/ATSH-AFP/ - Ish-ministri grek i Financave, Janis Varufaqis mbrojti sot me forcë, por edhe me pak ironi planin e tij për të nxjerrë Greqinë nga kriza, që përgjegjësit evropianë, sipas tij, nuk deshën asnjëherë ta merrnin parasysh.
"Ishte e pamundur të vihej mbi tavolinën e Eurogrupit apo ta diskutoje me trojkën e kreditorëve të Greqisë", deklaroi ai para disa dhjetëra përgjegjësve evropianë dhe italianë, të mbledhur në Cernobbio (veri), në kuadër të forumit "Ambrosetti".
"Ky plan ishte realizuar me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë si i majti radikal, Larry Summers, ish-sekretar i Thesarit amerikan", ironizon Varufaqis, për të cilin nuk ka asnjë dyshim se ky plan do të kishte funksionuar.
"Megjithatë evropianët privilegjuan një marrëveshje ku ministri gjerman i Financave, Wolgang Schauble, unë vetë, Thesari amerikan dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe shumë personalitete të tjera thonin se është i pamundur që të aplikohet me sukses", insistoi ai.
"Problemi i Evropës është se Franca dhe Gjermania ende nuk kanë rënë dakort mbi formën që duhet të marrë bashkimi i ardhshëm politik", vazhdoi ai.