Mesha Shenjtë e Kremtimit Liturgjiku celebrua në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër, kurse ceremonia nisi në orën 10.00. Ky celebrim u udhëhoq nga Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve Angelo Amato.
“Pasi kemi marrë mendimin e kongregatës së çështjes së Shenjtëve dhe me autoritetin tonë apostulik vendosëm që 38 martirët e kishës në Shqipëri tani e tutje të quhen të lumturuar dhe të mund të festohet festa e tyre me 5 nëntor”. Këto fjalë të kardinalit të dërguar nga Vatikani u pritën me duartrokitje, përqafime, e lot që ndrinë në faqet e familjareve të klerikëve.
Meqenëse një numër i madh besimtarësh ndodhen në Shkoder, për t’ju dhënë të gjithëve mundësinë e përjetimit të kësaj ngjarje, në sheshin përballë Katedrales, Sheshi Gjon Pali II, u instaluan ekrane të mëdhenj që po transmetojnë gjithë Kremtimin.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe shumë autoritete të larta të Vatikanit, por edhe politikanë të majtë e të djathtë, ministra të kabinetit, Presidenti Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta ndërsa mungoi kryeministri Edi Rama sepse ndodhej në Samitin mes Kinës dhe 16 vendeve te Europes Qendrore dhe Lindore, që po zhvillohet në Riga të Letonisë.
Besimtarëve të shumtë që në këtë kremtim solemn, nga Shqiperia, iu bashkuan edhe besimtarët e tjerë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe mbarë diaspora shqipfolese nëpër botë. Për të nderuar këtë kremtim të pranishëm autoritetet më të larta shtetërore si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova.
Të pranishmit u njohën me veprën dhe jetën e klerikëve si dhe u pasqyruan momentet e fundit të jetës të secilit prej tyre.
“Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Shqipëria!” Me këto fjalë të fundit në gojë kanë dhënë frymën e fundit 38 klerikët katolikë që u torturuan në mënyrë çnjerëzore nga regjimi komunist, u lexua ne ceremoni.
[gallery]19492[/gallery]
[gallery]19494[/gallery]
Fjala e Kardinalit Angelo Amato
1. Është një ditë feste sot për shqiptarët e pranishëm jo vetëm këtu në Shkodër por edhe në shumë qytete të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj. Vetëm dy muaj pas shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës, bijë e madhe e tokës suaj dhe grua heroike, pasqyrë e zemrës së mëshirshme të Hyjit dhe afër zemrës së brengosur të çdo qenieje njerëzore nevojtare për ndihmë e ngushëllim, lumnimi i 38 Martirëve shqiptarë u kujton të gjithëve se në tokë e mira pengohet vazhdimisht prej së keqes. Megjithatë, nuk janë përndjekësit, por martirët protagonistët e vërtetë të historisë së njerëzimit.
Ndërsa përndjekësit shpërbëhen si shumë hije të zeza, që humbasin përgjithmonë në errësirën e një harrimi të amshuar, martirët janë flakëza drite që shkëlqejnë në qiellin e njerëzimit, duke u treguar të gjithëve fytyrën njëmend të mirë të njeriut, identitetin e tij të thellë të qenies shëmbëlltyrë tejet e ngjashme me Hyjin.
Megjithëse në ferrin e një përndjekjeje arbitrare dhe të padrejtë, martirët tuaj kanë dëftuar para armiqve të tyre të njëjtat ndjenja dhe qëndrime të Krishtit: falje, besnikëri, qëndresë, vëllazëri, mëshirë. Në këtë mënyrë bëhen busulla e dobishme për orientimin tonë të duhur drejt limanit të së mirës, që është mbretëria e Hyjit që duhet ndërtuar edhe në këtë tokë.
Martirët janë dëshmitarët e atij njerëzimi të ri, që mbjell në histori jo luftëra, përçarje e vrasje të qenieve të pafajshme, por paqe, gëzim e vëllazëri, duke lartësuar talentet e njëmendta të qenies njerëzore të krijuar – siç thotë poeti Dante – «jo për të jetuar si shtazë por për të ndjekur virtytin dhe njohjen».
2. Liturgjia e Fjalës na jep tri faza të luftës së amshuar që armiku i Hyjit bën në tokë. Leximi i parë, i marrë prej Librit të parë të Makabejve, flet për popullin e Hyjit, të mposhtur e të poshtëruar prej mbretit Antiok, pushtuesit blasfem, që ndalon flijimet e Tempullit, u lartëson altare dhe tempuj idhujve paganë, djeg librat e ligjit dhe vret gratë e fëmijët. Në këtë stuhi nuk mungojnë heronjtë që i kundërvihen shkatërrimit të kultit ndaj Hyjit të vërtetë. Shkrimi i shenjtë thotë: «Megjithëkëtë, një shumicë në Izrael qenë të guximshëm e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastërta: më parë zgjodhën vdekjen se të ndoten me ushqime të papastërta e ta prishin Besëlidhjen e shenjtë» (1Mak 1,62-63).
Në Ungjill Jezusi i nxit apostujt që të jenë të fortë dhe të guximshëm, kur të dorëzohen në gjyqe dhe të urrehen nga të gjithë për shkak të emrit të tij: «Mos i druani – thotë Zotëria – ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin» (Mt 10,28).
Shpërblimi i besnikërisë ndaj Zotit ilustrohet në librin e Zbulesës, që flet për lavdërimin e atyre që vijnë prej mundimit të madh dhe që i kanë larë veshjet e tyre, duke i bërë të pastra me gjakun e Qengjit. Është shumica tejet e madhe e martirëve të çdo kombi, fisi, populli e gjuhe, që të mbështjellë në veshje të bardha dhe me degë palme në duar qëndrojnë pranë fronit të Hyjit. Këta «Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij. Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre» (krh. Zb 7,9-17).
