VARSHAVË, 17 shtator /ATSH-AFP/ - Duke pushtuar më 17 shtator 1939 pjesën lindore të Polonisë, sulmuar në perëndim nga Gjermania naziste, ish-Bashkimi Sovjetik i Josif Visarionoviç Stalinit, "i kishte ngulur një thikë pas shpine vendit tonë", deklaroi sot shefi i diplomacisë polake, Radoslaw Sikorski.
"75 vjet më parë, kur Polonia luftonte e vetme kuundër Hitlerit, Bashkimi Sovjetik i nguli një thikë pas shpine, në kuadër të paktit gjermano-sovjetik "Ribbentrop-Molotov", shkruan Sikorski në rrjetin social Twitter.
Presidenti, Bronislaw Komorowski e shënoi këtë përvjetor duke inauguruar në Varshavë ekspozitën e parë të një muzeu dedikuar oficerëve polakë, të burgosurve të luftës nga Ushtria e Kuqe dhe ekzekutuar me urdhër të Stalinit, veçanërisht në pyllin Katyn pranë Smolenskut.
"Mendoj se reflektimi ynë përsa i përket krimit të Katynit (...) merr sot një domethënie të veçantë, kur siguria nuk është më e dukshme rreth Polonisë", deklaroi ai gjatë ceremonisë.
Këtë vit, vendi kujton pushtimin sovjetik në sfondin e tensioneve mes Polonisë dhe Rusisë për shkak të angazhimit të Moskës në Ukrainë, Varshava mbështet me forcë Kievin.
"Ne kishim frikë nga Gjermanët, jo nga rusët. Asnjë nuk mendonte se ata do të na sulmonin", deklaroi Andrzej Kwiatkowski, 85 vjeç, i cili kaloi tetë vjet në kampin sovjetik të përqendrimit.
Në vitin 1939, më shumë se 200 000 ushtarë polakë u bënë të burgosur të Ushtrisë së Kuqe, dëbuar në ish-Bashkimin Sovjetik apo dërguar në territoret e pushtuara nga Gjermania naziste.
Përveç kësaj, disa qindra mijëra civilë polakë, konsideruar si armiq të popullit nga sovjetikët u dëbuan drejt lindjes së Bashkimit Sovjetik.
Rreth 22 000 oficerë të kapur u ekzekutuan pa gjykim, veçanërisht në Katyn./
/ec/ a.jor.