikal për nga mënyra e të shkruarit, mendimit, vlerës intelektuale që po linte pas por edhe dobisë së punës së tij për Shqipërinë. Mjaftojmë të shkëpusim disa pasazhe nga ai testament për të kuptuar vlerën e madhe të figurës së tij.

Mithat Frashëri, më 29 prill 1929.

“Çë ka pasuri të tundëshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka, etj i lë për krijimin e një “INSTITUTII ALBANOLOGJIJE” që të jetë një qendër e studimeve shqipëtare, të mprojë, të zhvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimet që përkasin Shqipërinë dhe shqiptarëtë”.

Ndërsa shkëlqeu në fushën intelektuale, përfshirja e tij në politikë e bëri Mithat Frashërin me shumë armiq. Ministër i Botores në qeverinë e Ismail Qemalit, vetëm 4 muaj pas marrjes së detyrës, ai dha dorëheqjen pas rrethimit të Janinës dhe qendrimit të butë sipas tij që mbajti kryeministri Ismail Qemali. Qendroi pak më shumë se dy vjet ambasador i Shqipërisë në Greqi nga vitti 1923 deri në vitin 1925 por edhe nga kjo detyrë dha dorëheqjen, pavarësisht se kontributi i tij sidomos për çështjen çame ishte i jashtëzakonshëm. Kundërshtar me Ahmet Zogun të cilin e sulmoi si intelektual e megjithatë gjatë viteve të mbretërisë qendroi me një baraslargësi nga politika. Pikërisht përfshirja e tij full time në politikë ishte aq e vlefshme për vendin por dhe po aq e rëndë për të. Ja si e përshkruan diktatori Hoxha figurën e Mithat Frashërit:

Enver Hoxha, në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re, Tiranë 1984”,

“Lumo Skëndo kish bërë për Shqipërinë veçse dy-tri broshura pa vlerë letrare e politike dhe ca muhabete të “stërholluara”. Kur e takova më tha se do më ndihmonte në rast se ndjek rrugën e xhaxhait tënd, patriotit Hysen Hoxha. Rrugën e tij po ndjek- iu përgjigjha, madje me besnikëri. Jo mu kthye, - Midhat beu, - nuk është ashtu. Ai ishte nacionalist i flaktë ishte me Ismail Qemalin në Vlorë kur u ngrit flamuri, ishte me Çerçizin e të tjerë kurse ti, nipi ti tij, ke marrë rrugë të keqe antishqiptare, ti je bolshevik dhe bolshevizmi është armiku i Shqipërisë”.

Po përse Enver Hoxha e sjell figurën e Mithat Frashërit kaq të zbehtë dhe të një profili kaq të ulët duke treguar deri neveri e përçmim? Si ka mundësi që njeriu më i rëndësishëm i Shqipërisë, e nis pasazhin për të duke iu drejtuar me emrin Lumo dhe vijon më pas me emrin Midhat, duke bërë një ngatërresë në dukje të qëllimshme. Përse nuk e evidenton se është djali i Abdyl Frashërit, kryetarit të Lidhjes së Prizrenit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit, ideatorëve të Rilindjes? Duket qartë se arsyeja e madhe përse Enver Hoxha e pikturon negativisht figurën e Mithat Frashërit është angazhimi i tij në politikë dhe konkurenca politike. Marrëveshja e Mukjes më 2 gusht 1943 në të cilën Mithat Frashëri ishte përfaqësues i Ballit Kombëtar si një nga ideatorët dhe hartuesit e kësaj marrëveshjeje ishte e pafalshme për Partinë Komuniste dhe Enver Hoxhën. Prishja e kësaj marrëveshje solli njëkohësisht edhe shpalljen armik politik dhe kryesor të Enver Hoxhës ndaj Mithat Frashërit. Ja çfarë shkruante Enver Hoxha pas kësaj marrëveshje:

Enver Hoxha, Sekretar i Komiteti Qendor i Partisë Komuniste, shtator 1943.

