VATIKAN - Shumë kureshtarë u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit për të parë nga afër vendosjen e oxhakut mbi çatinë e Kapelës Sistina ku do të zhvillohet Konklava, që do të mbahet të martën nga ku do të zgjidhet pasuesi i Benediktit të XVI-të.

Zgjedhja e Papës së ri do të bëhet në një takim të fshehtë ku kardinalët votojnë për zgjedhjen e Papës.

Sipas traditës, fletëvotimet digjen pas cdo votimi: nëse tymi nga oxhaku është i zi, kjo do të thotë se Papa nuk është zgjedhur, por nëse tymi nga oxhaku është i bardhë, kjo është shenjë se Papa i ri është zgjedhur.

Pas përzgjedhjes së kardinalit, sipas rregullit, duhet që Papa i ri të ketë dhe nje emër të ri, që duhet të ndryshojë nga ai i pagëzimit, ndërkohë që kërkohet dhe vazhdimi i traditës, duke marrë emra të papëve te mëparshëm.

Spekulimet kanë nisur tashmë për emrin e Papës së ri. Kandidatët e mundshëm përfliten të jenë nga Amerika Latine, Afrika dhe Europa.

Por ajo që bëri shumë bujë ishte se vetëm pak orë mbasi Papa dha fjalimin e dorëheqjes, nisën spekulimet e para se Peter Turkson nga Gana, ishte një kandidaturë e fortë.

Gjithsesi, kardinalë nga Filipinet, Argjentina, Brazili dhe Europa janë përmendur si në mediat laike ashtu edhe në ato kishtare si kandidatë të mundshëm.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)