TIRANË – “Zgjedhjet ishin kompetitive me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe respektuan liritë fondamentale”, thuhet në raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri.

I pranishëm në këtë takimin ku u diskutua për zgjedhjet ishte edhe kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili është njëherazi anëtar i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ai ka marrë pjesë  në punimet e kësaj asambleje në KiE, ku është diskutuar gjerësisht edhe për Shqipërinë dhe zgjedhjet e 23 qershorit.
 
Sipas Vasilit, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka vënë në dukje se zgjedhjet e 23 qershorit kanë marrë vlerësimin maksimal nga faktori ndërkombëtar.
 
Deputeti i LSI-së ka bërë të ditur se eurodeputetët kanë shprehur vlerësime të larta për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve të fundit në Shqipëri duke theksuar se ato ishin konkurruese, me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve në votime.

Gjithashtu Vasili theksoi se faktori ndërkombëtar ka vlerësuar se zgjedhjet e 23 qershorit respektuan liritë fondamentale dhe se përbëjnë një hap të madh përpara për vendin.
 “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vlerëson tepër pozitivisht zgjedhjet e 23 qershorit. Zgjedhjet ishin kompetitive me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe respektuan liritë fondamentale”, u shpreh deputeti i LSI-së.

Gatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka zhvilluar edhe takime me deputetë si z. Gross, z. Fournier apo z. Blondin, të cilët gjatë diskutimeve kanë shprehur vlerësime pozitive për zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)