 “Ju e dini që marrëveshja me Ballin Kombëtar ka qenë në dëm të Luftës Nacional Çlirimtare dhe të partisë sonë dhe si e tillë nuk u pranua nga Komiteti Qendror. Të jeni të pamëshirshëm në diskretitim ndaj Ballit Kombëtar në popull, në ndarjen e popullit nga ai në mënyrë që populli të bashkohet me ne, të paraqinti Ballin si shkaktar të përçarjes”.

Lufta politike mes Partisë Komuniste dhe personalisht mes Enver Hoxhës dhe Mithat Frashërit vijoi edhe më shumë më 18 tetor 1943 ditë kur Mithat Frashëri u zgjodh kryetar i partisë Ballit Kombëtar dhe kjo rrezikonte marrjen e pushtetit nga ana e komunistëve. Ja çfarë shkruan Mithat Frashëri si kundërpërgjigje ndaj Partisë Komuniste dhe drejtuesit të saj Enver Hoxha:

Mithat Frashëri, kryetar i Ballit Kombëtar, trakt i vitit 1944

“Partia Komuniste në këtë luftë ideololgjike dhe luftë klasash që vazhdon të bëjë e ka futur Shqipërinë në belanë më të madhe: ndau të birin nga i ati, ndau burrin nga gruaja, vëllanë nga motra, ndau më në fund shqiptarët në dy fusha vdekje. Ne po e përsërisim: Kurrë skemi dashur dhe as duam një gjë të tillë. Përgjegjësia historike e vëllavrasjes i takon vetëm Partisë së Kuqe”.

Këtu historianët shqiptarë janë ndarë në dy kampe. Nga njëra anë qendrojnë ata që mendojnë se Balli Kombëtar bashkëpunonte me pushtuesit gjermanë dhe nga ana tjetër janë historianët që mendojnë se në këtë moment në Shqipëri nisi lufta civile e inicuar dhe e zbatuar nga Partia Komuniste dhe lideri i saj Enver Hoxha nën ndikimin e misionarëve jugosllavë. Ja si e përcjell këtë moment Mithat Frashëri:  

Mithat Frashëri 7, Tetor, 1943

“BALLI KOMBETAR Qarkore Nr. 7.Shqipëria e Shqiptarëve. Vdekja e Tradhëtarëve. Gjithë komiteteve Krahinore. Organizata e jonë ka dashur gjithmonë ti largohet grindjes dhe gjakderdhjes me Partinë Komuniste prandaj ka pasur një sjellje paqësore. Mirëpo shifet se Partia Komuniste jo vetëm që nuk respekton marrëveshjet e nënshkrueme në Mukaj, por na sulmon në çdo mënyrë, si me prapagande ashtu edhe me vrasje. Prandaj porositeni që çdo sulmi e çdo atentati komunist, ti përgjigjeni menjëherë dhe po me atë mënyrë. Për këtë çështje duhet bamë edhe një prapagandë sistematike tue botue trakte, kështu që ta kuptojë populli si është e vërteta dhe kush e ka fajin. Shqipëri e Lirë. 07- 10- 1943. Për Komitetin Qendror. Mid'hat Frashri”

Por duket se komunistët kanë patur një dorë një fakt që për ta ka qenë provë e fortë. Ky dokument u përdor gjatë nga komunistët si një fakt që sipas tyre Balli Kombëtar jo vetëm nuk luftoi gjermanët po bashkëpunoi me ta:

Shkruante Mithat Frashëri më 7 tetor 1943,

“Gjithë komiteteve krahinore. Meqënëse vendi ynë sot ka nevojë të ngutshme për rregull dhe disiplinë gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar porositen që me të arritur kjo qarkore të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane tash për tash. Më vonë do tu dërgohen dhe direktiva të tjera. Për Komitetin Qendror, Mithat Frashëri.”

Dhe lufta civile duket edhe më e qartë me përplasjen e deklaratave të bëra nga të dy palët. Mithat Frashëri sqaron pozicionin e tij ndaj Partisë Komuniste por edhe NacionalÇlirimtares. Ja çfarë deklaron ai:

Mithat Frashëri, kryetar i Ballit Kombëtar: Deklaratë 12 dhjetor 1943.

