QYTETI I VATIKANIT, 18 shtator /ATSH-ANSA/ - E Majta Evropiane në kërkim të një dialogu me papa Françeskun mbi temën e paqes, mbrojtjes së mjedisit dhe luftës kundër varfërisë.
Kjo ishte arsyeja e audiencës private të mëngjesit të sotëm në Vatikan, ku papa Françesku ia rezervoi dy politikanëve të së Majtës Evropiane, Aleksis Cipras, kryetar i partisë greke SYRIZA, dhe Walter Baier.
"Një takim i karakterit privat me një dialog të përqëndruar te temat humane dhe sociale", deklaroi zëdhënësi i Vatikanit, at Federico Lombardi, i pyetur për argumentin. "Audienca nuk kishta asnjë natyrë politike dhe lindi nga kontaktet e dy liderëve të së Majtës Evropiane me Lëvizjen e Fokolarëve (Lëvizja e Fokolarëve apo Vepra e Marisë është një lëvizje laike e lindur në gjirin e Kishës Katolike që ka për qëllim realizimin e bashkimit mes njerëzve - shën. përkth) për dialog", shtoi Lombardi.
Megjithatë, kjo ngjarje nuk kalon pa tërhequr vëmendjen pikërisht për shkak të profilit të lartë të të dy bashkëbiseduesve. Aleksis Cipras është edhe zëvendëspresident i së Majtës Evropiane, ndërkohë që Walter Baier është koordinator i OJQ-së së njohur evropiane "Transform! Europe" dhe deri në fund të vitit 2006 ka qenë kryetar i Partisë Komuniste Austriake./        a.jor.