3. Mundimi, martirizimi, lavdërimi. Ky është fati që u ka takuar martirëve shqiptarë. Vuajtjet e tyre paraqesin një faqe tragjike të historisë europiane. Nga njëra anë përndjekësit mizorë, nga ana tjetër martirët e pambrojtur.
Shumë vetë në atë stuhi poshtërimi dhe gjaku pyesnin se ku ishte Hyji. Por qenë vetë martirët ata që u përgjigjën se Zoti ishte me ta, i mbështeste në vuajtje, ngjitej në Kalvar me ta, pësonte me ta, qante me ta. Në martirët shqiptarë Jezu Krishti rijetonte mundimet e veta dhe vdekjen e vet. Jezusi ishte pranë Dom Lazër Shantojës kur u pushkatua në Tiranë më 5 mars 1945 dhe pranë Dom Ndre Zadejës kur u pushkatua në Shkodër më 25 mars 1945. Në të njëjtën mënyrë, më 4 mars 1946, në orën e pushkatimit, Jezusi ngushëllonte jezuitët Giovanni Fausti e Daniel Dajani, françeskanin Gjon Shllaku, seminaristin Mark Çuni, të riun njëzet e një vjeçar Gjelosh Lulashi dhe babain e familjes Qerim Sadiku.
Veçanërisht mizore qe, për shembull, vrasja e Imzot Frano Gjinit, që prej ipeshkvijve katolikë ishte ngarkuar të dialogonte me regjimin në pushtet. Imzot Gjini u arrestua, u akuzua për propagandë anti-komuniste, u torturua dhe pësoi urinë e etjen deri në sfilitje. I varur në një pemë në oborrin e Sigurimit, u rrah dhe u hodh në ujërat e zeza. Në fund u ekzekutua më 8 mars 1948 së bashku me 18 vetë të tjerë, meshtarë dhe laikë. Ky guxim mbinjerëzor ishte fryt i hirit të Krishtit që e mbështeste martirin në vuajtjet çnjerëzore të torturave.
Edhe martirët e tjerë – mes të cilëve arqipeshkvi i Durrëzit, imzot Vinçenc Prennushi – të procesuar, të dënuar megjithëse ishin të pafajshëm, të torturuar dhe të vrarë, e ndienin praninë e Krishtit pranë tyre. Prej hirit të tij ata merrnin forcën për ta përballuar me kthjelltësi si dhe me gëzim provën e martirizimit. E dinin se do të bashkëndanin ringjalljen e Krishtit dhe se gjaku i tyre do të ishte fara për pranverën e Kishës në Shqipëri.
4. Falë Provanisë Hyjnore, pema e Kryqit, e rrahur prej stuhisë komuniste, sot ka lulëzuar përsëri me një energji të përtërirë në Shqipëri, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar dhe të ringjallur. Kisha – duke kujtuar fjalën e Jezusit: «Nëse mua më salvuan, edhe ju do t’ju salvojnë» (Gjn 15,18-20) – pas shtypjes ka rilindur edhe më e shkëlqyeshme se më parë, e forcuar edhe prej dëshmisë së bijve të vet martirë.
E dimë se feja nuk kishte vdekur kurrë në Shqipëri. Kur mungonin meshtarët, qenë prindërit ata që pagëzuan fëmijët, i mësuan në fe, bekuan martesat. Thënia e lutjeve dhe e rruzares qe përforcuar. Vizitoheshin muzetë vetëm për të soditur kryqet dhe figurat e shenjta. Shpesh njerëzit shkonin në kishat e braktisura për t’u lutur. Kremtoheshin fshehurazi të kremtet e Krishtlindjeve dhe të Pashkëve. Pavarësisht prej ndalesës së prerë për të përdorur emra të krishterë, fëmijët shpesh në shkollë tregonin emrin shekullar dhe në shtëpi atë të pagëzimit. Lexoheshin fshehurazi Bibla dhe librat fetarë.
Pasi kaloi stuhia, më në fund dielli i lirisë shkëlqeu përsëri mbi popullin tuaj të fortë dhe guximtar. Kur mjegulla e terrorit u shpërbë në vitin 1990 njerëzit filluan t’i uronin përsëri njëri-tjetrit duke buzëqeshur: “Gëzuar Pashkët”. U mbyllën përfundimisht muzetë e ateizmit në Tiranë dhe në Shkodër. Dhe më 4 nëntor të vitit 1990 u kremtua një meshë në kapelën e varrezave të Shkodrës me pjesëmarrjen e rreth 50.000 besimtarëve. Më 25 prill 1993 Gjon Pali II bekoi gurin e parë të shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së Shqipërisë. Kisha shqiptare, me ipeshkvijtë e vet, meshtarët dhe besimtarët, është si një lis shekullor, që nuk lejon të shkulet prej erërave e prej stuhive të stuhisë, por mbetet i rrënjosur fort në fenë në Krishtin.
5. Po si duhet reaguar përballë mujsharive të një diktature çnjerëzore e gjakatare? Le të kujtojmë e le t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Françesku: «Mos i harroni plagët, por mos u hakmerrni. Ecni përpara duke punuar me shpresë për një të ardhme të madhe».