“Ju bëj të ditur bashkëatdhetarëve të mi se nuk jam as nuk kam qenë, as do të jem kurrë komunist ose nacional çlirmitar. Që është komunizma e maskuar. Dhe që këto doktrina janë kundër lirisë së vërtetë. Kundër interesave shqiptare. Kundër karakterit shqiptar. Dhe të dëmshme në çdo pikëpamje për Shqipërinë. Kushdo që ka përdorur emrin tim për përhapjen e këtyre doktrinave ka bërë tradhëti. Prandaj këshilloj që gjithë bashkëatdhetarët që të largohen një orë e më parë nga partizanët komunistë ose nacional çlirimtare. Se vazhdimi në këtë rrugë përveç që shkakton vëllavrasje do të sjellë edhe vdekjen e Shqipërisë”.

Por jo vetëm në atë kohë por edhe pasi erdhi në pushtet Partia Komuniste i mëshonte versionit që Mithat Frashëri kishte bashkëpunuar me pushtuesit. Një raport i CIA-s 10 vjet pas çlirimit të Shqipërisë, bën një konfirmim që çon ujë në historinë dhe qendrimin komunist.

Raport i CIA, 5 maj 1954:

“Balli Kombëtar është krijuar fillimisht në vitin 1939 nën influencën e Mithat Frashërit (më parë president (shënim: nuk është e vërtetë) i Shqipërisë nga 1929-1931). Frashëri ishte kolaboracionist me fashistët dhe më pas me gjermanët që e emëruan drejtues të administratës së Shqipërisë. Pas kapitullimit të Italisë, Balli Kombëtar u përça dhe nuk ishte më i organizuar. Shumica e grupit u zhvendos në Itali bashkë me trupat italiane, ku fillimisht u mbajtën si të burgosur lufte. Të tjerë iu bashkuan lëvizjes partizane të rezistencës në Shqipëri në udhëheqjen e Enver Hoxhës apo në Jugosllavi, nën drejtimin e Titos.

Vetë Frashëri emigroi drejt Shteteve të Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ka kaluar disa vite në vende të tjera duke u përpjekur të organizojë grupe të rezistencës shqiptare, dhe më 26 gusht 1949 në Paris arriti të krijojë Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, qëllimi i të cilit ishte organizimi i të gjitha grupeve shqiptare kundër regjimit komunist. Frashëri ka qenë lideri i Ballit Kombëtar deri në vdekjen e tij në 4 tetor 1950, kur u zëvendësua nga Hasan Dosti”.

Megjithatë Mithat Frashëri ishte një shqiptar që e donte aq shumë vendin e vet. Në 5 vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ai bëri një deklaratë publike që tregon shumë për këtë qendrim.

Mithat Frashëri, kryetar i Ballit Kombëtar, 7 prill 1944:

“Shqiptarë, Pikërisht sot pesë vjet më parë, disa ushtarë të vetëquajtur stërnipat e qezarëve të Romës, të shtymë nga një politikë të çmendur, e lindum nga një fantazi e sëmurë e të një megallomani, shkelën tokën tonë pa trimëri zemrash, por të futum në tankse dhe të mbështjellë në çelik. Shqiptarë! Në të gjithë Evropën ne kemi qenë të parët që patën guximin ti përgjimeve me armë nji imperializmi të padrejtë. Vëllazën shqiptarë! Përkujtoni në këtë ditë të zezë heronjtë dhe dëshmorët e atdheut. Përqendroni mejtimin tuej në hidhërimin dëshpërues të ditës tragjike të 7 prill 1939. Mos u lëshoni zemra. Të ecim siç kemi ecur në gjurmët e stërgjyshërve tonë, trima kreshnikë që vaditën gjatë shekujve me gjakun e tyre këtë tokë. Motra dhe vëllazën shqiptarë. Të mblidhemi të gjithë nën zhgabën dy krenore për të mundur të përballojmë së bashku ndonjë 7 prill ma të zi që ndoshta ndonjë fat iu keq mund ti rezervojë atdheut tonë. Rroftë Shqiëpria!”.

