/ATSH-AFP/ - Polonia është kundër shpërndarjes së detyrueshme të kuotave të imigrantëve në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe u shpreh për një pritje vullnetare, deklaroi sot kryeministrja polake Ewa Kopacz.

"Ne nuk themi se nuk do t'i presim imigrantët. Ne themi që dëshirojmë të jemi të besueshëm në këtë ofertë dhe për këtë arsye duhet të punojmë, ashtu si një pjesë e kolegëve të mi evropianë, në mbështetje të vendimeve vullnetare", deklaroi ajo për shtypin.
Ajo përmendi gjithashtu se Polonia kishte për përfituar këto vitet e fundit nga solidariteti evropian para se të nënvizonte se sot një solidaritet i tillë është i domosdoshëm për ata që kërkojnë të strehohen dhe shpeshherë humbin jetën në Mesdhe duke u bërë varreza më e madhe detare.
Plani i veprimit i miratuar të mërkurën nga Komisioni Evropian parashikon kuota për shpërndarjen e refugjatëve dhe imigracionin e ligjshëm mes vendeve evropiane. Ai do të diksutohet nga ministrat e Brendshëm të BE-së më 15 qershor.
Ky plan u kritikua ashpër nga Britania e Madhe dhe Hungaria. Ai u hodh gjithashtu poshtë nga Praga dhe Bratislava./