Përballë genocidit fetar të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar qëndrimi i katolikëve është ai që të kujtojnë dhe të falin. Kujtimi shërben për të përforcuar ftesën e Jezusit që t’i falim armiqtë, madje edhe t’i duam e të lutemi për përndjekësit. Prej martirëve katolikët duhet të trashëgojnë jo qëndrime urrejtjeje, inati dhe përçarjeje, por ndjenja dashurie, vëllazërie e harmonie. Sot katolikët, duke kujtuar bijtë e tyre martirë, duhet t’i mbështjellin me mantelin e faljes ata që i kanë përndjekur, keqtrajtuar dhe vrarë. Kjo është dhurata që Kisha katolike i bën me gëzim dhe bindje popullit shqiptar, që të jetojë me shpirt të pajtuar bashkëjetesën me vëllezërit.
Pas disa ditës Papa Françesku do të krijojë kardinal Dom Ernest Simonin, meshtar i Arqidioqezës së Shkodrës, të mbijetuar të përndjekjes. Fjalët e tij të para kanë qenë: «Kjo dhuratë e Atit të Shenjtë është për mua një nxitje e mëtejshme për t’u bërë mjet i shpëtimit të shpirtrave, në emër të tij. Vetëm në Krishtin gjendet shpëtimi dhe sot bota ka më shumë se kurrë nevojë për këtë lajm».
Shqipëria, vendi i shqipeve, përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468), të quajtur Athleta Christi nga papa Kalisti III, ka në Nënë Terezën e Kalkutës dhe në Të Lumët Martirë të shekullit të kaluar edhe heronj të tjerë të lavdishëm të fesë e të atdheut, që përhapin në botë emrin e mirë të popullit shqiptar.
Të Lumët Martirë, lutuni për ta.
Organizimi
“Për të na nderuar dhe për të qënë afer nesh në këtë Kremtim Solemn, përvec kardinalit udheheqës, i derguari i Papa Franceskut, Angelo Amato, do të jenë të pranishëm; Kardinali i jonë d. Ernest Troshani, kryetar i Konferences Ipeshkvore të Italisë, Kardinali Angelo Bagnasco; ipeshkvi i Kelnit, Kardinali Ranier Maria Woelki; Kardinali Salvatore de Giorgi, nga Roma; Ipeshkvi i Napolit, Kardinali Crescenzio Sepe. Do të jenë të pranishëm në bashkëkremtim 20 ipeshkvinj nga vende të ndryshme të botës; si dhe rreth 300 meshtarë nga Shqiperia, Kosova, Mali i Zi, diaspora dhe vende të tjera të botës”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Kisha Katolike ngriti mbi altaret e saj me nderimet më të mëdha tridhjetë e tetë martirë të vrarë gjatë rregjimit komunist. Të gjithë këta ishin priftërinj (ose klerikë), me përjashtim të katër laikëve: një vajzë, Marije Tuci, e vrarë barbarisht sepse ajo ishte kandidate e Motrave Stigmatine dhe katekiste; dhe 4 burra, Mark Çuni, Qerim Sadiku, Gjelosh Lulash dhe Fran Mirakaj. Vinçenc Prendushi, ipeshkvi i fundit i Durrësit, ishte edhe kleriku me rangun më të lartë që u ekzekutua nga komunistët. Ai u akuzua si "armik i popullit", "reaksionar", "spiun i Vatikanit", duke u dënuar për njëzet vjet burgim, ku u torturua, fye dhe poshtërua në shumë mënyra të ndryshme, derisa ai vdiq. Nga dëshmitë e mbledhura për këta martirë bien në sy mënyrat monstruoze me të cilat ata janë trajtuar nga xhelaët. Nga torturat nëpër burgje, mbylljet në çmendinë e deri në mbytjen në gropat e ujrave të zeza janë disa nga makabritet që janë ushtruan ndaj këtyre njerëzve që deri në fund nuk e humbën besimin në Zot. Ndër gjithë rastet ai i Marije Tucit është më i rëndi, pasi këtë vajzë të dlirë që aspironte të bëhej murgeshë e vranë duke e futur në një thes së bashku me një mace së cilës i binin me shkop! Me gjithë fatëkeqsi që hoqën martirët nuk e humbën besimin. Fjalët e fundit të tyre ishin: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!”
Fjalët e fundit te martirëve:
Atë Gjon Shllaku: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!” Shprehje e heronjve të kohës moderne, shprehja e forcës së dhënë nga Shpirti Shenjt, si në të gjitha kohët heroike”.
Atë Mati Prendushi: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës, të pafajshëm! Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”
Dom Alfons Tracki:“… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit”.
Dom Jozef Marksen
”Jam i kënaqur që po vdes, sepse shqiptarët do të më kujtojnë gjithmonë si prift i fesë së Krishtit!”
Martirët
Imzot Vinçenc Prennushi
Arqipeshkëv i Durrësit.
Lindi në Shkodër, më 4 shtator 1885.
Shkollën fillore dhe liceun e kreu në kolegjin e françeskanëve në Troshan, kurse teologjinë në Tirol (Austri).
Meshën e Parë e kremtoi më 19 mars 1908.Qe drejtor i shtypshkronjës françeskane, i kolegjit françeskan, Guardian i Kuvendit të Shkodrës. Dy herë qe provincial.
Më 19 mars 1936 u shugurua Ipeshkëv i Sapës e pastaj u emërua Arqipeshkëv i Durrësit. Njeri i përvujtë, i zellshëm, i butë, organizues i Ipeshkvnisë, njeri shumë i mençur dhe shkrimtar i mirë.
U arrestua më 19 maj 1947 dhe u dënua me 20 vjet burg.
Vdiq në burgun e Durrësit, më 19 mars 1949.
Dom Anton Zogaj
Lindi në Kthellë (Mirditë), më 26 korrik 1908.
Në vitin 1920 filloi shkollën në Seminarin Papnor Shqiptar dhe studimet filozofike e teologjike e kreu në Austri; u diplomua në Trening në vitin 1931.
U shugurua meshtar më 26 prill 1932.
Qe sekretar i Arqipeshkvit të Durrësit.
Ishte besnik dhe i zellshëm.
Qe famullitar i Durrësit.
U arrestua në Durrës më 18 maj 1947 dhe u pushkatua më 9 mars 1948 në Portin Romak të Durrësit.
Dom Dedë Maçaj
Lindi në Mal të Jushit (Shkodër), më 5 shkurt 1920.
Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Romë. U shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendës famullitar i Shkodrës. U mor në shërbimin ushtarak, pastaj u arrestua si spiun i Vatikanit më 10 mars 1947.
Pas torturave të papërshkrueshme u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet (Shqipëri e Jugut), përpara ushtarëve të regjimentit dhe i shkelur prej fanatikëve, derisa dha shpirt nën këmbët e tyre të përgjakura. Qe një meshtar i përkryer, i zellshëm dhe i përvuajtur, i dashur, i gatshëm.
Gjatë shërbimit ushtarak, edhe pse i disiplinuar, për shkak të fesë së tij katolike qe gjithmonë i përçmuar dhe i keqtrajtuar, siç kanë dëshmuar shokët e tij. Me një paraqitje engjëllore.
Dom Dedë Malaj
Lindi në Mali Kolaj (Velipojë), më 16 nëntor 1917.
Pas shkollës fillore dhe të mesme që kreu në Seminarin Papnor Shqiptar vazhdoi studimet në Itali. U shugurua meshtar në Castel Gandolfo (Romë), më 20 dhjetor 1942. U kthye në Shqipëri në Ipeshkvninë e Shkodrës për të shërbyer në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës.
Pasi dërgoi jashtë shteti listën e meshtarëve të pushkatuar, u arrestua dhe u dënua me vdekje. In odium fidei - Vox Populi. [Prej urrejtjes ndaj fesë – është zëri i popullit]. Përballë gjyqit rinovoi me guxim shpalljen e tij të fesë katolike dhe paditi padrejtësitë e regjimit komunist.
U pushkatua më 12 maj 1959, në moshën 42 vjeçare. U arrestuar kryesisht për arsye politike, vdiq duke kundërshtuar komunizmin me kurajo.
Dom Anton Muzaj
Lindi në Vrnavokolo (Kosovë), më 19 mars 1921.
Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër.
Në vitin 1938 shkoi në Romë në Kongregatën Propaganda Fide dhe studioi teologji në Universitetin Gregorian.
U shugurua meshtar më 19 mars 1944. Në vitin 1946 u kthye në atdhe. Në vitin 1948 u arrestua dhe pas shumë torturave u lirua.
Vdiq në arqipeshknvinë e Shkodrës, për shkak të pasojave të torturave, në pranverë të vitit 1948. Pra: vdiq “in odium fidei”.
Ishte i devotshëm dhe i zellshëm; si karakter gjithmonë i gatshëm dhe shumë i përvuajtur.
Atë Giovanni Fausti
Lindi në Broco të Breshës (Itali), më 19 tetor 1899.
Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvnor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri.
Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendës-provincialit.
Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: “Të shkojmë në shtëpinë e Zotit”.
U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.
Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti mbret, i fali persekutuesit!”.
Atë Gjon Shllaku
Lindi në Shkodër, më 27 korrik 1907.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Hollandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931.
Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars 1946 së bashku me Atë Faustin, Atë Dajanin, me seminaristin Mark Çuni, dhe me laikë të tjerë.
Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!” Shprehje e heronjve të kohës moderne, shprehja e forcës së dhënë nga Shpirti Shenjt, si në të gjitha kohët heroike.
Atë Mati Prendushi
Lindi në Shkodër, më 2 tetor 1881.
Shkollën fillore, të mesme dhe liceun i kreu në shkollën françeskane (Shqipëri). Studimet e filozofisë i kreu në Grac (Austri). U shugurua meshtar më 25.03.1904. Mori pjesë në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe në Deçiq në vitin 1911. Ishte me Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri shqiptar. Qe provincial i Françeskanëve në Shqipëri nga viti 1943 deri në vdekje. E dha jetën dhe lirinë e vet në flijim për të mirën e Shqipërisë. Qe dënuar me vdekje nga serbët, por pas një ndërhyrjeje të mbretit Nikolla të Malit të Zi, qe falur. Në 15.11.1946 qe arrestuar me akuzën e rreme se kishte fshehur armë nën altarin e Shën Antonit në kishën françeskane të Shkodrës, dhe për këtë arsye qe pushkatuar nga komunistët.
Fjalët e tij të fundit janë dëshmi feje: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës, të pafajshëm! Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Dosja 1302/2A. Arkivi M.M.Tiranë). U pushkatua më 11 mars 1948, tek varrezat e Rrmajit.
Atë Gasper Suma
Lindi në Shkodër, më 23 mars 1897.
Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Insbruk (Austri).
U shugurua meshtar më 31 korrik 1921 dhe shërbyu gjithmonë në zonat më të vështira malore: Theth, Brigje të Hotit dhe Gomsiqe.
Pati një shpirt të madh sakrifice.
U arrestua dhe vdiq në burgun e Shkodrës më 14 prill 1950.
Eshtrat e tij pushojnë në Kishës Françeskane të Shkodrës.
“In odium fidei”.
Dom Alfons Tracki
Lindi më 2 dhjetor 1896 në një familje, që ishte shumë e ndikuar nga një traditë luftarake në Bleischwitz/ Bliszezyce (Wroclaw) me prejardhje polake. Pasi mbaroi studimet teologjike në Bosnje në vitin 1920, u transferua në Shkodër (Shqipëri) si misionar. Organizoi grupin “Viribus Unitis”, duke mbledhur kështu shumë të rinj. Hapi një shkollë për fëmijët më të mëdhenj se dhjetë vjeç.
Luftoi me ngulm traditat e këqija siç është prirja për t’u hakmarrë dhe marrja e gjakut. Gjithmonë ofronte një zgjidhje të krishterë për këto probleme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunist, edhe pse e dinte mirë rrezikun që mund të sillte teoria ateiste. Ia kushtoi vetveten formimit të klerikëve: ishin 14, gjashtë u masakruan dhe u pushkatuan nga komunistat, kurse pesë vdiqën pas një burgimi të gjatë.
Gjatë gjyqit, sipas Atë Konradit o.f.m., bëri këtë deklaratë: “… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit”.
U pushkatua më 18 korrik 1946.
Dom Dedë Plani
Lindi në Shkodër, më 21 janar 1891.
Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri).
U shugurua meshtar në Primiz (Austri) më 3 gusht 1919.
Pas shugurimit të tij meshtarak u rikthye në atdhe.
Ishte i mirë dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1947 në Rrenc (Shkodër).
Vdiq ndër tortura para se të gjykohej, më 30 prill 1948.
“In odium fidei”.
Atë Serafin Koda
Lindi në Janjevë (Kosovë), më 25 prill 1893.
Meshën e Parë e kremtoi më 30 korrik 1925. Qe famullitar në Lezhë, kur u arrestua dhe u torturua. U arrestua pas një takimi, që bënë françeskanët në Lezhë për arsye ekonomike, të cilit organi i sigurimit donte t’i jepte kuptim politik, sikurse e kishin zakon ata. Kërkonin dëshmi nga Atë Serafini, por ai nuk pranonte t’i akuzonte vëllezërit e vet.
Vdiq, në Lezhë, ndër tortura, më 11.05.1947, pasi ia kishin futur thonjtë në fyt, duke i bërë që t’i dilnin venat nga fyti. Ka qenë misionar i zellshëm.
Infermierja Marie Ndoja, që e mjekonte në momentet e agonisë, e varrosi fshehtazi nën një ulli të oborrit të kuvendit, e pas dëshmisë së saj, janë gjetur eshtrat e tij më 16 shtator 1994. Eshtrat e tij pushojnë në muret e kishës françeskane të Zojës Nunciatë në Lezhë.
Dom Jak Bushati
Lindi në Shkodër, më 7 gusht 1890.
Studimet i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, sikurse edhe filozofinë dhe teologjinë.
U shugurua meshtar më 29 maj 1915.
Shërbeu në zonën e Mirditës për 26 vjet. Qe i respektuar nga të gjithë. Ishte i devotshëm dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1949.
Pas shumë torturash vdiq në burg më 12 shtator 1949, para se të gjykohej.
Është një martir i vërtetë me një jetë të shenjtë.
Dom Jozef Marksen
Lindi në Worringen (Gjermani), më 2 gusht 1906.
Erdhi në Shqipëri si misionar dhe punoi në zonën e vështirë të Kthellës (Mirditë). Dha një kontribut të madh për rritjen e fesë së atij populli, por edhe në fushën e të mësuarit dhe të kulturës.
Në periudhën 1938-1943 u angazhua në famullinë e Perlatit (Mirditë). Gëzonte një dashuri të madhe nga ana e popullit. Tregojnë se ishte shumë i lidhur me kishën dhe me popullin. Studioi dhe praktikoi gjuhën shqipe tek meshtari i mirë Dom Mati Fishta, famullitar i Malajt. Në vitin 1943 u transferua në Jubë të Durrësit.
Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me dy vjet burg, sepse ishte prift dhe sepse ishte gjerman. U mbyll në burgun e Tiranës dhe nga aty u zhduk. Të dënuarit e tjerë tregojnë se një natë e nxorrën nga burgu dhe pastaj nuk e morën vesh kurrë se ku e kishin dërguar. Thuhet se kanë pushkatuar në një pyll më 17 nëntor 1946, në moshën 40 vjeçare.
Para se ta merrnin, Dom Josef i kishte thënë një shokut të burgut këto fjalë: ”Jam i kënaqur që po vdes, sepse shqiptarët do të më kujtojnë gjithmonë si prift i fesë së Krishtit!”.
Dom Ejell Deda
Lindi në Shkodër, më 19 korrik 1900.
Mbeti jetim kur ishte pesë vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Shkodër, kurse studimet teologjike në Austri.
U shugurua meshtar në Romë më 25.07.1924. Qe provincial i françeskanëve në periudhën 1938-1941, u bë guardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1944 deri në vdekje.
U arrestua me akuzën se kishte marrë pjesë në vendosjen e armëve në altarin e kishës; gënjeshtër e shpikur për të shkatërruar kuvendin.
Fjalët e tij të fundit të shkruara në procesverbalin gjyqësor qenë: “Rrotë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë! Shqipëria nuk vdes me ne!”.
U pushkatua më 11 mars 1948, jashtë mureve të varrezave. I fortë, i devotshëm dhe i zellshëm, një martir i vërtetë i fesë dhe i atdheut.
Dom Lek Sirdani
Lindi në Gurës (Milot), më 1 mars 1891.
Studimet e para i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 24 prill 1916.
Shërbeu në famullitë e maleve të Arqipeshkvnisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm dhe i devotshëm.
Qe torturuar në mënyrë barbare e të pashpirtshme, krejt çnjerëzore. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 26 dhjetor 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin.
Martirizimi i tij është i dukshëm. I torturuar dhe i mbytur nga policia e Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës.
Dom Mikel Beltoja
Lindi në Beltojë, më 9 maj 1935.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij dhe disa klasë të shkollës së mesme. U përgatit nga ana filozofike e teologjike privatisht nga Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba. U shugurua meshtar më 8 dhjetor 1961. Qe shumë i zellshëm në shërbimin e tij meshtarak. Pas mbylljes së kishave në mars 1967, pa marrë parasysh ndalesat e regjimit, shkonte nga njëri fshat në tjetrin dhe në mënyrë të veçantë në male, duke ofruar me guxim shërbimin e tij fetar.
U arrestua në Beltojë, më 19 prill 1973. Qe torturuar në mënyrë shtazarake, por rezistoi me vendosmëri dhe heroizëm. Fillimisht u dënua shtatë vjet, por përpara gjyqit foli kundër regjimit dhe kundër diktatorit Enver Hoxha, duke u dënuar menjëherë me pushkatim. Për ta bërë të heshtte në sallën e gjyqit, pasi që e kishin zhveshur, e therën disa herë me zumça.
Jeta e tij qe një dëshmi heroike, dhe për këtë nderohet nga ata që e kanë njohur. U pushkatua më 10 shkurt 1974.
Dom Ndre Zadeja
Lindi në Shkodër, më 3 nëntor 1892.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar në Shkodër më 24 prill 1916. Një ndër Meshët e para të tij e kremtoi në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë (rrëzë kalasë së Shkodrës). Shkroi shumë drama.
Qe sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës dhe pastaj famullitar në famulli të ndryshme të Dioqezës. Qe i pari meshtar që u pushkatua në Shkodër nga komunistët, të cilët sapo kishin ardhur në pushtet, më 25 mars 1945. Akuza ishte se kishte ndihmuar në mënyrë të fshehtë meshtarin Dom Lazër Shantoja.
Qe shkrimtar i mirë, meshtar i ndershëm dhe i zellshëm – sidomos në mësimin e katekizmit, bari i butë e i devotshëm i famullive që i qenë besuar.
Dom Lazër Shantoja
Lindi në Shkodër, më 2 shtator 1892.
Studioi nga fillorja deri në lice në Seminarin Papnor Shqiptar dhe vazhdoi studimet e teologjisë në Insbruk (Austri).
U shugurua meshtar më 29 maj 1915.
Qe sekretar i Arqipeshkvit Imzot Lazer Mjeda.
Qe orator i aftë, shumë i përgatitur në shkencat njerëzore e hyjnore.
U arrestua në vitin 1945 në Sheldi.
Tmerrësisht dhe barbarisht i torturuar, u pushkatua në Tiranë më 2 shkurt 1946.
Dom Shtjefën Kurti
Lindi në Ferizaj (Kosovë), më 25 dhjetor 1898.
U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921.
Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun.
U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946, dhe u dënua me njëzet vjet burg.
Pas mbylljes së kishave u dërgua në Gurëz (Milot). U arrestua përsëri më 11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje “in odium fidei”.
U pushkatua më 20 tetor 1971.
Fran Miraka laik
Lindi në Iballë (Pukë), më 13 gusht 1916.
Qe blegtor dhe shitës. Kishte të afërm e kushërinj jashtë shteti, për këtë arsye u fut në lojën e Sigurimit.
Gjykata e Tiranës, e kryesuar nga gjykatësi Frederik Nosi me Prokurator Nezat Haznedarin, aprovoi dënimin e shpallur në Shkodër më 22 shkurt 1946.
U pushkatua në moshën 29 vjeçare, në shtator të vitit 1946.
Gjelosh Lulashi laik
Lindi në Shosh (Dukagjin), më 2 shtator 1925.
Qe besimtar i thjeshtë, laik. Qe oficer ushtarak në spitalin e Shkodrës.
Qe anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar”.
U arrestua dhe pushkatua më 4 mars 1946, së bashku me Atë Gjon Shllaku O.F.M., Atë Giovanni Fausti S.I., Atë Daniel Dajanin S.I..
I tërhequr dhe i forcuar prej shokëve të tij heroikë, me te cilët vuajti dhe vdiq, tha këto falë të fundit: “Thuani babait tim: ... ”
Dom Pjetër Çuni
Lindi në Shkodër, më 9 korrik 1914.
Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë).
U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel). U arrestua pa motive në Rrjol më 27 korrik 1948.
Egërsisht i torturuar, qe futur për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 26 dhjetor 1948.
Qe një meshtar shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër diktaturës.
Mons. Frano Gjini
Lindi në Shkodër, më 20 shkurt 1886.
Studimet filozofike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse studimet teologjike në Kongregatën Propaganda Fide (Romë).
U shugurua meshtar në Durrës më 28 qershor 1908, ku zhvilloi edhe shërbimin e tij meshtarak.
Në vitin 1930 u shugurua Ipeshkëv i Durrësit, seli që e ndryshoi, sepse u emërua titullar i Abacisë Nullius të Oroshit. Në vitin 1945 qe Zëvendës-delegat Apostolik i Shqipërisë. U arrestua më 15 nëntor 1946 me akuzat “spiun i Vatikanit” dhe “bashkëpunëtor i anglezëve e organizator i kryengritjes së Postribës”.
Qe i paluhatshëm dhe në asnjë mënyrë nuk pranoi, edhe ndër tortura, që të formonte një kishë katolike kombëtare, të ndarë nga Selia e Shenjtë. Kjo qe arsyeja e vërtetë e pushkatimit.
Pësoi keqtrajtime dhe tortura të ndryshme. Pas shumë vuajtjesh u dënua me pushkatim. Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti Mbret! Shqipëria do të jetojë edhe nëse ne vdesim!”.
U pushkatua më 11 mars 1948.
Sem. Mark Çuni
Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919.
Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda seminarit.
Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Jemi të sigurt se eprorët nuk e kanë ditur as dëshminë e seminaristit Çuni. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet.
U pushkatua më 4 mars 1946 dhe vdiq duke shqiptuar fjalët: “Rroftë Krishti mbret dhe i fali armiqtë”.
Atë Bernardin Palaj
Lindi në Shllak, famulli e Ipeshkvnisë së Shkodrës, më 2 tetor 1894.
Teologjinë e kreu në Insbruk (Austri). Qe një ndër mitologët më të mirë shqiptarë; qe profesor dhe shkrimtar.
Pati një kulturë të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar.
Në 1946 u arrestua dhe vdiq ndër tortura, para se të dënohej, më 8 dhjetor 1947 në Shkodër. E lidhën me tela të ndryshkur, dhe kështu vdiq nga tetanozi.
Ka vdekur “in odium fidei”.
Maria Tuci Postulante
Lindi në Ndërfushaz (Rrëshen-Mirditë), më 12 mars 1928.
Shkollën e mesme e kreu tek Motrat Stigmatine në Shkodër.
U arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949.
Ishte shumë e bukur, e urtë dhe me fe të madhe. Kriminelet, hetuesit komuniste per te kenaqur instinktet e veta, u munduan ne te gjitha menyrat, por vajza rezistoi heroikisht. Pastaj e dhunuan ne menyre barbare, sipas deklaratave të shoqeve të saj të burgosura me të.
“Të gjitha torturat e mundura i ushtruan mbi trupin tim”, sipas një letre që nuk arritën ta nxirrnin jashtë nga burgu; ndër të tjera e futën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace!
Vdiq në spitalin e burgut në Shkodër, më 24 shtator 1950.
Atë Çiprian Nika
Lindi në Shkodër, më 19 korrik 1900.
Mbeti jetim kur ishte pesë vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Shkodër, kurse studimet teologjike në Austri.
U shugurua meshtar në Romë më 25.07.1924. Qe provincial i françeskanëve në periudhën 1938-1941, u bë guardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1944 deri në vdekje.
U arrestua me akuzën se kishte marrë pjesë në vendosjen e armëve në altarin e kishës; gënjeshtër e shpikur për të shkatërruar kuvendin. Fjalët e tij të fundit të shkruara në procesverbalin gjyqësor qenë: “Rrotë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë! Shqipëria nuk vdes me ne!”.
U pushkatua më 11 mars 1948, jashtë mureve të varrezave. I fortë, i devotshëm dhe i zellshëm, një martir i vërtetë i fesë dhe i atdheut.
Frat Gjon Pantalia
Lindi në Prizren (Kosovë), i afërm me Nënë Terezën, më 2 qershor 1887.
Erdhi në Shqipëri në vitin 1906 në shkollën e jezuitëve, si vëlla në shoqërinë e Jezusit. Ka studiuar edhe në Soresina (Itali).
Të gjithë ata që e kanë njohur flasin me respekt të madh për të. Ai ka pasur një rol të madh në jetën e kolegjit. Ishte një njeri i mençur dhe i zellshëm.
Pas arrestimit të Etërve Fausti dhe Dajani, qe udhëheqësi shpirtëror i Kongregatës. U arrestua në vitin 1946 në Kuvendin e Fretërve (Gjuhadol) dhe pësoi tortura të tmerrshme.
Vdiq ndër tortura, më 31 tetor 1947.
Nga ata që e njohën ndër tortura, mbahet si martir i vërtetë.
Papa Josif Papamihali
Lindi në Elbasan, më 23 shtator 1912.
Studimet i kreu në seminarin “Benedikti XI”, në Grotaferrata (Itali).
Dha një shembull shumë të mirë. Studimet e filozofisë dhe të teologjisë i kreu në seminarin e shën Atanazit (Romë). U shugurua në Romë, më 1 dhjetor 1935. Në Shqipëri erdhi në vitin 1936 dhe u caktua famullitar i kishës së shën Pjetrit në Elbasan.
U arrestua në vitin 1945, sepse ishte prift katolik dhe u dërgua me punë të detyruar në Korcë. I rraskapitur nga lodhja, meqë nuk mund të punonte më, e varrosën të gjallë në kënetën e Maliqit, më 26 tetor 1948. Qe meshtar shumë i mirë, i butë dhe i zellshëm, me një ëmbëlsi dhe afërsi të jashtëzakonshme.
Atë Daniel Dajani
Lindi në Blinisht (Zadrimë), më 2 dhjetor 1906.
Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë.
U shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë.
U arrestua bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua në mënyrë çnjerëzore. Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti Mbret, i fali armiqtë e mi!”.
Atë Karl Serreqi
Lindi në Shkodër, më 2 shkurt 1911.
Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Bresha (Itali). U shugurua meshtar dhe Meshën e Parë e kremtoi më 29 qershor 1936. Qe famullitar në zonat më të vështira të maleve (Nikaj-Mertur).
U arrestua më 9 tetor 1946, sepse organet e sigurimit donin të dinin se çfarë i kishte thënë në rrëfim një person politik. Ai, besnik ndaj fshehtësisë së rrëfimit, nuk tha asgjë gjatë torturave.
U dënua me vdekje më 18 janar 1947, por pas pak ditësh dënimi iu ndërrua në burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Burrelit më 5 prill 1954. Është martir i fshehtësisë së rrëfimit.
Dom Luigj Prendushi
Lindi në Shkodër, më 24 janar 1896.
Prej shkollës fillore deri në meshtari studioi në seminare të ndryshme të Piemontes, në kolegjet Skarnafacio dhe Sarvano.
U shugurua meshtar më 12 mars 1921.
U kthye në Shqipëri dhe filloi të shërbejë në Ipeshkvninë e Sapës.
U akuzua se ishte spiun i Vatikanit, u arrestua në Naraç më 8 dhjetor 1946 dhe, për të terrorizuar popullin, u pushkatua në Shelqet në praninë e fshatarëve, më 24 janar 1947.
Imzot Jul Bonati
Lindi në Shkodër, më 24 maj 1874.
Studioi në Firence. Njihte disa gjuhë të huaja. U shugurua meshtar në Goricia (Itali), më 8 prill 1906. Ka përkthyer në gjuhën italiane librin e famshëm të Atë Gjergj Fishtës: “Lahuta e Malcisë”.
I ka dhënë një ndihmë të madhe Kishës sonë në Shqipëri: në Durrës dhe në Vlorë.
Ishte një meshtar i përvuajtur dhe i mençur, plot me zell e devocion.
U arrestua në Durrës më 25 mars 1946 dhe u torturua çnjerëzish.
Për ta torturuar edhe më shumë, e futën në çmendinën e Durrësit ku vdiq më 5 nëntor 1951. Pësoi një martirizim të ngadalshëm.
Dom Mark Xhani
Lindi në Shën Gjergj (Pulaj), më 10 korrik 1909.
Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Bobio (Itali), ku edhe u shugurua meshtar më 21 mars 1942. Ishte i butë dhe i zellshëm.
U arrestua në vitin 1947 në Kalivare, vdiq në Shën Pal të Mirditës, pas torturave çnjerëzore, në vitin 1947. Kur e torturonin, kërkonin prej tij të mallkonte Jezu Krishtin dhe ai përgjigjej duke bërtitur: “Rroftë Jezu Krishti!”, e kjo për disa ditë rresht, derisa vdiq ndër këto tortura shtazarake. Këto fjalë të Dom Mark Xhanit janë treguar me lot në sy, nga një person që quhej Nikollë Perndoj nga Kthella e Oroshit, që kishte qenë në të njëjtën qeli me të, të ndarë dysh me hekura. Nëpërmes të çarave shihej e dëgjohej gjithçka.
Pastaj trupi i tij u hodh në një kanal dhe u shqye nga qentë.
Dom Ndoc Suma
Lindi në Nënshat, më 31 korrik 1887.
Studimet filozofike dhe teologjike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në Insbruck (Austri) bëri edhe dy vite të tjera studim. U shugurua meshtar më 21 shtator 1911 në Kapelën e Kolegjit Saverian. Meshën e Parë e kremtoi në Nënshat, më 24 shtator 1911.
Shërbeu si famullitar në Kçirë, Koman, Naraç, Laç të Vaut të Dejës dhe në Pistull. Më 8 dhjetor 1946 u arrestua, ndërsa kremtonte Meshën e shenjtë. U akuzua rrejshëm, e pastaj u dënua me 30 vjet burg.
Pas një paralize në vitin 1953 dhe pasi bëri tetë vite burg, u lirua më 27 nëntor 1954. U kthye në Pistull dhe banoi në një kantinë të qelës. Kremtonte Meshën fshehtazi, si në një katakombe.
Populli e donte në mënyrë të veçantë, sepse punonte me shumë përkushtim, edhe pse nuk kishte shëndet shumë të mirë. Njihej si një etnograf i madh. Kishte mbledhur shumë tregime mitologjike e tradita të vjetra shqiptare.
Vdiq më 22 prill 1958.
Qerim Sadiku laik
Lindi në Vuthaj (Shkodër), më 12 shkurt 1919.
Qe anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” dhe ishte ndërlidhës mes malit e qytetit.
U arrestua më 3 dhjetor 1945 dhe i duroi torturat me një guxim të madh.
U dënua me vdekje dhe u pushkatua, në grup, bashkë me Atë Gjon Skllaku, Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani, më 4 mars 1946.
Fjalët e tij të fundit qenë: “I fali ata që kanë mundur të më bëjnë keq. I fali ata që më kanë dënuar me vdekje, e ata që do të më pushkatojnë”.
Fjalët e tij të fundit provojnë martirizimin e tij.
Dom Marin Shkurti
Lindi në Samrish, më 1 tetor 1933.
Shkollën fillore e kreu në Dajç të Bregut të Bunës, kurse studimet e tjera tek famullitari Pjetër Gruda.
U shugurua meshtar në katedralen e Shkodrës, nga Imzot Çoba, më 8 dhjetor 1961.
Pas mbylljes së kishave ka zhvilluar fshehtazi shërbesën e tij në fshatra e qytete.
Kërkoi strehim në Jugosllavi, por u tradhtua dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë, të cilët e pushkatuan në vitin 1969.