Por rregulli i artë i historisë është se shërimin e plagëve nuk mund ta bëjnë ata që i shkaktuan. Dhe brezi aktual është ai që duhet ta nderojë Mithat Frashërin duke i dhënë atë që meriton kësaj figure polivalente. I dha kaq shumë Shqipërisë si inteletual dhe bëri politikë në një periudhë aq të vështirë. Njëkohësisht kundër pushtuesve dhe kundër komunistëve, ishte një zgjedhje e vështirë për intelektualët e asaj kohe të pozicionoheshin në një Shqipëri që kishte humbur pavarësinë. Por pyetja e madhe që shtrohet sot është: Cili shqiptar vuajti falë pozicionit politik të Mithat Frashërit gjatë Luftës së Dytë Botërore?

A ka urdhra të dala prej tij për vrasje, përndjekje e krime? A solli pasoja pozicionimi i tij? A kishte ai vërtetë pushtet që të ndikonte te gjermanët dhe të sillte vrasjen e partizanëve? Sot është shumë e lehtë të gjykosh dikë që jetoi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por Mithat Frashëri e plotësoi figurën e vet edhe duke mbajtur atë pozicion që pati. Mirë apo keq, ai mendoi se një Shqipëri pa komunizëm ishte më e mirë se çdo Shqipëri tjetër. E deri sa Shqipëria në 50 vjet vuajti diktaturën më të rëndë në Evropë, Mithatit duhet ti japim të drejtë. I japim të drejtë edhe për një fat tjetër sepse ai ishte pro rezistencës, por kundër kundër komunistëve. Ashtu si në thënien lapidare të Kadri Hazbiut, njërit prej pushtetarëve më të rëndësishëm të sistemit komunist: U ngjitëm në mal si patriotë dhe zbritëm si komunistë. A ishte faji i Mithat Frashërit për këtë?

Duhet të ketë qenë i lumtur Mithati që ne na duket sikur iku nga kjo botë atë 3 tetor të vitit 1949 me një mijë e një brenga. I lumtur nëse mbështetemi te konkluzionet e tij të jetës që i ka lënë të shkruara: I lumtur është ai që në vështirësi lë të flasë zemrën dhe jo mendjen e tij. Dhe Mit’hati kështu bëri. Foli dhe shkroi me zemër. Nuk e kemi nderuar Mithatin për 69 vjet dhe çfarëdo të bëjmë nuk e kompesojmë dot baltën e hedhur ndaj tij. Të paktën më 14 nëntor eshtrat e frashërlliut të madh do ti kemi në Tiranë duke çuar në vend amanetin e tij. Se për nderimin që meriton ndoshta do të bëjnë brezat që do vinë. Mbështetur edhe te këto tre urtësi që ai shkroi vetë:

“Partizanët e barazimit sduan kurrë që i poshtmi të ngrihet sa i larti, po i larti të unjet sa i poshtmi. Rrafshimi ndër ta do me thënë prishje dhe rrëzim. Prandaj vjen fatkeqësija”.

“Gjuha është rrojtja a vdekja e kombit”.

“Në robëri puna jonë është lufta, në liri lufta jonë është puna”.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 24/12/2022 12:25

    Luften nacioa clirimtare NUK evberi as Evberi dhe as komunistet vetem pr shumicave opullit shqiptar ,ku Mithat Frasheri megjithe merits e oars luftes ishte ne krahun evkundert dhevro pushtuesve nazist. Pse sot dhe dhe figura si Noli dhe Gurakuqi mbeten jerezit me te vleresuar nga populli ? Seose I sherbyen atij pa bere pis karakteri dhe oersnalitetin e tyre.Mithati si dhale I asaj dere te nderuar te Frasherllinjve po te ishte ruajtur figure e tij patritike dhe kontributi ndaj popullore NUK do shihej si kundershtar I tij.St 31 vjet nga demokratura komunistet NUK kane asnje efekt e pinioning e popullore per figura te caktuara historike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë